E nxjerr në shitje votën time

E nxjerr në shitje votën time

Nga Ndriçim Kulla - 23/06/2017

Unë Ndriçim Kulla, botues, studiues, ish-pedagog, publicist, në këto zgjedhje kam nxjerrë në shitje votën time. Kushdo nga sekserët e partive që është i interesuar për ta blerë atë mund të paraqitet tek unë, për të blerë votën time sipas çmimit të tregut elektoral. Megjithëse jam plotësisht në dijeni se ligjet kundër shit-blerjes së votës janë ashpërsuar dhe parashikojnë dënime të rënda në Kodin Penal, megjithëse jam një prej njerëzve që publikisht e kam denoncuar shitblerjen e votës, unë e kam ndarë mendjen që ta marr parasysh rrezikun dhe ta “shes” votën time, madje këtë vepër penale ta bëj publikisht.

Vetëm shitja e votës sime do të jetë një gjë më e ndërlikuar se ç’bëhet zakonisht. Unë nuk do të marr paratë nga sekseri i blerjes së votës, për të dhënë në këmbim vetëm votën time, por përveç votës do të jap edhe shumën e parave që do të marr për votën të konvertuar në libra. Pra, blerja e votës sime do të quhej një gjë me leverdi, nëse partia për llogari të së cilës e blenë votën sekseri, do të kishte interes për librin. Sekseri që do të vijë për të më blerë votën duhet të ketë parasysh se librat i jap për kryetarin e partisë për llogari të së cilës do të ma blejnë votën. Sekseri që do të më blejë votën duhet të marrë përsipër si kusht që t’ ia dorëzojë librat kryetarit të partisë së tij.

Meqenëse libri shqip dhe problematika e tij është një çështje me të cilën nuk merren fare liderët e partive në këtë fushatë zgjedhore, diçka shumë tragjike kjo, sidomos për të ardhmen afatgjatë të vendit tim , unë kam gjetur këtë mënyrë për t’ i sensibilizuar rreth kësaj çështjeje. Nëse Policia dhe Prokuroria do të nisin një çështje penale ndaj meje pas deklarimit tim për nxjerrjen në shitje të votës sime, unë do të mbrohem duke thënë siç është edhe e vërteta, se mospërfillja e treguar ndaj librit shqip është një krim shumë më i rëndë se shitja e votës sime, të cilën unë e bëj për qëllimin e vetëm të sensibilizimit të problemeve të mëdha të librit shqip të cilat nuk po merren parasysh as nga Rilindja as nga Republika e Re.

Por ka kohë deri atëherë dhe me sa i njoh ligjet unë tani jam ende në fazën e tentativës për kryerjen e “krimit” elektoral. Tani më duhet të vras mendjen që sekserët të mos ma blejnë votën më lirë se çmimi i tregut elektoral. Se kam dëgjuar që bëhen edhe mashtrime në shitblerjen e votave dhe sekserët nxjerrin fitime abuzive për vete. Hallin e kam që të bëj një pako të mirë me libra për kryetarin e partisë, sidomos për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulëzim Bashën, tek i cili shpresoja shumë, dhe të cilin e nderova duke i vajtur edhe në Çadër për të prezantuar problematikën e librit, por një fjalë nuk ia dëgjova për librin dhe kulturën. Nëse do ta shes me çmim maksimal, dhe partia blerëse do të më japë edhe një pagesë shtesë si bonus, meqë po blejnë votën e një njeriu që kryetarët e partive e kanë respektuar me fjalë, si njeri që çoç ka bërë për kulturën shqiptare, shpresoj që të mund t’ i jap edhe një set të plotë të veprës së Zef Valentinit prej 32 veprash, megjithse dyshoj prapë se mos i ngatrojnë me gjëkafsh tjetër. Unë nga ana ime do të tregohem dorëlëshuar, duke hequr dorë fare nga fitimi im modest si botues dhe do t’ua jap me çmimin me të cilin botuesi ua jep librarive.

Por në qoftë se nuk do të ma blejnë votën kaq “shtrenjtë” do të bëj një pako me librin e Branko Merxhanit, me atë të Mehdi Frashërit, të Dom Ndoc Nikajt, Krist Malokit, Tajar Zavalanit, Mehdi Frashërit, Vangjel Koçës, të Mid’ hat Frashërit dhe Librin “Ylli i shkrimtarit” një biografi e shkrimtarit Ismail Kadare, e shpresoj edhe ndonjë tjetër, në mënyrë që të lexojnë ndonjë gjë dhe t’i kuptojnë së paku më mirë problemet shqiptare për të cilat votuesit e shkretë ju kanë dhënë votën duke i besuar ose do t’ua japin. Këtë herë nuk do të tregohem egoist që t’ i “mërzit” me librat e mi. Do të mjaftohem e shumta me albumin “Shqipëria dhe bota në veprën e Kadaresë” që kam përgatitur. E bëj këtë edhe që ta kem për alibi se unë nuk kam përfituar vetë nga shitja e votës, pasi nuk kam shitur librat e mi, por kam bërë që të përfitojnë korifenjtë e mendimit shqiptar, duke u mësuar së paku emrat politikanët tanë.

Nëse do të më arrestojnë do të mundohem që ta korruptoj Prokurorinë dhe Gjykatën duke iu dhënë si ryshfet librat e mi. Këtë ofertë do t’ ua bëj hapur në seancën gjyqësore, në prani të kamerave televizive nëse do të ketë. Nëse dënohem në Gjykatën e Shkallës së Parë, në Gjykatën e Apelit do të ofroj si ryshfet edhe bibliotekën time personale si të vetmen pasuri që kam. Vetëm librat, jo edhe raftet, se ato më duhen për t’i mbushur përsëri me libra.

E di që kështu rrezikoj që përveç ”krimit” tim fillestar, atij të shitjes së votës, të dënohem edhe për një seri krimesh të tjerë, por nuk kam çfarë të bëj, e kam ndarë mendjen që të sakrifikohem për të sensibilizuar politikanët dhe shtetin për problematikën e madhe të librit shqip.

Nëse dënohem në të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, do të fitoj të drejtën që t’ i kërkoj Gjykatës së Strasburgut që ta shqyrtojë çështjen time. Por jo për t’ i kërkuar heqjen e dënimit, por për t’ i thënë se jam bërë i vetëdijshëm për fajin tim të rëndë që kam shqetësuar politikanët e vendit tim me një çështje kot si libri shqip. Një kriminel si unë meriton dënim të rëndë. Do të kërkoj që Gjykata e Strasburgut të shikojë mundësinë që t’ i rekomandojë Shqipërisë lejimin e dënimit me vdekje në rastin tim, në mënyrë që të mund të ekzekutohem duke u djegur në turrën e librave të botuar nga unë. Por deri atëherë ka kohë. Le t’ i marrim gjërat me radhë. Tani, me botimin e këtij shkrimi, e quaj të shpallur ofertën publikisht dhe sekserët mund të vijnë ta blenë votën time. Atje pastaj do të zërë fill çdo gjë, siç e kam përshkruar më lart.

*Kjo është një sarkazëm politike për politikanët tanë, të cilët nuk thonë asnjë fjalë për problemet e librit në këtë fushat elektorale, duke parashikuar që ta lenë librin shqip në fatin e tij të braktisur.

Autori

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ajo23/06/2017 15:58

Z. Kulla une jam nje lexuese e dedikuar dhe adhuruese e librit. Gjithashtu nuk jetoj ne Shqiperi dhe sipas gjasave nuk do te kthehem per te jetuar atje,por kjo s'me pengoi te mbeshtes cadren dhe kauzen e saj jashte cdo interesi personal. Nese e ke degjuar Bashen, ai ka nje plan per arsimin, nxenesit dhe kohen qe ata do qendrojne ne shkolla qe te pergatitin mesimet dhe mos sorrollaten rrugeve kot,si dhe per punesimin per nje vit te te sapodiplomuarve per t'ju dhene nje shans te punesohen dhe te realizohen ne profesionet e tyre. A nuk te duket se po te filloje realizimi i ketyre synimeve sigurisht qe do te kete me shume vemendje drejt arsimimit te mire dhe interes me te madh ndaj LIBRITqe ju e paskeni kaq per merak??????
Nje pyetje tjeter: ne c'vend te botes dhe ne cilen fushate elektorale kandidati per kryeminister apo president flet ze per ze per programin e tij elektoral dhe jo per ceshtjet me thelbesore te ekonomise dhe strategjise se implementimit te tij???
Pastaj a di se ku jeton? S'besoj se jemi Norvegji apo Finlande, apo jo? Zoteri populli shqiptar nuk ka buke te mbushe barkun ndersa ti na hakerrehesh se do shesesh voten per inat se Basha s'te futi ne listat e deputeteve. Mire ta beri! Sic duket Basha qenkerka nje lexues i shkelqyer karakteresh!
Mezi pres te fitoje dhe me ne fund te kemi ne krye nje politikan te tipit perendimor.

Shqiptari23/06/2017 14:46

Ore ti mund te shesesh edhe b..., por perseri vetem nje vote ke dhe ajo nuk i hyn ne pune askujt. Kot i jep kaq rendesi vetes. Ashtu sic thote edhe komentuesi Shaba, qe Basha i hoqi plehrat nga lista.

Studenti23/06/2017 13:49

Z. Kulla e pranon qe paska vajtur ne cader per te nderuar Bashen. Gjithe te tjeret vajten per zgjedhje te lira e te ndershme dhe per nje Republike te Re ku do te vendosin qytetaret. Pra me fjale te tjera z. Kulla paska vajtur ne cader qe Basha ta fuste ne liste per deputet. Tani qe Basha nuk e futi ne liste, po mundohet te gjeje shkaqe per ta kritikuar dhe si kritike ka gjetur "librin". Ne nje vend ku ekonomia eshte e shkaterruar, ku njerezit e sidomos te rinjte po largohen ne mase te deshperuar, sepse nuk kane te ardhme, ku vendi eshte i "gjelberuar" nga kanabisi, z Kulla na eshte shqetesuar se nuk po flasin per librin. A do te kishte shqiptar, qe nuk i dalin parate per te ngrene, te shkonte te degjonte goje hapur Bashen tu fliste per librat? Brockullat e Kulles. Inati i ka mjegulluar mendimin. Shko voto per LIBRA-n e Blushit z. Kulla.

krasasi tp23/06/2017 13:30

Nuk na duhet asgje,as libra, as doktora, as profesora, nese nuk plotesojne nje kusht, kriterin klasor.Ju z.Kulla, z.Piciri,z.Kellici,zj.Topalli,z.Alizoti,z.Gjekmarkaj etj etj jeni me biografi te keqe.PD eshte nje parti e majte.Ndaj edhe koalicionin do ta beje me simotren e saj PS.Listat per deputet ne te dy partit PD-PS i ka percaktuar ose diktuar oligarkija.Por ka edhe perjashtime si psh z.Piciri eshte i renditur i 26 ne listen e PD ne Tirane.Oligarkija eshte thelbi,brendija,eshte qellimi."Komisari ishte loja".Demokracija,vegjelija,rinia, programi,ideali e plot sllogane te tjera, jane loja z.Kulla.Ke pare apo ke degjuar gje, te diskutohet rreth programeve, Te debatohet apo hedhur e zeza ne te bardhe gjekundi ,jo.Fitoni nje here sygjeron kongloligarkija.Te tjerat me pas ,si t'na vije puna.

Shaba23/06/2017 11:48

Shkurt muhabeti, o Çim Kulla, ti paske pjerdhur fare nga trute! Kaq merak e paske patur per te qene deputet? Derisa nuk kishin dale listat dhe shpresoje qe te ishe deputet ne Delvine, nuk iu ndave cadres se lirise. Sapo dolen listat dhe nuk e pe veten aty, ndryshove me 180 grade. Cfare mut burri paske qene!!!! Po pse tjetersohet karakteri i burrit per nje mandat deputeti. Tani m'u mbush mendja plotesisht se lista Basha eshte nje liste fituese dhe e shkelqyer, e çliruar nga tipa dhe karaktere kaq te ulet.

Shto koment

Denonco