Përfundon mandati i Kryeprokurorit, mblidhet Komisioni i Ligjeve

Përfundon mandati i Kryeprokurorit, mblidhet Komisioni i Ligjeve

11:52, 07/12/2017
A+ Aa A-

Komisioni i Ligjeve të Kuvendit është mbledhur lidhur me përfundimin sot të mandatit 5-vjeçar të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llallës dhe zgjedhjen e Prokurorit të ri.

Ulsi Manja, kryetari i komisionit tha se “mandati 5-vjeçar përfundon sot për të, ndërkohë që Kushtetuta aktuale ka parashikuar një rregullim të ri, sipas të cilit prokurori i ri zgjidhet ndërmjet tre kandidatëve për një mandat 7-vjeçar pa të drejtë riemërimit.

Formulimi nuk ka parashikuar zgjatjen e afatit, por përfundimin e mandatit të tij 5-vjeçar. Më lejoni të sjell në vëmendje, - tha Manja, - se këtë qëndrim ka mbajtur edhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese."

Por, Partia Demokratike i ka kundërshtuar procedurat e nisura për zëvendësimin e Adriatik Llallës, Prokurorit të Përgjithshëm. MNë ltrën dërguar sot Kuvendi, PD shkruan se ka shkelje të Kushtetutës dhe ja se ku:

Fakti i parë: Kushtetuta e thotë qartë: Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk konstatohet nga Kuvendi i Shqipërisë, por vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kjo kompetencë e KLP parashikohet në pikën 2 të nenit 148/c të Kushtetutës, ku thuhet se “Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.

PD vlerëson se deri në ngritjen e KLP-së dhe plotësimit të boshllëkut kushtetues dhe ligjor është e pamundur që Kuvendi të marrë kompetencën e një institucioni të pavarur të drejtësisë.

PD shprehet se ajo nuk ka qëndrim përfundimtar për çështjen e kohëzgjatjes së mandatit nga 5 në 7 vjet të Prokurorit të Përgjithshëm. Përgjigjen për këtë dilemë nuk mund ta japë politika, por e jep vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë si institucioni i vetëm që deklaron mbarimin e mandatit.

PD vëren se një situatë të ngjashme për Inspektorin e Lartë te Deklarimit të Pasurive, kjo mazhorancë e zgjidhi duke ia zgjatur mandatin nga 5 vjet që e kishte me ligjin e vjetër, në 7 vjet me ligjin e ri. PD i sjell në vëmendje mazhorancës se nuk mund të bëjë interpretime të ndryshme të një situate të njëjtë në varësi të qëllimit të saj për të kontrolluar politikisht zyrtarin përkatës.

Fakti i dytë: Neni 109 i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm pasi ai parashikon zgjedhjen e një Prokurori të Përkohshsëm vetëm kur Prokurorit në detyrë i ndërpritet mandati para kohe. Aktualisht nuk ekziston një rrethanë e tillë. Edhe nëse do të ishim në rrethanat e ndërprejes së mandatit, neni 109 për Prokurorin e Përkohshëm, përcakton se  duhet të përmbushen dy kushte:

1- Kandidatët për Prokuror të Përkohshëm të Përgjithshëm duhet të kenë kaluar me sukses procesin e vetingut.

2- Kryeprokurori i Përkohshëm zgjidhet me votat e 3/5 e anëtarëve të Kuvendit.

Në përfundim, PD shprehet se:

Të merret vlerësimi/opinioni i Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë mbi zgjidhjen e boshllëkut/ngërçit kushtetues apo ligjor.

Deri në plotësimin e boshllëkut kushtetues dhe ligjor apo deri në krijimin e KLP, është e pamundur që të procedohet me zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm, qoftë ky edhe i përkohshëm.

Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet i përfunduar vetëm nga KLP dhe neni 109 është i pazbatueshëm. Për këtë shkak PD kërkon nga mazhoranca ndërprerjen menjëherë të procedurës që ka nisur në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.

PD thotë se “Çdo veprim i kundërt nga mazhoranca do të ishte provë e qartë e vullnetit të saj të hershëm për kapjen politike të organeve të drejtësisë, përfshirë edhe prokurorinë”.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco