Lajmi i fundit

LIVE/ Nis protesta e qytetarëve para Bashkisë së Tiranës

Nisma e ‘BP6’ për një mini-Jugosllavi është nonstarter!

Nisma e ‘BP6’ për një mini-Jugosllavi është nonstarter!

Nga Sali Berisha - 17/09/2017

Vitin që kaloi, në disa takime rajonale në Strasburg, Ohër, Budva është hedhur për diskutim nga Mali i Zi, por më së shumti nga komisioneri i BE për Zgjerim, një nisëm e re bashkëpunimi rajonal që përfshin 6 vendet e Ballkanit Perëndimor; Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Maqedoninë dhe që tani njihet si “Nisma e Ballkanit Perëndimor 6” apo BP6 (WB6).

Nisma, thuhet se ishte në rendin e ditës edhe të takimit në Nju Jork, gjatë sesionit të OKB-së të ministrave të jashtëm të 6 vendeve me Komisionerin Stefan Fule. Ky i fundit, sipas disa diplomatëve, është autori në prapaskenë ose së paku bashkësponosorizues i Nismës BP6. Kjo nismë e re, që u shtohet shume nismave te tjera te rajonit tone, synon të krijojë një bashkëpunim multilateral të strukturuar me institucione si Asamable Parlamentare dhe me ekzekutivin e saj (sekretariatin) etj., etj., dhe projekte të përbashkëta të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në pamje të parë të nismës duket se të gjitha rrugët të çojnë në Beograd. Në të vërtetë, ndonëse ende jo i shpallur zyrtarisht por, Beogradi është parashikuar, si të thuash, të jetë kryeqytet i nismës së paku i shumicës së selive dhe projekteve të saj. Tek shumë politikanë, analistë, gazetarë dhe neo-jugosllavë serbë dhe jo-serbë, në këto vende, nisma është konsideruar si një përpjekje për konturimin, të themi, të një mini-Jugosllavie në rajon për të lehtësuar rrugën e këtyre shteteve drejt BE-së.

Shqipëria ka kontribut thelbësor në bashkëpunimin rajonal, ka qenë dhe është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Por në takimet e Strasburgut, Ohrit dhe të Budvës, ku është debatuar për këtë nismë të re, përfaqësuesit tanë dhe ata të Kosovës, duke mbështetur plotësisht bashkëpunimin rajonal mbi bazën e konsolidimit të nismave të shumta ekzistuese, kanë kundërshtuar qartë kufizimin dhe strukturimin e këtij bashkëpunimi në nismën e re BP6. Prandaj unë, me gjithë ardhjen e neo-Jugosllaveve në krye të ekzekutivit shqiptar, nuk jam ndalur në trajtimin e këtij problemi, të cilin e kam vlerësuar si produkt i serbofilisë apo rivaliteteve politike të grupeve dhe qarqeve të caktuara.

Madje, nuk u jam përgjigjur shkrimeve me shpifje, sipas të cilave qeveria shqiptare paska firmosur në Ohër nismën në fjale. Siç theksova me sipër, Shqipëria dhe Kosova kanë shprehur tashmë qëndrimet e tyre zyrtare kundërshtuese në takimet e Strasburgut, Ohrit dhe Budvës ndaj saj. Nuk mund të flas dhe është i paqartë qëndrimi i qeverisë shqiptare në takimin e Nju Jork-ut, mbasi ai u mbulua nga kodi i heshtjes.

Burime diplomatike pohojnë se ministri i Jashtëm i Kosovës është shprehur qartë dhe ka kundërshtuar nismën, ndërsa ministri i Jashtëm i Shqipërisë është përtypur, ka bërë gjysëm të paditurin dhe është treguar i dystuar në qëndrimin e tij. Mirëpo shqetësimi për ecurinë e këtij projekti rritet nga heshtja e qeverisë rreth takimit të Nju Jork-ut. Në veçanti problem përbën vendosja e saj dhe e Kosovës në axhendën e bisedimeve Rama – Daçiç në vizitën e ardhshme të Ramës në Beograd. Me këtë rast dua të theksoj se pas firmosjes në Bruksel të marrëveshjeve historike midis Kosovës dhe Serbisë e konsideroj normale dhe të dobishëm zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Serbinë në fushat me interes të ndërsjellë dhe në këtë kontekst edhe vizitat e të gjitha niveleve.

Mirëpo vizita e Ramës pati një anulim të papritur me datën 14 nëntor, madje pasi Rama ishte nisur për Beograd. Vetë Rama heshti për anulimin papritmas të kësaj vizite, natyrisht pala serbe nuk kishte pse të fliste. Rama në vend të transparencës nisi në Beograd Erion Velinë dhe jo përfaqësues të MPJ-së për të zgjidhur shkaqet e anulimit të vizitës. Në qarqe diplomatike thuhet se shkaku i anulimit ishte axhenda e bisedimeve dhe një taktikë e njohur e vjetër e zhvlerësimit të palës tjetër për t’i diktuar dhe për ta përkulur më lehtë.

Duke konsideruar të një rëndësie të madhe bashkëpunimin e Shqipërisë me të gjitha vendet e rajonit, mendoj se konsolidimi i nismave ekzistuese dhe jo krijimi i nismave artificiale përjashtuese, i duhet dhe i shërben këtij bashkëpunimi. Nisma BP6 është nisma e parë përjashtuese në rajonin tonë. Ajo përjashton dy vendet të rajonit anëtare të BE-së, me të cilat Shqipëria është aleate në NATO, Kroacinë dhe Slloveninë, dhe vende mike për shqiptarët. Të dy këto shtete janë të angazhuara dhe me kontribute të rëndësishme në bashkëpunimin rajonal. Nismat e tyre janë të rëndësishme dhe kanë qenë dhe janë gjithëpërfshirëse. Unë besoj se nismat dhe projektet rajonale duhet të përfshijnë dhe jo të përjashtojnë shtetet e veriut të rajonit tonë, që janë edhe më të integruarat.

Është i drejtë parimi sipas të cilit, shtetet që duan të integrohen në BE, duhet të zgjidhin sherret midis tyre ose me vendet fqinje anëtare të BE. Në këtë kontekst, ekzistojnë dhe shembuj konkrete të rolit qartësisht pozitiv të Brukselit në zgjidhjen e problemeve madhore midis vendeve te rajonit, anëtare ose jo të BE-së. Por suksesi, në çdo rast, është arritur vetëm mbi bazën e dialogut bilateral të ndërmjetësuar nga Brukseli dhe jo dialogu multilateral. Kurse nisma BP6 përveç frymës përjashtuese, rrezikon të nxisë nacionalizmat dhe demonët e tyre.

Kjo sepse ajo rikthen në një formë të re jo ish-Jugosllavinë siç duan ta paraqesin disa, por një lloj dominancë të qartë politike dhe jo vetëm politike të Serbisë në Ballkanin Perëndimor, në rrugën e integrimit të vendeve të këtij rajoni në BE. Nisma BP6 është pritur me ngazëllim të vërtetë në Beograd. Rrethet politike, diplomatike, mediat dhe shoqëria civile serbe janë angazhuar me përkushtim e zell të veçantë në promovimin e këtij projekti. Nga ana tjetër, vendeve dhe kombeve të tjera të sllavëve të Ballkanit Perëndimor, për arsye të ndryshme, edhe mund t’ju interesojë fuqizimi i “little big brother-it” të tyre historik, strukturimi përsëri i bashkëpunimit me të.

Për Malin e Zi, me një përqindje të konsiderueshme të popullatës qartësisht serbofile, që në Referendumin për pavarësi votoi kundër, ndofta konsiderohet e dobishme një dominancë e re serbe në rajon. Maqedonia, vitet e fundit, ka një orientim të qarte proserb, madje dhe në kurriz të marrëdhënieve ndëretnike me shqiptarët. Vetëm në këtë kontekst mund të kuptohet pjesëmarrja zyrtare e autoriteteve të këtij vendi në kremtimet e 100 vjetorit të betejës së Kumanovës, betejë që ka hyrë në histori si fillimi i gjenocidit dhe shfarosjes masive të shqiptarëve nga serbët.

Mjafton te lexosh raportet e Lev Davidoviç Trockit, asokohe korrespondent lufte, në këtë betejë për tu njohur me përmasat e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve. Duket se po në këtë kontekst, është dhe vendosja së fundi në Shkup e shtatores së Car Dushanit, sundimtarit me mizor që kohërat kanë njohur në rajonin tonë. Historia tregon se nga barbaritë e tij, të gjitha kombet e pushtuara nga Dushani, përveç shqiptarëve, nuk ishin me ato që kishin qenë para pushtimit. Për të mos thënë se edhe projekti për devijimin e Radikës çon ujë në mullirin e Beogradit. Po kështu, për një dominancë të re serbe në rajon, nisma mund t’i interesojë ndofta edhe Bosnje Hercegovinës për të ruajtur ekuilibrat e brendshme.

Mirëpo kjo nismë nuk ju intereson shqiptarëve të ndarë në 5 nga 6 shtetet e këtij rajoni. Ballkanin Perëndimor, me shume se çdo gjë tjetër, e stabilizon dhe do ta stabilizoje ideja e kombeve të barabarta në rajon dhe ideja europiane, dhe jo ideja e hershme e hegjemonisë serbe. Kjo e fundit, vetëm pak vite më parë u faktua eksperimenti më tragjik dhe një nga katastrofat më të mëdha në historinë e Ballkanit. Ndaj, duhet shmangur çdo reminishencë apo ngjashmëri, qoftë dhe jo e afërt me të. Shqiptarët, mendoj se duhet të punojnë fort për të patur si kryeqytet të dytë Brukselin, por jo Beogradin.

Së fundi, vetë Komisioneri i Zgjerimit Fule, sponsor së paku në hije i nismës BP6, është i njohur për serbofilinë e tij, madje mund të them edhe të papërmbajtur. Për mua filitë, por jo fobitë, janë normale dhe pozitive. Mirëpo në rajonin tonë, i cili fatmirësisht sot është më larg se çdo rajon tjetër nga e shkuara e tij e afërt, filia për njërin komb, në kuadrin e një nisme multilaterale, me së paku ngjet si konflikt interesi dhe zvogëlon besueshmërinë tek kombi tjetër. Kjo nuk i shërben multilateralitetit.

Këtë mendim do të ruaja edhe në rast se do bëhej fjalë për një personalitet albanofil i cili, për shkak të albanofilisë së tij dhe pranisë së shqiptarëve në 5 nga 6 shtetet e BP, do sugjeronte Tiranën si kryeqytet në hije të nismës. Për të gjitha arsyet e mësipërme mendoj se, konsolidimi i mëtejshëm i nismave ekzistuese gjithëpërfshirëse dhe jo parcelizimi i rajonit me nisma të reja është në interesin më të mirë të bashkëpunimit rajonal të vendeve të gadishullit tonë. Prandaj dhe nisma BP6, (WB6) në opinionin tim, është thjesht nonstarter!

*Ky shkrim është shkruar nga ish-kryeministri Sali Berisha në vitin 2014 , gati 3 vite përpara se projekti i Jugosllavisë së re të bëhej publike.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco