Kryeministri ‘friks’ ndaj pronarëve dhe trimosh ndaj gazetarëve!

Kryeministri ‘friks’ ndaj pronarëve dhe trimosh ndaj gazetarëve!

Nga Artur Zheji - 20/06/2017

Ylli Rakipi e vuri në sprovë trimërinë e kryeministrit, që është bërë gojë-dalë me gazetarët, duke i hedhur si mish për top, në thonjtë dhe dhëmbët e militantëve. Mirë pra, gazetarët që të kritikojnë qenkan ca kazanë, po pronarët e mëdhenj të mediave? Kryeministrit trimosh, mbas kësaj pyetjeje, i mbahet goja, bie nga forma dhe elokuenca, e kap lemza, i thahet gjuha, i spërdridhet fytyra, bukoset, nguroset, nuk ngrefoset, zverdhet, zvjordhet dhe ka frikë të flasë!

S’ka gjë më të shëmtuar kur sheh se si duket kësisoj kryeministri ynë, kryetari i katundit të Shqipërisë, kryekatundari ynë pra, i shkurtër, i kruspullosur, i merakosur, i telefosur, i qullosur, si një i papunë që lyp te Sandri Klanit, te Vjollca e Topit, apo te Irfani i Panoramës, punë dhe një pjatë groshë veresie dhe mbi të gjitha, dashamirësi mediatike.

Bravo Rakipi, të paktën shqiptarët që kanë sy, e panë kryeministrin llafazan dhe gojë dalë, gojëprishur e gojëshpuar ndaj më të “dobtëve” dhe të pambrojturve gazetarë, që kryeministrit, i rrudhet gjuha dhe serviloset live ditëziu.

Tipike e burokratit mediokër e arrogant, që u lëpihet shefave dhe u zbrazet atyre që ka poshtë. Një kryeministër pra, që mbetet pa fjalë dhe “sharm”, se ka frikë nga inati i Irfanit, nga hakmarrja e Sandrit apo nga humori i prishur i Vjollcës.

O Ed kryeministri, s’do të doja kurrë të të shihja në këtë batak, si butak dhe pa shtyllë kurrizore, në këtë zvarritje jo dinjitoze, në emër të pushtetit, që lyp anë e mbanë katundit.

As si Edi dhe as si kryeministri i katundit tim! Kjo rrëfen se sa poshtë ka rënë pazari në Albanistan, se sa dëm i çon tërë ato dhurata të begata, që të ka dhënë Zoti dhe shqiptarët e mjerë, në gjithë këto vite, që kur le pas Parisin.

Sepse o zoti kryeministër i Katundit, të rilindur kokëposhtë dhe sipas teje, edhe bufi e di, por edhe ti e di shumë mirë, se nëse ka një “Sistem” të keq dhe të deformuar, si e nënvizon ti, kjo fillon te pronarët dhe jo te gazetarët.

Por ti u tregove xhuxh, duke u hedhur frelëshuar, si një fjalaman në kafenetë e lagjes, duke marrë nëpër gojë gazetarët, të cilët, janë si janë, janë apo nuk janë të ngjashëm me pikturat e tua, janë sidoqoftë, shumë më lart se niveli i kabinetit tënd qeverisës.

Ndërsa kur u fol për pronarët e mediave, që askush se di sa shkollë, sa dije dhe sa akademikë janë, tu tha pështyma për turp të Perëndisë…

Sepse shqiptarët e telendisur, e besuan anën tënde të rreme të medaljes, që do vendosje rregulla dhe shtet dhe që do të ishe demek në enën e tyre, duke filluar nga koka e sistemit. Te Oligarkët që fsehin taksat dhe fitimet. Por ti, si tepsixhi dhe llupsaqar që je, jo vetëm që nuk i preke, nuk i gërvishte dhe nuk i ciflose Oligarkët, por i lëpive sir, me njëmijë përkujdesje, si lopa viçin. Sepse koka e sistemit të mediaveve, apo e kazanëve mediatikë, janë pronarët e mediave, që ti u servilosesh, duke u dërguar mijëra sms-ra, që i lëshon si gazra, mëngjes, drekë dhe darkë.

Nuk të pati fare hije, që përgojove gazetarët, por ani, kjo në një kontekst të caktuar edhe mund të kapërdihej. Por ngërçi që të kapi kur erdh puna te pronarët, e zhgaraviti, e njollosi dhe e shëmtoi portretin tënd të mbetur, për faqe të zezë.

Pse kështu vëlla?!

Pse nuk rri dot pa i vënë fre dhe prag gjuhës tënde të shkapërderdhur? Përse nuk të del dot një fjalë e mirë veresie nga goja?

Je kryeministër! Po ti je vetë i pari që kjo të duket si një shaka dhe si pjesë e një loje të pabesueshme apo si sekuencat e një filmi me Charlie Chaplin, në periudhën e ndritur të “filmit pa zë”.

Por Chaplini ishte një gjeni, një gjeni i vërtetë, që nuk kish frikë nga kasta apo oligarkia e kohës. A mund të mendohet se një gjeni si ai, të kishte një frikë dhe një tmerr të pafshehur, nga Sandri, nga Irfani, apo nga Vjollca, nga të cilët kishte edhe asokohe në Amerikë?

Ja pra, 1 nga 1000 arsyet, sepse ti je krejt i pabesueshëm dhe se atë “timon” që ti, ua kërkon shqiptarëve vetëm për vete dhe pa të tjerë dhe pa frena, nuk e do për shqiptarët, por për pronarët, për konçesionarët, atyre të cilëve ti u shërben në të vërtetë.

Dhe kjo është tepsija e mirëfilltë, e byrekut dhe e çyrekut, kjo është pula apo struci që ti ke mprehur thikat të shqyesh pas 25 Qershorit, në gostinë e madhe të shqyerjes së Shqipërisë, që do ta shtrosh e do ta gjakosësh, pa kamera tv, me miqtë e tu pasanikë, me të cilat do të ndash mishin e pakët, kockat dhe brinjët e sfilitura të Shqipërisë, që të dha emër dhe të bëri dikushi, ndryshe nga Parisi.

Sidoqoftë, pres me ëndje të më përgënjeshtrosh sa më parë, nëse mundesh, sepse me të vërtetë do të ëndërroja që ti të kesh të ndenjura të mjafta për ta bërë dot këtë. Por… /360grade.al/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Vetting Rama21/06/2017 11:34

"Me mire vone se kurre!", por krimi qe i keni bere ketij vendi eshte po ai qe i bene serbet me Enver Hoxhen. Edi Rama ka qene pacient ne psikiatri, dhe kete fakt te gjithe ju e keni mbuluar, pasi mendonit se ai do te bente "bulling" pasi e minimizonit duke thene "edi eshte i krisur" apo "edi nuk i duron padrejtesite". E verteta eshte qe EDI RAMA ka procese psikike irreversibile me pasoja agresiviteti dhe papergjegjshmerie. Ky njeri me pushtetin qe ju i dhate para kater vjetesh vetem dhunoi te pafuqishmit dhe pasuroi te fuqishmit, tipike per nje pacient tinzar spitali psikiatrik. Sa beni djithe keta artikuj ju ftoj te bejme nje referendum per te kerkuar nje VIZITE TE GJITHEANESHME NGA MJEKE PSIKIATER DHE MJEKE LIGJORE DHE EVIDENTIMIN E KARTELES QE KY PERSON KA PATUR NE TE KALUAREN. KY VEND DHE KY POPULL NUK MUND TE MASAKROHET DHE PERDHUNOHET NGA TE MARRET E SOKAKEVE TE GJIROKASTRES APO TIRANES. DUHET TE FILLOJE DRETIMI NGA NORMALITETI PSIKIK I LEADERSHIP-IT.

amla21/06/2017 10:00

Ju lutem mos i thoni kryeminister, por vetem ...Dhits....Falje qe u bera i ngjashem me kete dhitsin qe permendem nga fjalori!

zeri i padegjuar,,21/06/2017 09:18

nje artikull qe duhet lexuar sepse keta politikanet tan kane marr revansh dhe cdo gje u duketse jane te tyre dhe jane ata ,,por harojne qe jane sherbetore te ketij vendi dhe jo pronare,,duhet qe vete gazetaret ta cojne zerin e padegjuar ,,dhe jovetemtani qe foli jashte etike kryeministri per kazanin gazetaresk,,,gazetari eshte zerii padegjuar i shtrsave te ndryshme,,,,koncentron mendimin dhe e hedh ne publik,,jo ti dizinformoje,,dhe kjo dihet dhe shihet me kamuflimin e lajmit ne te gjitha Tv

vjosa20/06/2017 23:56

Aq bukur I ke thene o I nderuar Zheji sa s'behet. Problemi qendron sa njerez i lexojne shkrimet Tuaja. Ndaj si njerez publike ju duhet te flisni ne tribuna qe mileti te degjoje dhe te vendose me bindje te plote tu rezervoje kallepit te ketij njeriu koshin e plerave te historise. Kaq eshte shume pak per Ju qe jeni ajka e kombit.

I deleguari20/06/2017 21:23

Paska nje gabim ne perkethim ,sepse nuk eshte " kryeministri ' friks' ndaj pronareve ,por eshte - kryeministri ' dhits'...

Shto koment

Denonco