Tropojë, përurohet shtatorja madhështore e Azem Hajdarit, marrin pjesë personalitete të shquara

Tropojë, përurohet shtatorja madhështore e Azem Hajdarit, marrin pjesë personalitete të shquara

11:32, 27/10/2017
A+ Aa A-

U përurua sot në Bashkinë e Tropojës, shtatorja madhështore e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdarit. Në përurimin e saj merrnin pjesë personalitete të rëndësishme të vendit dhe rajonit.

Në krah të kryebashkiakut Besnik Dushaj, ishin Kryetari i PD, Lulzim Basha; ish-Kryeministri Sali Berisha ish-kryeministri Sali Berisha; kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi; Princi Leka I; Daut Haradinaj etj.

Ceremoninë e hapi me fjalën e tij, kryebashkiaku i Tropojës, Besnik Dushaj, i cili tha: "Djalin tonë të bukur e përcollëm të ri, - tha Dusha, - dhe na u kthye në bronx. Azem, ti je gjallë dhe faleminderit që na dha mundësitë të ëndërrojmë".  Kryebashkiaku Dushaj ia dha fjalën në vijim, Kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës.

NGA FJALA E Z. LULZIM BASHA

Kam ardhur me gëzim dhe dëshirë të madhe në këtë festë të bukur, në këtë ditë solemne të rikthimit të përjetshëm të Azem Hajdarit, në vendlindjen e tij të dashur, në Tropojën e tij të shtrenjtë.

Këto male, e di janë plot me heroizëm dhe lavdi shqiptare që shkon thellë në histori. Azem Hajdari është heroi më i ri, është një maje e lartë e këtij panteoni të historisë e kombit tonë. Ai është  udhëheqësi i Lëvizjes Studentore demokratike dhe intelektuale të Dhjetorit 1990.

Tropojës i takon nderi t’i ketë dhënë kësaj lëvizje historike që hapi epokën e demokracisë europiane në Shqipëri edhe liderin e Studentëve të Dhjetorit, Azem Hajdarin, edhe liderin historik të demokracisë shqiptare Sali Berishën.

Azem Hajdari e shënoi hapjen e epokës së re të demokracisë shqiptare, e shënoi që nga çasti kur në emër të studentëve që u ngritën bashkë me të dhe me thirrjen e tij kundër diktaturës komuniste kërkoi vendosjen e pluralizmit politik në Shqipërinë e telave me gjemba e deri kur armiqtë e lirisë e goditën pabesisht, për ta ndarë në mes të një rruge të gjatë betejash, arritjesh, sfidash dhe sakrificash nga gjiri ynë. Beteja, sakrifica dhe sfida për të ruajtur busullën dhe kursin perëndimor të demokracisë së brishtë shqiptare.

Azem Hajdari është nga brumi i atyre heronjve që me kalimin e kohës e tresin brenda emrit të tyre çdo epitet që mund të thuhet për ta. Azemi është uragani, është tribuni, është guximi, është trimëria, është frymëzimi, është liria, është shqiptaria. Emri i tij është personifikimi i këtyre vlerave që mishërojnë dhe lartësojnë njeriun, shqiptarin, atdhetarin. Si bir i familjes ku i lind dhe i krahinës ku u rrit, Azem Hajdari ju përket ju, i përket Tropojë dhe ju jeni krenarë për birin tuaj. Si udhëheqës politik Azem Hajdari i përket Partisë Demokratike të Shqipërisë, themelues dhe kryetari i parë i së cilës ishte. Demokratët janë dhe do të jenë përherë mirënjohës dhe krenarë me prijësin e tyre të orëve të para, me tribunin e tyre të pavdekshëm. Si heroi i demokracisë Azemi i përket gjithë Shqipërisë, i përket gjithë kombit.

Sa më shumë shkon koha, Azem Hajdari fiton përmasat e një figure politike të papërsëritshme, që afron, që bashkon, që frymëzon me shembullin dhe veprën e tij. Shqiptarët i detyrohen shumë me mirënjohje dhe nderim për gjithçka bëri  e dha për lirinë e të gjithëve ne. Duke i prirë betejës së madhe fisnike dhe heroike për lirinë e të gjithëve Azemi fitoi përjetësinë. Ky është fati i luftëtarëve të lirisë. Kjo përmendore që ngrihet sot në nderim të tij është vetëm njëra prej përmendoreve në mbarë vendin, në mbarë kombin.

Në fakt përmendoren më të madhe të Azemit e kemi e në zemrat dhe mendjet tona. Këtu në zemrat dhe mendjet tona Azem Hajdari vazhdon të  na ndriçojë rrugën. Këtu në mendjet dhe në zemrat tona Azemi na flet sikur të ishte i gjallë. Sepse këtu është dhe do të mbetet i gjallë përherë.

Në mendjen dhe në zemrën time, në mendjet dhe zemrat e mbarë rinisë shqiptare kujtimi i ndritur i Azem Hajdarit vjen me mesazhin e gjallë e frymëzues se Liria nuk është një dhuratë e përjetshme, se liria u përket atyre që e duan dhe e çmojnë si më të shtrenjtën gjë në jetë, se Liria shërbehet e duhet të shërbehet me përkushtim e sakrifica. Se liria fitohet e mbahet me beteja duke shkuar çdo ditë në luftë për të. Se liria është mision për drejtuesit politikë.

Ky është Azemi i pavdekshëm i mendjeve dhe zemrave. Por sa  bukur ta shohim sot në një vepër arti, në një përmendore si kjo që u lartësua në qytetin e tij të lindjes. Kështu kthehen heronjtë. Do ta keni në mesin tuaj, do të zgjoheni e ngryseni me të, me bashkëqytetarin tuaj të përjetshëm. Tropoja është sot më e bukur me përmendoren e Azem Hajdarit. Mirënjohjen time për artistin Isa Baliaj."

Pas Bashës, iu dha fjala ish-Kryeministrit Berisha.

NGA FJALA E Z.SALI BERISHA

"Jemi mbledhur sot këtu së bashku për të nderuar djalin, burrin, birin e kësaj treve, që na dha nder ne më shumë se kushdo tjetër, që na dha dinjitet ne më shumë se kushdo tjetër, që u dha shqiptarëve nder dhe dinjitet kudo që ndodhen, më shumë se çdo burrë tjetër, çdo djalë tjetër, çdo bir tjetër, për të nderuar legjendën e lirisë së kombit tonë, Azem Hajdarin.

23 vjet më parë biri i shquar i Tropojës dhe mbarë kombit shqiptar, një student i thjeshtë, që përjetonte të gjitha mundimet e kohës, do të kthehej, do të shndërrohej në një kreshnik të vërtetë të maleve tona, do të shndërrohej në legjendën e vërtetë të guximit tuaj, të guximit të malësorëve të Tropojës dhe mbarë shqiptarëve, do ngrihej si luan mbi supet e bashkëmoshatarëve të tij dhe përballë mitrolozeve, përballë autoblindave, përballë dhëmbëve të diktaturës më të egër të Europës, do të brohoriste “Liri Demokraci”, do të shkallmonte dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët, do të shkallmonte dyert e mbyllura të dinjitetit për shqiptarët dhe do bënte që shqiptarët në Tropojë, në Gjirokastër, shqiptarët kudo të ngrihen fuqishëm si njerëz të lirë, si njërëz krenarë, si njerëz me besime të mëdha te vetja, Zoti dhe Shqipëria.

Vëllezër dhe motra!

Azem Hajdari përbën në historinë e këtij kombi përsonalitetin më të jashtëzakonshëm të tij sepse ai, me një grup studentësh, me një grup prej 1000 studentësh do të ndante epokat dhe historinë, do të ndante shqiptarët nga diktatura, do t’u printe në rrugën e lirisë me parrullën, me motivin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”! Ai vuri për ne jetën e tij, vuri për ne ëndrrën e tij, guximin e madh, triumfin e liderit liberator.

Azem Hajdari është personalitet i jashtëzakonshëm i historisë tonë, sepse është i vetmi që jetoi si legjendë për trimërinë e tij, dhe legjendë mbeti në përjetësinë e tij. Jetoi si tribun në jetën e tij, tribun mbeti në përjetësinë e tij. Sot pra ne kemi Azemin e këngëve, Azemin e historisë, Azemin e shtatoreve, Azemin e portreteve, Azemi që e njohëm dhe që mbush me krenari zemrat tona. Por kemi dhe Azemin e ëndrrës së pavdekshme të shqiptarëve, frymëzues në çdo moment, në çdo rrethanë për guximin që ata duhet të dëshmojnë.

Azem Hajdari me studentët liberator, në dhjetor të vitit ‘90 bëri që çështja kombëtare, nga një çështje e tradhëtuar, nga një çështje e shkelmuar, nga një çështje e harruar të shndërrohet në yllin polar të shqiptarëve. Dhe sot, falë përpjekjeve mbinjerëzore të presidentit Rugova, luftëtarëve të lirisë, që skuqën Kosovën me gjakun e tyre, kombi është i lirë, më i lirë se kurrë, më i sigurtë se kurrë në të ardhmen e tij.

Azem Hajdari jeton dhe do jetojë përjetë në idealin e lirisë, në ëndrrën më të bukur të çdo qytetari, të çdo vajze, çdo djali, çdo të riu, çdo burri, çdo gruaje të kësaj toke, që do të ndjehet i barabartë, i lirë, me dinjitet, koklartë.

Ndaj dhe sot ai është një apel, një frymëzim, sepse pas 27 vitesh, nuk mund të mos mohojmë se një vello e zezë ka mbuluar Shqipërinë, dhe kjo vello e zezë është velloja e narkotikëve, e cila bën shqiptarët të mos marrin dot vendimet e tyre, bën votën e shqiptarëve të mos vendosë për fatin e tyre, bën emrin e tyre të mos shkëlqejë midis kombeve të tjera. Por sot ne jemi këtu, më të vendosur se kurrë, të frymëzuar nga Azem Hajdari për t’u ndarë dhe nga kjo e keqe, për t’u ndarë nga çdo e keqe që nuk meritojmë, për të ecur të sigurtë drejt hapsirave europiane që ne meritojmë.

“Shqipëria Europiane” ishte ëndrra e Azem Hajdarit, “Shqipëria Europiane” është ëndrra e fëmijëve tanë, është ëndrra jonë, të luftojmë së bashku për t’a bërë atë realitet sa më shpejt!

Miqtë e mi, edhe një herë dua të përulem me nderim të madh para secilit prej jush për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë dhe i jepni lirisë, demokracisë, për birin e shquar që i dhatë kombit, tribunin legjendar Azem Hajdari. i përjetshëm kujtimi i tij.

Më lejoni të falenderoj nga zemra të gjithë ata që sponsorizuan, që bënë të mundur derdhjen, ajo në fakt është në bronx por duket si në shkëmb. Falenderoj skulptorin Isa Baliaj, i cili na ka prurë Azemin si të gdhendur nga thellësitë e Alpeve për t’a vendosur këtu në qytetin e tij, të prehet përjetësisht në zemrat e qytetarëve shqiptarë, të prehet përjetësisht në këtë shesh, në këtë qytet. Edhe një herë nder përjetë kujtimit të heroi tonë legjendar Azem Hajdari!"

NGA FJALA E ZNJ. MONIKA KRYEMADHI

"Rruga drejt demokracisë ka pengesat e veta dhe Azemi ishte një nga ata që i kapërcente ato. Herë me lehtësi, herë me vështirësi. Por ai nuk u tremb kurrë nga pengesat. Dhe prandaj sot pas kaq shumë vitesh kujtohet ende si politikani guximtar që nuk hoqi kurrë dorë nga betejat e tij."

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Oxhacka28/10/2017 21:19

O xhacka;pse; ekane bere; shtatoren; qe nuk; ngjane fare; meAzeminpor; me ENVER HOXHEN?Kish thane skulptori; kur te ju doje; me pak ndryshim; e kethej direkt ; te ENVER HOXHES; kete shtatore!

xhacka27/10/2017 11:41

O Legjendar. O i Madh . I madh Azemi I madh Saliu.. I Madh Lulezim Basha . heronj

Shto koment

Denonco