PD nuk imiton dot as SHBA-në, Rama thellon talljen: E shpall Ruçin ‘aset publik’

PD nuk imiton dot as SHBA-në, Rama thellon talljen: E shpall Ruçin ‘aset publik’

Nga SYRI.net - 11/09/2017

 “Asnjëherë s’kam qenë më i sigurt, se votimi i dy ditëve më parë i një individi, do të sjellë përfitim publik. Jam i bindur se ju nuk do të toleroni në asnjë çast mazhorancën dhe do respektoni barazinë”, tha Rama për Gramoz Ruçin sot në nisje të fjalës, nga foltorja e parlamentit.

Me këtë artikulim, ai vazhdoi pa ju dridhur zëri provokimin ndaj të gjithë shqiptarëve, që kanë ende kujtesë për bëmat e një regjimi të cilit ky “përfitim publik” i shërbente si Sekretar i Parë dhe ministër i Brendshëm, në vitet e përpëlitjes së diktaturës në të cilat u derdh edhe shumë gjak.

Duket se me shpalljen e Gramoz Ruçit “Aset publik”, Edi Rama përmbyll një nga tallje dhe provokimet më të mëdha, që u ka bërë Ish të përndjekurve, antikomunistëve shqiptarë dhe çdo individi që aspiron demokracinë.

Në nisje të këtij plani një vit më parë vendosi të rikthejë “Shtëpinë e Gjetheve” si muze dhe u kujdes personalisht, që të provokonte duke vendosur në aureolën e udhëheqësve më të egër të diktaturës, edhe krahun e tij të djathtë, Gramoz Ruçin.

Gramoz Ruçi, qëndron aty përkrah Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Hekuran Isait, Ramiz Alisë, Feçopr Shehut e  Aredin Shytit,  si një nga kryexhelatët e një periudhe që shqiptarët më kot përpiqen ta hedhin pas krahëve, por që Edi Rama e rikthen si “aset” në krye të pushtetit legjislativ, sot në 2017-ën.

Kur ishte ministër i Brendshëm, Gramoz Ruçi, “përfitimi publik” që kishte çdo shqiptar që mendonte dhe artikulonte demokracinë ishin, tryelat, pincat, darët, sharrët, morsat e shumë vegla të tjera që përdoreshin për tortura mesjetare.

Edi Rama duke premtuar integrim të shpejtë në Bashkimin Europian, sot u tha shqiptarëve se kjo rrugë kalon edhe nga njeriu që organizoi dhe urdhëroi masakrën e 2 Prillit 1991, ku u vranë katër djem të rinj demokratë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Në fund të vitit 1990, edhe për meritë të organizimit të “Vullnetarëve të Enverit” që për pak nuk e çuan vendin drejt një lufte civile të përgjakshme, ai u emërua nga Ramiz Alia, ministër i Brendshëm deri në prill të vitit 1991, kur urdhëroi përgjakjen e demonstruesve të opozitës. Në këtë ngjarje ende pa autorë të vërtetë të dënuar, snajperët e strukturave të drejtuara nga Ruçi vranë 4 protestues demokratë dhe plagosën 81 të tjerë.

Periudha kur Ruçi ka udhëhequr ministrinë e Brendshme mbahet mend përveç masakrës së Shkodrës, edhe për dhjetëra vrasje të të rinjve shqiptarë pa paralajmërim dhe mëshirë në kufi, gjatë tentativave për tu larguar jashtë vendit.

Kjo përgjakje e paprecedent për gjithë vendet ish-komuniste ndodhi, edhe  pse  ligji  që e konsideronte arratisjen si tradhti  ndaj atdheut ishte  shfuqizuar dhe ishte bërë vetëm, një kundërvajtje penale.

Ruçi bëri në këtë detyrë “të mira të mëdha publike”, duke u kujdesur personalisht për fshehjen e këtyre krimeve që janë “anonim” edhe sot e kësaj dite. Madje nënat e tyre ende kërkojnë më kot të paktën “varret” e këtyre dëshmorëve të parë të vërtetë, të demokracisë dhe pluralizmit.

Me fuqinë e shumicës Edi Rama e vendosi Gramoz Ruçin sërish si dikur në krye të piramidës së shtetit shqiptarë, madje edhe duke e quajtur një përfitim për publikun, kurse opozita e kryesuar nga Lulzim Basha nuk “guxon” të bëjë minimumi, as atë që bën SHBA zyrtare në Tiranë që “i ka hequr vizën” me kohë, duke e bojkotuar seancën e zgjedhjes së tij.

Në ditën e votimit si kryetar Kuvendi të ish shefit të “Shtëpisë me Gjethe”, ambasadori Lu mungoi në sallë në mënyrë demonstrative, sot kur Ruçi fliste hoqi kufjet që as zërin të mos ja dëgjonte, kurse Edmond Spaho në emër të Partisë Demokratike i kundërvihej “egër”, për procedurë!!

Balloja me maska që nisi në Maj, duket se vazhdon...

SYRI.net

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku12/09/2017 11:58

Gabim të thuhet vetëm me votat e shumicës. Ruçin e votoi edhe Lul Basha i vocërr bashkë me dy sivëllezër të tij "opozitarë". Humnera ku është sot Shqipëria dhe tallbythjave EDramës nuk është vetëm "meritë" e tij por kryesisht faj i rëndë, tradhëti e hapur e Lulit. Nuk mjafton vetëm karakteri i dobët i Lulit tashmë i njohur botërisht. Diçka tepër e rëndë në llogari të Lulit e ndodhur në duart e EDramës, e mban peng Lulin dhe e detyron atë të mbajë peng PD - në (atë çka mbetur nga ish PD). Revolta e demokratëve, e të përndjekurve politikë, e të shpronsuarve duhet të fillojë me shporrjen e Lulit dhe me reformimin e PD, me rikthimin në rradhët e saj të atyre 300 mijë të larguarve si rezultat i faktorit Lul, me demokratizimin fillimisht të PD nga pengmarrësit. Faza e dytë, organizimi i opozitës reale, i revolucionit të vërtetë antikomunist.

Shto koment

Denonco