KLD: Të verifikohet urgjent si u lirua trafikanti i 5 tonëve drogë në Vlorë

KLD: Të verifikohet urgjent si u lirua trafikanti i 5 tonëve drogë në Vlorë

14:14, 12/10/2017
A+ Aa A-

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur të verifikojë sesi u lirua Rakip Arapaj, trafikanti i 5 tonëve kanabis nga Gjykata e Vlorës, me vendim të gjyqtarit Arqile Basho.  Në një njoftim zyrtar lëshuar sot nga ky institucion thuhet:

 "KLD ka ndjekur me vëmendje informacionet e transmetuara në median e shkruar dhe vizive mbi lirimin nga paraburgimi të shtetasit R.A të hetuar, në masë sigurie arrest me burg, për mbi 5 tonë lëndë narkotike në fshatin Llakatund, Vlorë, duke theksuar se vendimi gjyqësor për lirimin e tij, dhënë nga gjyqtari A.B. i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka probleme serioze me ligjin.

Ne këto kushte, pasi u shqyrtuan paraprakisht të dhënat e transmetuara në media, si dhe kuadri ligjor në fuqi, konkretisht dispozitat e Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH”, është çmuar se ka vend për verifikimin e rastit në fjalë. Inspektorati i KLD-së, ka filluar verifikimit për mbledhjen e të gjitha provave të nevojshme që hedhin dritë mbi faktet e ekspozuara në ankesën publike, duke i kërkuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë paraqitjen e të gjitha vendimeve dhe procesverbaleve mbi procesin gjyqësor të zhvilluar ndaj të pandehurit R.A lidhur me caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” dhe lidhur me lirimin e tij nga paraburgimi.

Në vijimësi KLD, nisur edhe nga ndjeshmëria e madhe që ka çështja, do të bëjë publike rezultatet e dala nga monitorimi."

OPERACIONI KU U ARRESTUA RAKIP ARAPAJ

Në 13 korrik 2017, një operacion policor u zhvillua ne Llakatund të Vlorës dhe u sekuestrua një sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike në 3 banesa dhe u arrestuan 9 shtetas, ndër këta 2 punonjës policie dhe 1 kryeplak fshati

Në këtë operacion masiv kanë marrë pjesë rreth 150 forca policie, kryesisht efektivët e DVP Vlorë në bashkëpunim me FNSH-n e Fierit, dhe Specialistë të SH.Ç.B.A-së. Si rezultat i veprimeve të kryera në mënyrë të mirëorganizuar është bërë ndërhyrja nëpër banesat e sinjalizuara nga informacionet policore që dyshohej se në këto banesa mund të kishte lëndë narkotike.

Nga kontrolli i ushtruar në këto banesa, shërbimet e policisë kanë konstatuar sasi të konsiderueshme me lëndë narkotike nëpër dhoma, në formë presimi dhe çokollate, të ndara nëpër pako dhe thasë plastikë të zinj. Është konstatuar një bazë e gjërë materiale si; 3- presa, sita, përbërës kimikë, vaj hashashi etj,,, të cilat shërbenin jo vetëm për presimin e lëndës narkotike por edhe të përpunimit të saj me përbërës kimikë duke i dhënë formën e çokollatës etj.

Janë sekuestruar 5 armë zjarri Automatik Kallashnikov. Janë bllokuar dhe sekuestruar 4 automjete: ML-Benz, Mitsubishi, Jeep dhe Furgon.

Gjatë operacionit është zbuluar një parcelë e kultivuar me bimë narkotike në oborrin e banesës të një punonjësi policie, konkretisht:

Në banesën e Inspektorit të Policisë Lirim Lamaj, në oborr u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 270 bimë të mbjella, të dyshuara si Cannabis Sattiva.

Nga hetimet e menjëhershme intensive, në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar dhjetëra persona, prej të cilëve janë arrestuar në flagrancë 9 prej tyre, si autorë të dyshuar përgjegjës dhe të implikuar në këtë veprimtari, si më poshtë:

1- Inspektor Lirim Lamaj, 49 vjeç, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Vlorë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Shpërdorim detyre” parashikuar nga nenet 284 e 248 të Kodit Penal.

2- Inspektor Avdyl Sinanaj, 56 vjeç, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

3- Astrit Lamaj (vëllai i Lirim Lamaj-t), 37 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë, arrestuar për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.

4- Balil Gjata, 69 vjeç, banues në fshatin Drithas të Njësisë Administrative Shushicë, Vlorë, me detyrë Kryeplak i fshatit Drithas. Arrestuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.

5- Myzafer Tushaj, 66 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë.

6- Ervin Tushaj, 42 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë. (Babë e birë, të cilët kishin strehuar lëndën narkotike në banesën e shtetasit Z.A).

7- Rakip Arapaj, 58 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë , iu gjet sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike në banesën e tij).

8- Kudret Tushaj, 71 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë. 9- Elion Tafili, 43 vjeç, banues në fshatin Llakatund, Vlorë. (Babë e birë, i’u është gjetur një pjesë e lëndës narkotike në banesën e tyre në fshatin Drithas).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco