Pse Shqipëria nuk hap negociatat me BE

Pse Shqipëria nuk hap negociatat me BE

Nga Lavdrim Lita - 02/10/2017

Jetojmë në një kohë kur procedura e daljes së Britanisë së Madhe nga BE, vala e emigrantëve nga Afrika e Veriut së bashku me provokimet asimetrike ruse në vendet Balltike, janë tre pikat e çdo agjende me të cilën merret çdo ditë institucionet e BE dhe kancelaritë europiane. Zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Europian drejt vendeve të Ballkanit është kthyer në një temë tabu për këtë mandat të Komisionit Europian.

Megjithatë KE i drejtuar nga presidenti Jean-Claude Juncker ka lënë të hapur derën për antarësim të shpejtë të Serbisë dhe Malit të Zi brenda 2025, në qoftë se plotësohen disa kushte, ku njohja pavarësisë së Kosovës është e fundit. Ndërsa përparimi i Shqipërisë dhe liberalizimi i vizave të Kosovës nuk janë gjëkundi në strategjinë e pritshme të zgjerimit të BE.

Raporti i përvitshëm i BE mbi Shqipërinë këtë vit pritet të vleresojë disa përparime të rëndësishme në reformën në drejtësi dhe njohjen e zgjedhjeve parlamentare nga opozita. Pavarësisht pikëpamjeve pozitive, çelja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian nuk do të ndodhë as këtë vit për një sërë arsyesh.

Shumë vende anëtare të BE si Gjermania, Franca dhe Hollanda, që kanë një zë të fuqishëm në Këshillin e Europës, janë shprehur spektike për përmbushjen e 5 prioriteteve të Shqipërisë. Mbi të gjitha çelja e negociatave varet nga Reforma në Drejtësi, e në veçanti nga rezultatet e para të zbatimi i Ligjit të Vetingut.

Në Gjermani, CDU-ja e Kancelares Merkel ka marrë disa goditje në zgjedhjet e fundit parlamentare për shkak të politikës së saj të dyerve të hapura për azilkërkuesit. Qartësisht Gjermania, Franca dhe Hollannda nuk janë të bindura për politikën e frenimit të azilantëve, dmth aq sa duhet për t’i dhënë dritën jeshile Shqipërisë për të hapur negociatat. Brenda mbledhjeve me dyer të mbyllura të zyrtarëve të Këshillit Europian, është ngritur si rrallë më parë kundër çeljes së negociatave edhe Greqia dhe Qipro. Po ashtu, Spanja, Hollanda dhe Britania e Madhe janë shprehur se duhet bërë përparim në 5 prioritet kyçe të lëna nga Komisioni: Vazhdimi për zbatimin e reformës në administratën publike, veprime për pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit, vendosmëri në luftën kundër korrupsionit, të bëjë më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar dhe masa për të forcuar të drejtat e njeriut, komunitetit romë, dhe zbatimin e të drejtave të pronarëve.

Padyshim, autoritet shqiptare do të duhet të lobojnë shumë më shumë pranë këtyre vendeve për të marrë një përgjigje pozitive. Tashmë është e qartë që opinionet publike në Gjermani, Francë, Greqi, Hollandë, Spanjë, Qipro, Hollandë apo edhe vende të tjera, nuk janë në favor të zgjerimit të Bashkimit Europian sepse janë të ndikuara nga debati mbi imigracionin e pandalshëm, terrorizmin dhe rritjen e papunësisë. Dhe zgjerimi i BE nuk do të ndodhë kurrë më kukafshehti.

Çdo qytetar i Bashkimit Europian do të pyeste veten nëse ka ndonjë dobi reale antarësimi i shpejtë i vendeve të ashtë quajtura kandidate për në BE. Dobia e reale e Shqipërisë si vlerë e shtuar për institucionet, tregun dhe shoqërinë e BE-së nuk është adresuar seriozisht nga vendimmarrësit institucionalë dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile.

Sido që të jetë, Bashkimi Europian dhe së fundmi SHBA po u thonë shqiptarëve, në gjuhë diplomatike, qeverisë dhe shqiptarëve, se mbështetja konkrete nuk do të mungojë nëse do të ketë përpjekje të dukshme për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, që e afrojnë vendin me BE.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco