SHBA e ka mësuar Korenë e Veriut t’i injorojë kërcënimet

SHBA e ka mësuar Korenë e Veriut t’i injorojë kërcënimet

Nga Mark Sauter - 30/09/2017

Koreja e Veriut i konsideron kërcënimet e presidentit Trump si “zhurma e një qeni që leh”.

Ja pse.

Për dekada me radhë, Pheniani ka kërcënuar, kapur e vrarë amerikanë (si dhe aleatë koreanojugorë), pa pësuar as edhe një goditje ushtarake amerikane si kundërpërgjigje. Në çdo krizë, kokat e politikës së jashtme amerikane kanë këmbëngulur se rreziku i një përgjigjeje masive nga Koreja e Veriut ishte shumë i madh; se ndërsa Amerika është e aftë për vetëpërmbajtje ushtarake, Pheniani jo dhe aq.

Kështu që përgjigjja e Amerikës për plumbat e predhat ka qenë me fjalë, manovra ushtarake dhe, vitet e fundit, sulme kibernetike dhe sanksione ekonomike. Dy të fundit kanë shkaktuar dhimbje dhe Presidenti Trump i ka forcuar sanskionet aq sa për të tërhequr vëmendjen e Pekinit. Por asnjë nga këto nuk e kanë bindur Kim Jong Un se asetet e tij nukleare apo jete e tij janë në rrezik.

Shihni përgjigjen e Kimit ndaj kërcënimeve të fundit amerikane. Ende pa hyrë në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i zgjedhur Trump shkroi në Twitter: “Koreja e Veriut sapo deklaroi se është në fazat finale të zhvillimit të armëve bërthamore të afta të arrijnë pjesë të SHBA. Nuk ka për të ndodhur”. Por ndodhi.

Në gusht, presidenti paralajmëroi: “Zgjidhjet ushtarake janë plotësisht gati, të mbushura e gati për zjarr, nëse Koreja e Veriut nuk vepron me urtësi. Shpresoj që Kim Jong Un të ndjekë tjetër rrugë”. Kim vazhdoi në rrugën e kërcënimit të qyteteve amerikane me shkatërrim bërthamor.

Ditë më parë, presidenti u betua se “do ta shkatërronte plotësisht” Korenë e Veriut. Ministri i Jashtëm koreanoverior u përgjigj qetësisht: “Vizita e raketës sonë në gjithë Amerikën kontinentale është e pashmangshme”, dhe më pas kërcënoi të rrëzonte avionët ushtarakë amerikanë në hapësirën ajrore ndërkombëtare.

Ky kërcënim për avionët amerikanë ka domethënie speciale. Ndryshe nga shumica e amerikanëve, liderët e Phenianit kujtojnë – dhe trumpetojnë me propagandën e tyre edhe sot – se si dikur rrëzuan një avion ushtarak amerikan në hapësirën ajrore ndërkombëtare dhe nuk u ndodhi asgjë, ashtu si dhe në raste të tjera.

Le të shpresojmë se Presidenti Trump dhe këshilltarët e tij e dinë këtë histori, duke filluar me “Luftën e Dytë të Koresë”, nisur nga Pheniani kundër SHBA dhe Koresë së Jugut nga 1966 deri më 1969. E nisur me urdhër të Kim Il Sung, gjyshi dhe kopja e butë e despotit aktual, konflikti solli vdekjen dhe plagsjen e rreth 150 amerikanë dhe rreth 800 aleatëve koreanojugorë.

Ajo nisi me sulme në rritje kundër patrullave dhe instalimeve amerikane në Zonën e Demilitarizuar (DMZ) që ndante dy Koretë. Në fillim të 1968, Pheniani nisi një skuadër vetëvrasëse në Korenë e Jugut me urdhërin për t’i prerë kokën presidentit jugor, pastaj të kapte anijen e rikonjicionit USS Pueblo në ujërat ndërkombëtare. Një anëtar ekuipazhi amerikan u vra dhe 82 të tjerë u burgosën e torturuan për rreth një vit. Presidenti Johnson e quajti kapjen e tyre “një akt agresiv” dhe të papranueshëm. Lideri i Koresë së Jugut i bëri thirrje Amerikës për goditje ndëshkimore kundër Veriut, por Washingtoni i kërkoi falje Phenianit, në shkëmbim të ekuipazhit të Pueblos. Veriu e mbajti anijen me njolla gjaku dhe tani ajo shërben si destinacion turistik.

“Nuk ka për të ndodhur një tjetër Pueblo”, premitoi Presidenti Nixon gjatë fushatës presidenciale 1968. “Nuk do të lejojmë të ndodhë”. Jo shumë kohë pas zgjedhjes së Nixonit, avionët luftarakë koreano-veriorë goditën një avion rikonjicioni të marinës amerikane në hapësirë ndërkombëytare, duke vrarë 31 aviatorë. Presidenti i ri i kërkoi Pentagonit të bënte plane për një përgjigje ushtarake. Frika për rrezikun e një konflikti më të gjerë bëri që Nixon të zgjidhte përgjigjen me një shfaqje simbolike force.

Phenianit nuk i bëri përshtypje. “Amerikanët nuk duan ta vazhdojnë këtë luftë”, u mburr Kim Il Sung para një tjetër lideri komunist më 1971, për përgjigjen amerikane për Pueblo dhe EC-121.

