Vështirë të thuhet cila është forma e qeverisjes në Shqipëri!!

Vështirë të thuhet cila është forma e qeverisjes në Shqipëri!!

Nga Enver Bytyçi - 22/08/2017

Qeverisja është art i drejtimit dhe menaxhimit të grupeve nacionale e sociale të qytetarëve, të cilët për shkak të numrit të banorëve, territorit të përcaktuar,  ngjashmërisë midis banorëve, ndjenjës së përkatësisë së një trashëgimie të caktuar, si dhe për shkak të vetëvendosjes kanë krijuar dhe ndërtuar atë që quhet shtet.

Shqipëria është njëri nga këto shtete, madje i krijuar që para më shumë se një shekulli dhe mund të konsiderohet jo thjesht një komb normal, por edhe një komb historik. U krijua si shtet në kohën kur statusin e shtetit e merrnin kombet historike. Por fatkeqësisht Shqipëria nuk u bë kurrë shtet konkurrues në vlerat e zhvillimit dhe prosperitetit të vet. Në çdo etapë të historisë së tij ajo mbeti në bisht të zhvillimeve rajonale e europiane. Kjo për dy arsye: Nga njëra anë se më 1913-ën ajo u nda në dy pjesë thuajse të barabarta dhe gjysma e ndarë nga gjysma tjetër e ka të vështirë të zhvillohet aq më tepër të konkurrojë. Dhe e dyta, sepse regjimet në Shqipëri kanë punuar historikisht, me përjashtime të rralla e në mënyrë relative, për pushtetin e jo për shtetin. Qeverisja ka qenë në shumicën dërmuese të kësaj periudhe mbi njëshekullore në shërbim të sundimtarëve, por jo edhe në shërbim të qytetarëve.

Sundimtarët në Shqipëri kanë ardhur, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, nga radhët e shtresave më kontraverse të shoqërisë, jo për shkak të ideve, vizioneve, idealeve kombëtare apo dëshirës për t'u dhënë shqiptarëve shtetin që meritojnë,por  për shkak të garipllëkut dhe mungesës së parimeve në marrjen ose ushtrimin e qeverisjes. Një politikani që blen një parti të madhe, e cila ka qeveris vendin, nuk i plas për Shqipërinë ose qytetarin shqiptar. Ai blen partinë që ta sundojë Shqipërinë. E blen partinë, sepse nga blerja që bën llogarit ta shtojë investimin me dhjetë ose 100 fish përmes ushtrimit të pushtetit të tij personal e oligarkik. Një politikan i lartë që shet e blen kandidime për pushtetin qendror e lokal, ai politikan i lartë mund të bëhet kryeministër, por kurrë jo shërbëtor i qytetarëve të këtij vendi. Një politikan i lartë që pasurinë dhe pushtetin i ve në një shinë paralele me pika takimi në stacione të ndryshme, deri te parlamenti, ky tip politikani i ka takuar për fat të keq Shqipërisë, prandaj ky vend nuk bëhet.

Për këtë arsye askush nuk është në gjendje të përcaktojë se çfarë është qeverisja sot në vendin tim. Është diktaturë? Pak. Eshtë despotizëm? Jo klasik. Eshtë tribalizëm? Me shenja të pakta. Eshtë tirani? po, së paku psikologjike! Është kleptokratizëm? Në shumicë po. Vendin e drejtojnë hajdutët, grabitësit, të pangopurit, në modelin e qeverisjes së pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës. Është shtet policor? Siç ka shembuj të sjelljes shumë të mirë të policisë jo politike, ka shenja të modelit policor politik, sidomos në raportet me institucionet e tjera jashtë ekzekutivit. Është timokraci? Ka marrë edhe lementë të saj, nëse shohim që sundimtarë të qeverisjes janë milionerët e milardierët! Është Oligarki? Më së shumti e tillë është, sepse në ushtrimin e pushtetit e në abuzimin me pushtetin janë kryqëzuar interesa të ndryshme, politikanësh, afaristësh, mediatikësh, personalitetesh të kulturës dhe akademisë, gjyqtarësh, prokurorësh, të cilët janë bërë bashkë dhe rrjepin e marrin gjithçka që prodhon ky vend përmes ushtrimit të sundimit në qeverisje.

E sigurt është që këtë e arrin ai që ka para me shumicë dhe jep ryshfet të majmë. Nëse do të bëhesh deputet, kryetar bashkie, gjyqtar i lartë, prokuror qendror, kryetar gjykatë ose kryeprokuror në një bashki, shef në polici, drejtor a drejtor i përgjithshëm, tatimor a doganor, nëse do që të të përkrahin të zësh një vend te komisionet e vettingut psh, do të duhet të kesh rezervuar taksën për taksidarët në politikë e në qeverisje. Po nuk e pate bërë këtë, harroje një vend pune që të shton pasurinë! Dhe pastaj thonë, "gjyqtarët dhe prokurorët janë kriminelë"! Po kush i bëri ata të tillë? Politika që i emëron kundrejt ryshfetit.

Prandaj nuk bëhet ky vend. Sepse më së pari qytetarët shqiptarë nuk e dinë se çfarë modeli qeverisjeje kanë. Një qeverisje në anarki, me pak nga të gjitha qeverisjet e këqija që ka aplikuar njerëzimi, nuk është demokraci.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco