E mbani mend para ca kohësh, kur nje kompani pati nxjerrë një edicion çantash vintage “Louis Vuitton” me flamujt e vendeve të ndryshme, kryesisht të botës së dytë e të tretë-përfshirë Shqipërinë-, duke synuar klientelën e të ‘pasurve të rinj’ (parveny)?
Me siguri jo se, shumica juaj që e lexoni këtë, ose nuk ua mban xhepi, ose jeni aq sqimëtarë, sa të harxhoni shuma të tilla për gjëra më thelbësore.
Por, ka një ironi fantastike me çantat e LV dhe Shqipërinë, sepse shqiponja që firma e njohur vendoste në çantat e saj, simbolikisht është zëvendësuar nga Aquila e qeverisë së Ramës!!!
Gallatë e madhe!
Edhe më shumë kështu nëse italianët t’i kenë dhënë asaj pikërisht një çantë me shqiponjën e flamurit tonë!
Shqiponjat fluturojnë lart, apo jo?
Nuk është vetëm histori korrupsioni, por sidomos filozofie qeverisese.
Çfarë më kujton tjeter kjo çanta Louis Vuitton, e këmbyer në trafik diplomash, e zonjës Telhaj, reklamuar nga Rama si të ishte Ayn Rand?
Idenë që, Rilindja, kur mbyll ose godet një gjë të keqe, nuk e bën se do t’i japë fund së keqes, por se do ta shumëfishojë atë.
A nuk e ‘mbyllën’ Lazaratin me bujë e ububu të madhe-dhe me një dëshmor në mes-Ibrahim Bashën, pastë drittë!- dhe më pas e lazaratëzuan gjithë Shqipërinë?
Jo se janë dashnorë të së gjelbrës, se atë e shkulën nga qytetet, por se e kanë të madhe ujën për atë jeshilen tjetër-të dollarit.
E njëjta gjë me Reformën e Arsimit të Lartë, dhe mbylljen e 2-3 universiteteve-të cilat, megjithëmend, ishin pocaqi-qymyr, jo kristal.
Dhe ja çfarë na shohin sytë: drejtueset e larta të Arsimit të Lartë janë të përfshira në kristalizimin e universiteteve të tjera (që nuk u mbyllën).
Pra, goditën Kristalin, një pjesë të së keqes, për të siguruar vitrinën e rregullimit të Arsimit të Lartë dhe në proces vitrinizuan të gjithën.
Arsimi që duam: 8 mijë diploma false të trafikuara në Itali (mendoni pak sa janë shitur në tokën e shqipeve?!).
Shëndetësia që duam: Onkologjiku.
Mjedisi që duam: Inceneratorët.
© SYRI.net