Nëse presidentët amerikanë nuk kanë pasur oreks për luftë, Kim dhe gjaku i tij i helmatisur e kanë pasur pa asnjë mëdyshje. Ushtarët koreanoveriorë goditën për vdekje dy amerikanë dhe plagosën ushtarë të tjerë si dhe koreano-jugorë gjatë një sulmi më 1976 me sëpata. Përgjigjja amerikane ishte përsëri një demonstrim force. Ata kanë vrarë e goditur të tjerë gjatë grindjeve në DMZ dhe kanë rrëzuar helikopterë amerikanë, duke marrë të tjera jetë. Sulmet kundër Koresë së Jugut rezultuan me më tepër viktima, që nga goditja e një avioni linje te një shpërthim masiv që nuk arriti të vriste presidentin e Koresë së Jugut, por mori jetën e 21 të tjerëve. Gjatë viteve 1990, komando veriore u infiltruan në Amerikë me urdhërin për të sulmuar impiantet bërthamore në rast lufte, sipas një raporti të deklasifikuar të inteligjencës. Më 2010, Koreja e Veriut fundsoi një anije të marinës koreano-jugore, duke vrarë dhjetëra persona, si dhe goditi me predha një ishull të Jugut, duke vrarë disa të tjerë. Dy vjet më parë, një minë tokësore koreanoveriore shpërtheu nën këmbët e dy ushtarëve jugorë.

Ndërkaq, Koreja e Veriut vazhdoi pa ndalim programin për zhvillimin e armëve bërthamore për luftën kundër Jankive të urryer. Presidentët tanë deklaronin se kjo ishte “e papranueshme” dhe se nuk do të ndodhte kurrë. Edhe një herë, veprimi ushtarak u përjashtua me këshillën e ekspertëve të politikës së jashtme, të cilët paralajmëruan se përgjigja e Veriut kundër Jugut do të ishte tepër e madhe.

Presidentët Clinton dhe Bush provuan bisedimet, ryshfetet, kërcënimet dhe sanksionet, të gjitha pa dobi. Më 2006, Koreja e Veriut testonte armë bërthamore dhe përshpejtonte programin e raketave. Ajo madje pajtoi ekspertë për të ndërtuar një impiant bërthamor në Siri, të cilin e shkatërroi Izraeli pasi SHBA refuzoi të vepronte.

Pheniani mori zemër mjaftueshëm për të goditur vetë Amerikën me sulmin kibernetik kundër Sony Pictures, plus kërcënimet për një sulm të tipit 11 Shtatori, kundër kinemave amerikane. “Ata shkaktuan shumë dëme dhe ne do të prëgjigjemi”, u betua Presidenti Obama më 2014. “Do të përgjigjemi proporcionalisht, në një vend e kohë e mënyrë që do ta zgjedhim ne”.

Cila ishte ai vend, ajo kohë e mënyrë? Përveç sanksioneve të kufizuara ushtarake, ajo që dihet me siguri është që Koreja e Veriut vazhdoi marshimin. Para largimit, Obama premtoi edhe një herë “t’i demonstronte Koresë së Veriut se ka pasoja për aktet e saj të rrezikshme e të paligjshme”.

Tani Presidenti Trump ka trashëguar një situatë dikur të paimagjinueshme, sidomos për trupat amerikane, të cilat janë përballur e disa herë kanë luftuar kundër Koresë së Veriut në këto vite të gjata me misionin për t’i ndaluar në DMZ. Edhe pse e kanë pasur kapacitetin e padiskutueshëm ushtarak për ta zhdukur nga rrënjët kërcënimin gjatë gjithë kësaj kohe, liderët e Amerikës kanë lejuar një dikator vëllavrasës, urryes të amerikanëve, të qëndrojë në pushtet dhe të kërcënojë shkatërrim në masë jo vetëm përtej DMZ-së, por edhe në SHBA.

Presidenti Trump tani duhet të marrë vendimet të ashpra që paraardhësit e tij i shmangën. Ndoshta më tepër sanskione, bisedime, ryshfete dhe sulme kibernetike do të funksionojnë këtë herë, ndoshta në kombinim me presionin më parë të papranueshëm të Kinës dhe përpjekjet për të minuar Kimin, me veprime të tilla si pajisja e qytetarëve të tij me telefona, radio, lash drives që tregojnë të vërtetën për regjimin e tij. Ai mund të dëgjojë korin e ekspertëve të politikës së jashtme, të cilët, tani që Koreja ka armë bërthamore, argumentojnë se regjimi mund të kontrollohet përmes kërcënimit tradicional bërthamor.

Por në fund, presidenti ynë i ri duhet të vendosë: A është rreziku që një aksion ushtarak do të sillte për Korenë e Jugut sot më i madh se një sulm i mundshëm bërthamor kundër Amerikës nesër?

Çfarëdo që të zgjedhë, Trump mund të mësojë nga pendesa e Presidenti Nixon, i cili vite më pas e përshkroi strategjinë e Koresë së Veriut në këtë mënyrë: “Kontrolloje me bajonetë. Nëse has në gjë të butë, ec përpara; nëse has çelik, tërhiqu. Druaj se nga mënyra se si e administruam incidentin me EC-121 më 1969, komunistët mund të kenë menduar se ata hasën në gjë të butë”.

Siç e thotë edhe fjala e urtë: “Qeni që leh nuk të ha”.

Marrë nga Fox News-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco