Në mbledhjen e asamblesë përpara një grushti patronazhistësh dhe një tufe hajdutësh, kryetari i PS, Edi Rama, nuk do ngurronte të sulmonte opozitën për situatën ku është vendi. Me kode mafiozësh, të cilët fajësojnë viktimën dhe jo kriminelin, që justifikojnë vjedhjen e pronave, që tenton të ngrejë në virtyt e moral çdo lloj të bëre dhe të pabëre që ndodh në këtë vend, ai do i quante të emëruarit e opozitës si “të rraskapitur dhe humbës”. Ç’është më e keqja, tallagjarisë së Ramës do i bashkohej dhe ndonj% “opozitar”, të cilët të keqen e madhe se shohin te vjedhja e zgjedhjeve që është ngritur në sistem, por tek preferencat e tyre personale për x apo y emër politik.
Por pa u zgjatur te kjo pjesë, se dihet që elektorati i djathtë nuk është votues rreshti dhe do shikonte me lupë dhe Muhamedin apo Jezusin vetë t’i vendosje drejtues politikë, me qejf e kam të përqendrohem pak te këta “të shkathëtit e Ramës”, që kryeministri me helmin e tij, paudhësisht kërkon të na mbushë mendjen se janë alternativa më e mirë e këtyre zgjedhjeve.
Sa për parantezë, teksa po dilja sot nga shtëpia pashë bashkëshorten e Erjon Veliajt teksa kish dalë të bënte shoping a ku di unë. Rrobat ia kish ngarkuar shoferit që kish zënë dhe rrugën, ndërsa vetë fliste në celularin e saj me këllëf gold. Makina duhej të ishte një Audi i zi tipi i fundit dhe shoferi megjithëse i ngarkuar me rrobat e Ajolës, duhej të mendonte dhe për t’i hapur derën. Në fakt më la një shije të hidhur karshillëku që bënte me ambientin përreth. Në rrugën ku Ajola kish zgjedhur të bënte shoping, a ku di unë se çfarë ndodhet, një kopsht dhe një çerdhe, ku prindërit duhet të ecin nëpër labirinthet e makinave, pellgjet e ujit sa herë bie shi apo në trotuaret e ngushta për të arritur me të vegjlit e tyre në destinacion. E ndërsa për ato rrugë e kopshte përgjigjet bashkëshorti i saj, zonja e madhe nuk e fshihte aspak luksin në të cilën jetonte. Erion Veliaj do jetë një prej drejtuesve politikë të Tiranës. Po, po, ai që s’ka lënë gjë pa i bërë këtij qyteti dhe që dosjet i ka kapicë në SPAK. Ai do ketë paturpësinë t’i kërkojë votën kryeqytetasve, pasi i la pa shtëpi, i gënjeu për ujin e u rriti taksat. Një model pushtetari mashtrues i një niveli të papërsëritshëm, i cili nuk ka të krahasuar me askënd tjetër dhe që do ngelet në tekstet e historisë si modeli që nuk duhet të jetë jo vetëm një njeri i shtetit, por dhe një individ në tërësi.
Në krah të tij do jetë dhe Elisa Spiropali, një tjetër figurë groteske e denjë për memet në rrjetet sociale me trapllëqet që nxjerr nga goja, por jo më pak hajdute se të tjerët. Spiropali nuk do mbahet vetëm për aferën pesëmilionëshe në dogana, apo për lidhjet okulte të saj dhe bashkëshortit të saj me pronarët e inceneratorëve, por edhe si avokate injorante e të gjitha pisllëqeve të rilindjes. Rama mund të jetë Skëndërbe vërtet për Elisën që e mori nga llumi dhe e ngjiti në majë, por për shumë njerëz etiketime të tilla janë të neveritshme dhe qesharake.
Rama nuk ka menduar që ti ofrojë njerëzve alternativë, por kërkon ti imponojë diktatin. Çfarë mund ti premtojë fierakëve një individ si Belinda Balluku, e cila vetëm lidhje me qytetarin nuk ka. Po ti bëjmë një analizë të jetës së saj, shumë kush e di që arritja më e madhe ka qenë lidhja e ngushta me krimin e organizuar, por dhe atë ordiner, i cili u bë shkak që ajo të arrinte majat e pushtetit. Në Fier, Balluku e cila nuk ka asnjë lidhje me këtë qark, është dërguar për të grupuar bandat atje, të cilët sikur ishin harruar disi nga pushteti qendror, që kishte kthyer vëmendjen nga Nokat dhe Gjokat e veriut, apo bandat e Durrësit dhe Tiranës. Tashmë dërgohet Balluku si garante se sa më shumë vota të vjedhin, sa më shumë qytetarë të shantazhojnë banditët e jugut aq më e majme do jetë thela e pushtetit dhe për ta. Vetë balluku është një hajdute shfrenetike e votave, kompleks ky që i vjen dhe nga frika e ndonjë humbjeje eventuale, pasi dhe ajo si Rama, në rast të ndonjë humbjeje të pushtetit, do ishte e para që do provonte hekurat e drejtësisë.
Më tej, bashkimi si shok armësh i Ulsi Manjës me Pjerin Ndreun në Lezhë, s’besoj se ka shumë nevojë për koment. Të dy këta dalin në përgjimet e Dibrës, njëri që premton poste “nalt e më nalt” dhe tjetri që kërcënon hapur votuesit. Pjerin Ndreu njihet mirë si shok armësh i Arben Nokës, ish deputet i PS që porosiste vrasje me pagesë. Bashkë me Ulsiun ministër i drejtësisë ata bëjnë një dyshe perfekte në mbështetje të çdo bande apo individi me rekorde kriminale që rilindja i përdor në zgjedhje pa hesap.
Vërtet janë 12 qarqe, por lista e të pisllëqeve dhe abuzimit me pushtetin që ka bërë banda që na u hodh si zgjedhje e Ramës është gjatë. Të gjithë abuzues recidivistë me pushtetin, të gjithë përgjegjës për shpopullimin, të gjithë gjeneralë tenderash dhe PPP-sh, të cilët e kanë katandisur gjendjen këtu ku jemi.
Paraqitja e njerëzve të tillë si vlera, është një tjetër shërbim që i bëhet krimit dhe mafies në këtë vend. Kjo do të thotë se në rast të një fitoreje të Ramës, gjërat jo vetëm sdo të ndryshojnë por do bëhen dhe më zi. Sistemi malinj që ka nisur tashmë prej 12 vjetësh, me këta soj individësh rrezikon të lëshojë metastaza të tilla, që dhe tashmë në disa sektorësh duan një kohë të gjatë, ose është e pamundur të riparohen. Rama për vete e di mirë, se që ditën e parë që do lëshojë atë karrige do shkojë aty ku e ka vendin, dhe gardianë më të mirë që kjo mos ndodhë do zgjedhë hajdutët që i ka rritur vetë, të pacipë në shfaqjet e tyre dhe të pangopur, natyrisht dhe që ka se me çfarë t’i shantazhojë. Këta janë të “shkathëtit e Ramës”, vlera që ofron rilindja për zgjedhjet që do vijnë. Ky është mentaliteti që Rama dhe fara e tij po ngulisin në mendjet e njerëzve. Në rast se jeton si njeri, nuk vjedh, nuk ke lidhje me bandat, je i arsimuar dhe profesionist në zanatin tënd, ti atëherë je “i dështuar dhe i rraskapitur”. Me pak fjalë, duhet të jesh modelit i Veliajt, Spiropalit, Ballukut, Maznikut, Manjës etj që të mund të jetosh në këtë vend. Poshtërim dhe turp më të madh se ky s’mund të ketë!
© SYRI.net