Raportet me Turqinë dhe Iranin/ Xhuliani: Një ndryshim i madh po ndodh, ja çfarë pritet...

Raportet me Turqinë dhe Iranin/ Xhuliani: Një ndryshim i madh po ndodh, ja çfarë pritet...

22:10, 21/03/2018
A+ Aa A-

Ish-Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, ka komentuar ndryshimet që po ndodhin në politikën amerikane. Në studion e emisionit Opinion, Xhuliani tha se ndryshim i madh në politikë do të thotë një ndryshim i madh në personel, kjo po ndodh. Duke bërë një krahasim mes administratës Obama dhe asaj të Presidentit Trump, Xhuliani tha se nuk ka asnjë dyshim që Obama ishte shumë i dobët në lidhje me politikën e jashtme.

Ne e nisëm me Iranin, por ka një histori shumë interesante këto ditë. Kemi disa protesta në disa qytete të Iranit gjithashtu dhe një ndryshim të politikës së jashtme nga presidenti Trump. Ndryshe nga politika e jashtme e presidentit Obama kundrejt Iranit. Çfarë po ndodh tani?

 Një ndryshim i madh. Një ndryshim i madh në politikë do të thotë një ndryshim i madh në personel. Kjo po ndodh. Mendoj se do ishte e drejtë të thonim se administrata Obama mbajti një qëndrim më paqësor kundrejt Iranit. Në mënyrë që të arrinte atë që unë mendoj se ishte një gabim i madh në marrëveshjen bërthamore.

Ishte një gabim?

Kështu besoj. Unë besoj se ata mashtruan. Mendoj se ata po mashtrojnë totalisht. Nuk shoh asnjë arsye përse ata nuk do të bënin të njëjtën gjë që kanë bërë në të kaluarën. Ata kanë vrarë shumë nga njerëzit që zbuluan se ata po mashtronin herën e fundit. Muxhahedinët dhe aleatët e tyre. Ata i eleminuan me qëllim dhe Obama nuk bëri asgjë për këtë. Ne e paralajmëruam Obamën për këtë. Grupi im, i përbërë nga demokratë dhe republikanë.

Unë mendoj se Obama u tregua paksa i dobët edhe në Siri dhe në vende të tjera. Ai nuk qe një njeri i fortë në politikën e jashtme.

Nuk ka asnjë dyshim që ai ishte shumë i dobët në lidhje me politikën e jashtme. Ai bëri një vizë në rërë dhe deklaroi se armët bërthamore, armët kimike...

Po, gabimi më i madh i Obamës ishte në Siri që solli edhe rritjen e pushtetit të Putinit.

Putini e mori atë si një shenjë që ai mund ta zgjeronte më shumë pushtetin e tij në botë dhe kështu bëri. Ne i dhamë përsëri Putinit dhe Rusisë një vend në Lindjen e Mesme, kur në fakt ne i kishim larguar ata nga Lindja e Mesme që në kohën e Niksonit. Obama për mendimin tim ishte një president i tmerrshëm.

Vetëm në politikën e jashtme apo edhe në atë të brendshme?

Në politikën e jashtme më shumë. Sepse ai dëmtoi interesat tona kombëtare. Shiko ekonominë e Amerikës. Gjatë presidencës së tij nuk u rrit kurrë më shumë se 2%. Tani që është Trump-i, është rritur të paktën 3 ose 4%. Dhe ekonomia jonë është shumë më e fortë sot nga ç‘ka qenë në 20-25 vitet e shkuara.

Z. Giuliani, çfarë do ndryshojë në politikën e presidentit Trump kundrejt Iranit?

Mendoj se kjo politikë do jetë një ri-shqyrtim shumë i detajuar i marrëveshjes. Një mundësi e mirë që ata të zbulojnë se Irani nuk po e zbaton siç duhet marrëveshjen gjë e cila do të thotë se Iranit do i vendosen përsëri sanksione. Kjo do të ishte shkatërrimtare për ta sepse edhe me sanksionet të cilat i hoqëm, me qindra milionat që u kemi dhënë atyre, ekonomia e tyre nuk është përmirësuar. Pra, ne u vendosim atyre sanksione.

Shikoni ju një ndryshim në Iran gjatë këtyre viteve të shkuara në lidhje me ekonominë?

Unë mendoj se presidenti Trump inkurajohet nga fakti që në Iran po ndodhin protesta. Mendoj edhe se ai ndjeu se sekretari Tillerson, sekretari i tij i shtetit, nuk po vepronte mjaftueshëm shpejt. Prandaj e zëvendësoi me kreun e CIA-s.

Është i aftë populli i Iranit që ta ndryshojë regjimin pa ndihmë nga jashtë?

Po, ata mund ta bëjnë këtë pa pasur ndihmë nga jashtë. Por ata kanë nevojë për inkurajim nga jashtë. Ata kanë nevojë të dinë se nëse do e bëjnë ata do pranohen, sanksionet do hiqen dhe ekonomia e tyre do ketë ndihmë nga jashtë. Unë mendoj se presidenti Trump e ka përcjellë të gjithë këtë. Veçanërisht në mesazhin që ai u dha sot iranianëve. Që nëse e lexon me kujdes, do të thotë se ai po drejtohet drejt një ndryshimi të regjimit.

Por a ka mundësi që kjo politikë e presidentit Trump ta shtyjë Iranin të formojë një aleancë me Turqinë dhe Rusinë? Të krijonte një trekëndësh, i cili do të ishte i rrezikshëm për politikën e Shteteve të Bashkuara.

Ata janë në një aleancë me Rusinë tashmë. Ata thjesht duhet të kuptojnë se çdokënd që ne e mbështesim, Rusia e kundërshton dhe anasjelltas. Sepse ne jemi betuar t’i mbrojmë të gjitha vendet e Nato-s dhe shikoje presionin që ai po u bën atyre. Ne kemi një aleancë bërthamore me Ukrainën dhe shiko çfarë presioni po u bën ai atyre. Putini. Pra kjo nuk është shumë e pakëndshme për ne. Turqia është një histori tjetër. Ne jemi përpjekur shumë për ta ndihmuar Turqinë.

Ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë qëndron akoma problemi Gulen. Edhe ju keni qenë mes këtyre dy vendeve.

Unë kam qenë në mes të gjithë kësaj. Jam takuar me presidentin Erdogan për këtë dhe kam folur me të disa herë në telefon. Realiteti është se Shtetet e Bashkuara nuk do t’ia japin Gulenin Erdoganit.

Jo?

Nuk mendoj kështu. Ja çfarë është interesante. Turqia nuk ka dërguar asnjë kërkesë të mirëfilltë ekstradimi për të. Ata kanë dërguar shumë letra në gjykatë por me aq sa mund të them unë nga Departamenti ynë i Drejtësisë, nëse ata do të donin, mund të ngrinin një çështje shumë më të mirë të cilën një gjykatës do ta kishte të vështirë për ta refuzuar. Dhe kjo që do them bazohet shumë më tepër në mendimin tim, jo sipas Trampit apo dikujt tjetër.

Po, sigurisht.

Unë besoj se Guleni është më i dobishëm për Erdoganin jashtë Turqisë sesa brenda saj.

Pse?

Ta ktheje atë në Turqi do të ishte njësoj si të ktheje Ajatollahun në Iran. Ai ka shumë mbështetje në Turqi. Është pak a shumë 50 me 50 atje. Dhe 50% i tij mund të jetë më entuziast sesa 50% për Erdoganin. Pra jashtë vendit, ai nuk mund të organizojë dot gjë. Nëse ai kthehet...

Ai do krijonte probleme.

Mund të ndodhte një... ndoshta jo një grusht shteti por pyetja është se kë mbështet ushtria turke dhe kjo është gjithashtu e dyshimtë. Ushtria turke nuk mund të jetë e kënaqur me lëvizjen drejt fundamentalizmit. Fundamentalizmin mysliman në Turqi. Në qendër ishte një ushtri alla Ataturk që do të thotë një ushtri jofetare. Myslimane por jo myslimane në kuptimin jotolerant. Turqia po lëviz në këtë drejtim dhe unë nuk mendoj se ushtria është e kënaqur me këtë. Erdogani duhet të shqetësohet që Guleni të paktën hiqet si një person më i moderuar. Them hiqet sepse unë nuk e njoh Gulenin.

Keni ndonjë marrëdhënie personale me presidentin Erdogan?

Nuk do e quaja personale por unë e kam takuar atë disa herë në Shtetet e Bashkuara dhe në Turqi pra mund ta vlerësoj atë. Unë mendoj se ai është një njeri praktik. Mendoj se ai nxitet më shumë nga politika sesa nga feja edhe pse mund të duket e kundërta. Por mendoj edhe se ai ka bërë disa gabime kritike.

Në marrëdhëniet me Rusinë?

Në marrëdhëniet me Rusinë dhe në ato me Shtetet e Bashkuara. Shiko, Shtetet e Bashkuara janë shumë më të vlefshme për Turqinë sesa Rusia.

Dhe kështu ka qenë për një kohë të gjatë. Prej dekadash.

Po kështu edhe për Europën. Dhe afrimi me Rusinë nuk do e integrojë atë në Evropë.

Unë mendoj se ka një problem në këtë rast sepse Bashkimi Evropian po e trajton Turqinë paksa ndryshe nga vendet e tjera. Edhe o thotë mund të jesh pjesë e BE edhe e mban jashtë. Dhe në këtë rast Turqia ka nevojë për aleatë të tjerë.

Kjo është e vërtetë dhe unë shpresoj se të gjithë i kanë bërë llogaritë mirë dhe në fakt kështu mendoj se kanë bërë por realiteti është se me formën aktuale të qeverisjes në Turqi ata nuk mund të hyjnë në Bashkimin Evropian. Është një qeverisje shumë pak e lirë dhe atij do i duhet të bëjë disa rregullime nëse do që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Ai është një njeri shumë fleksibël dhe unë mbaj mend se ai ishte në një situatë shumë të tmerrshme dhe tani i duhet të qetësohet. Unë mendoj se do kemi edhe 2 apo 3 rizgjedhje të Z. Erdogan para se ai të largohet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco