Rrëfimi i Palokës: Rama ishte objekt talljeje tek bordura, 'selia' e çunave të Tironës

Rrëfimi i Palokës: Rama ishte objekt talljeje tek bordura, 'selia' e çunave të Tironës

14:15, 19/02/2018
A+ Aa A-

Deputeti demokrat Edi Paloka rrëfen për periudhën e lëvizjes për demokraci, sakrificën e madhe të studentëve, rrëzimin e bustit të bustit të diktatorit dhe njohjet me Sali Berishën dhe Edi Ramën. Me të parin e lidhin orët e para të krijimit të PD-së, me të dytin “bordura”, selia e “çunave të Tironës”…

Në grevën e urisë hyri gjysmë “ilegalisht”. Edi Paloka kishte muaj më parë se 17 shkurti ’91, që ishte diplomuar si inxhinier gjeofizik. Greva ishte vetëm e studentëve dhe pedagogëve. Pasi kishte refuzuar emërimin jashtë Tiranës, Paloka thotë për “GSH” se nxitoi para të gjithëve për të hyrë në ambientet ku u zhvillua greva, në kinoklubin e Qytetit Studenti.

Z.Paloka, në çfarë fakulteti studionit dhe cila ishte situata në Qytetin Studenti para grevës së urisë, që çoi në rrëzimin e bustit të diktatorit Hoxha?

Unë kam qenë në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, studentët e të cilit qenë ndër më aktivët si në lëvizjen e dhjetorit, ashtu dhe në grevën e urisë së shkurtit ’91. Kishte ditë që në Qytetin Studenti zhvillohej një protestë e studentëve, kërkesa kryesore e të cilëve ishte heqja e emrit të diktatorit nga universiteti. Fakt është që nuk kishte asnjë reagim nga Ministria e Arsimit të asaj kohe dhe ndërkohë me gjithë përpjekjet e organizatorëve, me kalimin e ditëve, dukej sikur protesta po binte, të paktën në numra. Në ato kushte u mendua radikalizimi nëpërmjet grevës së urisë.

Përse vendosët të hynit në grevë urie?
Të them të drejtën, unë në greve hyra gjysmë “ilegalisht”, pasi nuk isha më student, isha diplomuar si inxhinier gjeofizik disa muaj më parë dhe greva ishte vetëm e studentëve dhe pedagogëve. Hyra madje përpara se të fillonte hyrja ceremoniale. Studentët ndërkohë puthnin flamurin kombëtar të vendosur tek dera pa yllin e kuq, përpara se të hynin në ambientet ku u zhvillua greva.

A kishte dijeni familja juaj për vendimin që kishit marrë dhe a ndjeheshin të kërcënuar?
Familjen e kam njoftuar pas hyrjes në greve dhe ata vinin më pas bashkë me qytetarët e tjerë në Qytetin Studenti. Nuk ka pasur në atë kohë kërcënime apo forma presioni specifike ndaj familjes sime. Ishim në një kohë kur vërtetë Sigurimi i Shtetit vazhdonte të funksiononte, kohë kur u shfaqën edhe të ashtuquajturit “vullnetarë të Enverit”, por ishim dhe tre muaj pasi ne e kishim mposhtur diktaturën, ishte shpallur pluralizmi dhe ishte themeluar Partia Demokratike, anëtar i së cilës, unë isha që në formimin e saj.

Si e kalonit kohën gjatë grevës së urisë dhe cilat ishin kryesisht bisedat që bënit së bashku?
Gjatë grevës së urisë, domethënë tri ditë aq sa zgjati, ngjarjet ishin intensive jashtë, por edhe brenda ambienteve të grevës. Ne kishim edhe një televizor ku ndiqnim lajmet, aq sa jepte Televizioni Publik Shqiptar në atë kohë. Pjesën tjetër, kur kryesisht largoheshin njerëzit që ishin gjatë gjithë ditës në Qytetin Studenti, kemi luajtur edhe me letra. Sigurisht që bisedat tona kryesore lidheshin me atë që prisnim të ndodhte: a do pranonin apo jo ta hiqnin emrin dhe çfarë mund të bënim tjetër ne…

Në atë periudhë është folur sikur z.Sali Berisha ishte kundër grevës së urisë së studentëve, si është e vërteta?
Z.Berisha dhe askush tjetër në Partinë Demokratike nuk kanë qenë kundër grevës së urisë, përkundrazi. Greva nuk mund të bëhej, nëse nuk merrte aprovimin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike dhe Berishës. Ne që ishim në atë grevë, ishim pothuajse të gjithë pjesëtarë edhe të lëvizjes së dhjetorit dhe shumica anëtarë të Partisë Demokratike.

Dhe… cili ishte roli i Azem Hajdarit ato ditë?
Azemi ishte nga më aktivët e drejtuesve të Partisë Demokratike lidhur me kontaktet me grevën. Mbaj mend që një ditë (të dytën në mos gaboj) erdhi i entuziazmuar dhe na tha që fituam. Në fakt, ishte vendosur që do mblidhej Plenumi i Komitetit Qendror të PPSH për të diskutuar kërkesat tona. Ne bërtitëm sa u lodhëm, por më pas rezultoi që kërkesat tona nuk u pranuan.

Çfarë ndodhi pas zhgënjimit?
Natën e parë e kishim kaluar thuajse pa gjumë, sepse kushtet ishin të tilla. Ishim mbi shtatëqind vetë në të dyja sallat e grevës dhe ishim ngjeshur njëri me tjetrin pothuajse në pamundësi për të fjetur. Ishim më tepër të lodhur se sa të uritur. Kur dëgjuam që kërkesat tona nuk u pranuan, patëm disa momente deziluzioni dhe dëshpërimi. Por të nesërmen qytetarët ishin më shumë se kurdoherë. Atë ditë u hodh monumenti i diktatorit Enver Hoxha.

Në ç’mënyrë ushtronte presion regjimi komunist gjatë kohës që ju ishit në grevë urie?
Nuk kishin si të na bënin presion brenda grevës. Të gjithë ishin studentë e pedagogë e njihnim njëri- tjetrin. Në Qytetin Studenti, që nga krijimi i Partisë Demokratike nuk hynin më forca të policisë. Edhe nëse kishte civilë të Sigurimit, ata nuk guxonin të ndërmerrnin akte ndaj nesh. Megjithatë, ideja se mund të ndërhynin për të na nxjerrë jashtë grevës qarkullonte mes nesh, por të mos harrojmë që ishim mbi 700 vetë brenda.

Ndërkohë vinin dhe ju takonin vazhdimisht pedagogët, por cilët ishin ata?
Nga pedagogët, unë mbaj mend që ishin Ylli Vejsiu dhe Omer Stringa. Ata qëndruan me ne gjithë kohës që zhvillohej greva. Duhet të kishte edhe pedagogë të tjerë besoj.

Me cilët nga pedagogët bisedonit më hapur?
Me pedagogët nuk ishte e lehtë të bisedoje hapur edhe pse fakulteti ynë kishte veçori për sa u përkiste marrdhënieve pedagog-studentë. Pedagogët tanë të lëndëve profesionale kishin kaluar vite pune të vështira përpara se të merreshin si pedagogë dhe kjo bënte që të ishim më të afërt. Ne kur të mbaronim fakultetin, na priste një profesion dhe jetë e vështirë dhe pedagogët tanë e dinin mirë këtë. Por të flisje hapur për politikë ishte e vështirë. Sidoqoftë, ishin dy pedagogë me të cilët edhe nëse nuk flisnim hapur, kuptoheshim shumë mirë duke folur me nënkuptime, njëri ka qenë Eftim Dodona dhe tjetra Aida Shehu, bashkëshortja e Tritan Shehut, e cila ishte pedagoge e jashtme, jo e fakultetit tonë.

Kishte studentë që nuk e përballonin dot grevën?
Nuk mbaj mend a kishte studentë që dolën nga greva. Ne në fakt vendosëm që në grevë nuk do hynin të tjerë dhe dera qëndronte e mbyllur. Por kanë hyrë edhe drejtues të Partisë Demokratike dhe gazetarë. Pashkon mbaj mend që ka ardhur. Gazetarë të “Rilindjes Demokratike”, studentë edhe ata. Fevziu hynte e dilte si gazetar. Ndërkohë në grevë isha unë dhe Dritan Islami, që gjithashtu shkruanim në atë kohë në gazetën “RD”.

Cili ishte veprimi i parë i të rinjve pasi dolën nga greva e urisë?
Kërkesat tona u plotësuan pasi u rrëzua monumenti i diktatorit. Unë kujtoj që pasi njerëzit u sulën drejt Tiranës, në Qytetin Studenti nuk mbetën shumë njerëz dhe ne prisnim me ankth të merrnim vesh se çfarë po ndodhte. Mbaj mend që personi i parë që e solli lajmin e rrëzimit të diktatorit ishte një djalë me motor. Ne ishim nga salla që binte në drejtimin e qendrës së Tiranës dhe e pamë të parët. Ai bërtiste e gati hidhej përpjetë me gjithë motor. Ne dëgjonim, por nuk arrinim ta besonim. Madje, edhe dyshonim se mos ishte provokim për të na nxjerrë nga greva. Nuk ishte paranojë, por në atë kohë provokimet ishin të shumta.

…Djali me motor kishte të drejtë dhe nuk ishte një provokim?
Po. Kur e kemi parë rrëzimin e monumentit në lajmet e TVSH-së e kemi përjetuar sikur të ishim edhe vetë në shesh. Nuk arrinim prapë ta besonim. Ndërkohë, qytetarët ishin rikthyer në Qytetin Studenti bashkë me kokën dhe disa copa bronzi nga monumenti i tërhequr zvarrë. Kokën e diktatorit e varëm tek dritaret e grevës. Nga darka, Byroja Politike e vënë para faktit të kryer, pranoi kërkesat tona dhe ne dolëm nga greva treditore.

Cili ishte veprimi juaj i parë?
Kërkova të bëj një foto pranë njërës prej copave të bronzit që kishin mbetur ende para sallës, por aty njerëzit kishin nxjerrë mllefin me të gjitha format. Edhe kishin përmjerrë mbi monument.

Në njërën nga fotot vërej se ju keni formuar shkronjën V…
Po është momenti që do dilnim nga greva dhe bashkë me dy shokë të tjerë kemi hequr shallet tona dhe formuam shkronjë V si simbol të fitores.

Si ishte dita e parë pas grevës së urisë?
Kur u nisëm për në shtëpi, kaluam tek sheshi qendror. Ndaluam tek piedestali bosh. E shihnim e nuk ngopeshim dot me idenë që diktatori nuk ishte më aty. Vetëm një vit më parë, me 28 janar 1990, ne kishim tentuar të bënim demonstratën e parë antiregjim në Tiranë. Kishim mbetur vendi i fundit komunist në Evropë, pas rrëzimit të murit të Berlinit. Kishte pasur protestë në Shkodër, për të cilën ne kishim marrë vesh nga njerëzit tanë atje, por nëse nuk lëvizte kryeqyteti, do të ishte shumë e vështirë. Në ato kushte u organizua e ashtuquajtura demonstratë e heshtur në qendër të Tiranës. Mijëra qytetarë dolën në shesh nën hijen kërcënuese të monumentit të diktatorit me 28 janar. Qindra ishin dhe sampistë e sigurimsa, që kërkonin të kontrollonin sheshin. Disa muaj më vonë, me hapjen e ambasadave, pothuajse të gjithë ata djem që ishin në shesh më 28 janar, u larguan nga Shqipëria dhe ne që mbetem këtu, na u duk sikur regjimi e kishte gjetur mënyrën për të shpëtuar prapë. Por ja ku ishim një vit e pak më pas dhe monumenti ishte fshirë nga faqja e dheut dhe diktatori u tërhoq zvarrë e u përmor nga qytetarët e Tiranës. Kjo më bën të besoj edhe sot tek ndryshimi i shpejtë. Edin Rama si Ramiz Alia dikur, që mendoi se shpëtoi kur kundërshtarët e tij u larguan me ambasadat, mendon sot se duke larguar shqiptarët në emigrim, do ruajë karrigen e tij. Njësoj do ta ketë fundin.

Kur keni dëgjuar për herë të parë për emrin e Edi Ramës gjatë periudhës së protestave?
Rama nuk kishte asnjë lidhje as me protestat e dhjetorit e as me grevën e urisë. Është e vërtetë që në periudhën përpara dhjetorit në Institutin e Lartë të Arteve, një grup pedagogësh dhe studentësh, pjesë e të cilëve ishte edhe Rama, organizonin takime ku flitej për tema që deri vonë kishin qenë tabu, por që nuk shkonin më larg se sa debatet kulturore. Sigurisht që për një vend ku deri vonë përfundoje në burg edhe për një fjalë goje, ku dëgjimi i muzikës së huaj konsiderohej krim dhe veshja jashtë formatit të caktuar nga partia ishte herezi, ato takime ishin mëse interesante, por vetëm kaq.

Që do të thotë…?
Sepse për hir të së vërtetës, duhet thënë që pas vdekjes së Hoxhës, Alia u përpoq të krijonte një ambient më të liberalizuar, sidomos për sa i përket muzikës apo veshjes. Kështu ishte hapur një stacion tjetër radioje, që transmetonte muzikë të huaj. Në Tiranë ishte bërë dhe një koncert i Albanos dhe Rominës nën kontrollin e rreptë të partisë. Pra, të flisje për “Beatles” apo John Lenon nuk ishte me një tabu aq sa për t’u mburrur sot Rama se ka bërë ndonjë akt të fortë disidence. Në Tiranë, ata që dhe Rama ka qejf t’i përmendi si “çuna Tirone” e që në fakt për aq sa mundnin, bënin “disidencën” në atë kohë, njiheshim të gjithë me njëri-tjetrin. Rama nuk ka qenë kurrë një prej “çunave të Tironës”, përkundrazi. Sigurisht që ishte i njohur në Tiranë, sepse i ati ishte skulptor i njohur dhe në strukturat e larta të PPSH-së, por Rama vetë ishte më tepër objekt talljeje tek “bordura”, që ishte “selia” e “çunave të Tironës”. Ishin këta çuna që organizuan 28 janarin e më pas shpërthyen ambasadat.

Megjithatë, z.Rama ishte pjesë e lëvizjes për demokraci?
Rama nuk ka qenë asnjëherë pjesë e këtyre lëvizjeve. Edhe në dhjetor, siç kam mësuar më pas, nuk ka qenë fare në Shqipëri, kishte shkuar me vizë në Greqi.

Kur e keni parë z.Rama të aktivizuar me lëvizjen? Z.Berisha ka deklaruar se Rama kërkoi varjen e të gjithë komunistëve…
Hera e parë që unë e kam parë të aktivizuar, ka qenë pikërisht rasti që përmend edhe Berisha, një miting para stadiumit “Qemal Stafa”. Është e vërtetë që na bëri përshtypje fjala e tij, sepse ishte ekstreme. Pavarësisht se ishte formuar Partia Demokratike, ende fjalori që përdorej publikisht nga ne ishte i kujdesshëm, sepse komunistët ishin ende në pushtet dhe acarimi i situatës mund të çonte në luftë civile. Në ato kushte, deklarata e Ramës për të varur gjithë komunistët, edhe pse një pjese prej nesh iu duk e fortë dhe e guximshme në atë moment, po ta mendoje pak më gjatë, ishte tejet e dëmshme dhe e rrezikshme. Kishim pothuajse të gjithë anëtarë të Partisë së Punës në familje pas 50 vjetësh sundim të komunizmit. Unë nuk di të them as sot nëse Rama atë deklaratë e bëri për t’u dukur e për bujë apo me qëllim, por e vërteta është që ishte një akt i rrezikshëm, që mund ta dëmtonte shumë për të mos thënë e shkatërronte Partinë Demokratike.

    Pas studimeve, si rrodhi jeta juaj? Si u bëtë pjesë e gazetarisë dhe politikës?
    Pasi mbarova fakultetin, unë u emërova të punoja diku larg Tiranës. Kjo rreth muajit shtator të ’90, në mos gaboj. Nuk pranova të shkoj. Në dhjetor u angazhova që ditët e para, më saktë që gjatë protestës së 9 dhjetorit tek Liceu Artistik. Protesta kishte filluar një natë më parë në konviktet e Qytetit Studenti. Më pas isha një nder ata që firmosën për krijimin e PD-së dhe në vazhdim kam qenë gjithë kohën i angazhuar në PD si anëtar i PD-së, më vonë anëtar i Këshillit Kombëtar, nga 1994 dhe nga 1999 edhe anëtar i kryesisë së PD-së në vazhdimësi. Edhe gazetarinë e fillova me daljen e gazetës “Rilindja Demokratike”. Përveçse gazetarëve me përvojë, në ‘RD’ u krijua një grup me studentë që shkruanin. Sot ata janë ndër gazetarët dhe drejtuesit më të mirë të gazetarisë në Shqipëri. Edhe unë fillova të shkruaj në ‘RD’ që në fillimet e saj dhe vazhdova deri në ’99 kur kalova si zëdhënës i Sali Berishës në Partinë Demokratike. Praktikisht edhe në gazetari, edhe në politikë jam që me lindjen e pluralizmit dhe shtypit të lirë në Shqipëri pas diktaturës.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco