Bandat e Ramës dhe përfaqësuesit politikë si manekinë për zgjedhjet

Bandat e Ramës dhe përfaqësuesit politikë si manekinë për zgjedhjet

Nga Agim Nesho - 10/09/2024

Edi Rama po shfaqet hapur si diktatori i ri i Shqipërisë. Ai ka kapur çdo gjë, ka kapur institucionet e shtetit dhe drejtësinë, ndryshon partinë, deputetët, ministrat sipas humorit të mëngjesit dhe ka vetëm një mision: - krijimin e madhështisë së tij dhe mbetjen në histori. Çdo veprim tjetër i tij është një shfaqje mediatike, një propagandë për të ruajtur dukjen.

Kështu ishte edhe Asambleja e PS-së: një shfaqje e diktatorit për të treguar forcën e lidershipit të tij. Pasi largoi memorien e PS-së, zëvendësoi gjysmën e kopesë së deputetëve me duartrokitës së rinj, më entuziastë për ti bërë fresk diktatorit në dekadën e ardhshme, Rama riktheu diskutimin për fushatën elektorale të vitit 2025.

Ai kërkon t'i paraqesë zgjedhjet e 2025 si një garë e hapur, ku diktatori respekton vullnetin e popullit që “cuditërisht e do e shumë” dhe zgjedh vetëm atë. Ai kërkon ta paraqesë situatën sikur është garë e hapur dhe me mundësi të barabarta për të gjithë, për ta shitur regjimin e tij si demokratik. Ai kërkon të heqë vëmendjen nga regjimi i tij putinesk duke i imponuar opinionit publik diskutimin tek përfaqësuesit politikë, pse përfaqësuesit e opozitës janë të lodhur dhe pse ai do të marrë një shumicë kushtetuese për të realizuar konsolidimin e diktaturës. Pavarësisht se në shumicën e tyre përfaqësuesit politikë të PD-së janë figura të respektuara intelektualisht dhe me integritet përballë figurave të shpërfytyruara të PS-së, të cilat janë bekuar dhe pudrosur në zyrat e SPAK për talentin e tyre për tu pasuruar, qëllimi i Ramës dukshëm shërben për të kthyer vëmendjen në një garë fiktive dhe jo në skenarin e tij të mirëmenduar. Rama ka vendosur të fitojë me 1 milion vota, në një Shqipëri që është tkurrur gjithnjë e më shumë, por bandat e tij nga dëshira mund ti sigurojnë edhe më shumë. Diktatorët vendosin vetë rezultatin para zgjedhjeve. 

Shqipëria ka kohë që ka humbur të drejtën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet në Shqipëri blihen nga individë të inkriminuar dhe nga patronazhistët që vënë nën mbikëqyrje administratën publike të vendit. Ato janë pronë e bandave kriminale që përfitojnë në këmbim të drejtën për të pastruar paratë, të tregtojnë drogë, dhe kur fuqizohen dhe lidhen ngushtë me pushtetin ju jepet dhe e drejta e ndërtimit të kullave të larta në gjithë Shqipërinë. Zgjedhjet e lira për regjimin diktatorial të Ramës janë vetëm një iluzion për t’ja shitur opinionit publik dhe një hipokrizi e justifikim për tu përdorur nga lobistët, këshilltarët e mirëpaguar ndërkombëtarë dhe burokratët perëndimorë që janë në borderonë e tij.

Rama e devijon diskutimin e cështjeve sepse zotëron shumicën e shtypit dhe mediave, por opozita duhet të fokusohet në mosbindjen civile dhe qeverinë teknike si të vetmet mjete për të rikthyer demokracinë në Shqipëri. Në të kundërtën, legjitimitetin e institucioneve në Shqipëri do ta bëjnë zërat e cjerrë të dalluara në dosjet famëkeqe të zgjedhjeve 184, 339 dhe aleanca e shtuar e qelbësirave, që nisi me mbi 19 deputetë të inkriminuar, për të cilën Rama është krenar që e ka sjellë në politikën shqiptare si një risi, me justifikimin që këta i do populli.

Rama ka krijuar një mekanizëm monstër për të manipuluar zgjedhjet në Shqipëri. Ky mekanizëm, i fuqizuar nga patronazhistët dhe i mbështetur nga strukturat e shtetit, kërkon ta kthejë Shqipërinë në një vend diktatorial të lindjes.

Por si gjithë diktaturat, edhe kjo e Ramës do të shkatërrohet nga zemërimi i popullit shqiptar dhe do përfundojë me turp. Viti 2025 do të jetë viti i ndryshimit të madh dhe rikthimit të demokracisë në Shqipëri.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco