Emisioni Plug u transmetua më 29 prill 2026 në Syri TV
Pjesa e dytë
Sot do vazhdojmë të merremi pikërisht me hallkat e skemës korruptive, të ngritur jo nga shoqëria siç përpiqet ta relativizojë kryeministri por nga Belinda Balluku me bekimin e Edi Ramës. Por përpara kësaj, do ju sjellim disa prej këtyre skandaleve, që bazë kanë Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës.
Plug ka investiguar gjatë tre sezoneve dhjetëra afera korruptive, ku shumë prej tyre lidhen direkt me ministrinë e drejtuar nga Belinda Balluku. Skandali i parë i denoncuar, ishte skema e krijuar nga Evis Berberi, me kompaninë NET Group dhe DAAM shpk. Nëpërmjet këtyre kompanive, Evis Berberi arriti të marrë mbi 4 milionë euro tendera, ndërsa denoncimi dhe hetimi më pas nga SPAK i kësaj hallke, do të hapte “kutinë e Pandorës” për skemat korruptive që përshijnë një numër të madh vartësish direkt të Belinda Ballukut dhe atë vet.
Plug ka investiguar drejtorin e Aviacionit Civil Shqiptar, Maksim Ethemaj, ku nëpërmjet një kompanie të regjistruar në emër të familjarëve të tij, ai u bë përfitues i një license për park fotovoltaik nga Belinda Balluku. Për të siguruar financimin e ndërtimit të këtij parku fotovoltaik, Ethemaj gjeti para hua te kompania 4AM. Kjo e fundit, është një nga kompanitë e preferuara të Belinda Ballukut. 4AM, është denoncuar gjithashtu nga emisioni Plug, për përfitimin e mbi 240 milionë euro fonde nga dhjetëra tendera publik, shumë prej të cilëve janë tendera të marrë nga Ministria e Infrastrukturës dhe institucione varësie të Belinda Ballukut. Sot, edhe kjo kompani është nën hetim nga SPAK për abuzimin me tenderat, ndërsa ka përfituar gjithashtu edhe licensa në fushën e energjisë.
Dhe fusha e energjisë ka qenë sektori me të cilin Belinda Balluku, ka ushqyer jo vetëm interesa ekonomike të kompanive private, por edhe politike. Një prej tyre është dhe Fatmir Xhafaj, i cili duket se pas rënies së Erion Veliajt në burg, është afruar me Belinda Ballukun. Familjarët e Xhafajt kanë përfituar nga Belinda Balluku një leje ndërtimi për park fotovoltaik në bashkinë e Fierit. Kjo leje është dhënë pikërisht për kompaninë e vajzës së Fatmir Xhafajt por dhe dhëndrit të tij, Ditjon Baboçi i cili më parë ka qenë gjithashtu bashkëpunëtor i Veliajt në bashkinë e Tiranës. Leje ndërtimi së bashku me Baboçin ka përfituar edhe Gramos Sako, pronari i kompanisë 2T, dhe njëherazi vëllai i kryetarit të bashkisë Tepelenë Artan Sako. Të gjitha këto janë dhënë në një tokë të falur nga Armando Subashi, në shkelje të plotë të ligjit.
Në fushën e Energjisë, një nga skandalet më të mëdha të denoncuara nga Plug, është ajo e Tigrit 1 dhe Tigrit 3, që u sollën në Vlorë për të prodhuar energji elektrike. Sipas investigimit të kryer nga Plug, kostotja totale e dy teceve lundruese, do të shkojë në rreth 120 mln dollarë, ndërsa për sjelljen e tyre në Shqipëri u angazhua direkt Belinda Balluku dhe ish-ambasdorja e SHBA, Yuri Kim. Skandali qëndron në faktin, se pavarësisht kostove qindra milionë euro, sot dy TEC-et lundruese thuajse nuk punojnë, ndërsa për vitin 2025 kanë prodhuar energji vetëm sa për tre ditë të konsumit të brendshëm të vendit.
Aferat ku Belinda Balluku gjithashtu është e përfshirë në mënyrë direkte, të denoncuara nga Plug, janë ato me ndërtimin e rrugëve kombëtare. Emisioni Plug ishte i pari që denoncoi skandalin me tunelin e Llogarasë, duke zbuluar jo vetëm se ARRSH kishte kualifikuar si fitues një bashkim kompanish që nuk plotësonin kriteret e tenderit, por zbuloi se kostot e kësaj vepre u rritën me 50 milionë euro. Lidhur me këtë aferë, Plug zhvilloi disa investigime, ku zbuloi gjithashtu se veç ndërtimit, edhe tenderat e projektimit dhe supervizimit, janë kryer në shkelje të plotë të ligjit. Skandali kryesor qëndron në faktin se tuneli i Llogarasë u ndërtua pa dy ura, të cilat ishin pjesë e projektit, ndërsa edhe sot SPAK ka heshtur për këtë skandal.
Belinda Balluku është gjithashtu ministrja që ka firmosur ndërtimin e rrugëve si ajo Korçë-Ersekë, Qukës-Qafë Plloçë, Rruga e Arbërit, Korridori i VIII Elbasan-Qafë Thanë, dhe akse të tjera kombëtare, vlera e të cilave ka shkuar në disa qindra milionë euro, por në të gjitha këto projekte, jo vetëm dyshohet se fituesit e tenderave janë paracaktuar, por rrugët u ndërtuan pa cilësi duke përfunduar të gjitha në greminë.
Qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shumë se 120 milionë dollar për dy TEC-et lundruse, që nuk kanë prodhuar asnjë kilovat orë energji elektrike në Vlorë. Emisioni Plug në shkurt të 2025 investigoi aferën ku është e përfshirë ministrja e energjisë Belinda Balluku. Të dhënat tregojnë se KESH ka shpenzur deri më tani 40 milionë dollarë për infrastrukturë dhe karburantin e anijeve, ndërsa kostoja totale e mbajtjes për dy vjet TEC-eve lundruse në Shqipëri kap shifrën e 120 milionë dollarëve. Dyshime të forta hidhen edhe mbi një prej pronarëve përfitues të këtyre anijeve, i cili ka 10 % të aksioneve por identiteti nuk bëhet i ditur, teksa lidhjet e tij shkojnë deri në Iran.
© SYRI.net