Vitet 1930, pronarët Nushaj dhe Kolekaj braktisën ‘pronat’ në Vuno, për të jetuar në baraka

Vitet 1930, pronarët Nushaj dhe Kolekaj braktisën ‘pronat’ në Vuno, për të jetuar në baraka

Nga SYRI.NET - 08/09/2024

Por si është e vërteta e pronave në Vuno. Duket se deri më tani nga informacionet që kemi mundur të mbledhim, përfituesit më të mëdhenj kanë qenë familjet Nushi dhe Koleka. Por a kanë qenë vërtet aq të pasur Nushët, që të përfitojnë sipërfaqe të tilla tokash kullotë dhe sidomos në malin Mjegullosh ku mot e jetë s'ka pasur pronar, për shkak se si në rastin Koleka, kullotat kanë qenë të përbashkëta?

Image

FOTO e Spiro Kolekës dhe Gogo Nushit

Fjala vjen në vitin 1982-1983 Enver Hoxha do të botonte librin 'Baraka e Nushajve', ku fliste për vëllezërit Gogo e Kozma Nushi, të cilët jetonin në një barrakë pranë lumit Lanë.  “Buzë Lanës, në afërsi të vendit ku ndodhej ndërtesa e ekspozitës 'Shqipëria sot', në vitet e Luftës Nacional Çlirimtare ngrihej një barakë e vogël, e vjetër, e ndërtuar me dërrasa të brejtura nga shiu, bora dhe era. Se ç’emër kishte pasur më parë nuk e di, por ne të gjithë e thërritnim baraka e Nushajve, ngaqë aty banonte familja e thjeshtë, e dashur, militante e Gogo dhe e Kozma Nushit. Për të gjithë ne, që hynim e dilnim atje, si në shtëpinë tonë në ditët vështira të ilegalitetit, kjo barakë do të mbetet e paharruar. Baraka kishte vetëm një dhomë të vogël dhe një korridor të shtruar me baltë, një pjesë e të cilit ishte e ndarë me perde e që shërbente edhe si kuzhinë, edhe për të fjetur njerëz e, për këtë, të krijohej përshtypja sikur kishte dy dhoma. Çatinë e kishte të mbuluar me llamarinë dhe, kur binte shi, ndihej një si muzikë shurdhuese, i vetmi moment i dëshiruar për banuesit dhe miqtë e saj, se vetëm atëhere mund të flitej me zë të lartë”. Pra natyrshëm lind pyetja, kur Nushët paskan qenë pronarë të mëdhenj në Vuno, pse qenkan detyruar të largoheshin nga fshati me gjithë nënën e tyre, siç kujton Hoxha. Vetë shtëpia e Nushajve në qendër të fshatit është kthyer në shtëpi muze dhe ka një sipërfaqe së bashku me oborrin jo më shumë se 250 metra katrorë.

Image

FOTO - Kopertina e librit 'Baraka e Nushajve'

Por ka dhe diçka tjetër. Nga kqyrja e vendimit të gjykatës për fisin Koleka e vitit 2019, rezulton se fqinj me pronën e Nushajve duhet të jetë dhe prona e Edi Ramës në malin Mjegullosh, pasi të dyja ndodhen në pjesën veriore të fshatit. “Pasuria në vendin e quajtur “Mjegullosh”, e z.Petro dhe Spiro Koleka një sipërfaqe prej 4.8 ha, ndodhur në pjesën veriore të fashtit Vuno, me këto kufizime: V-Trolaj; J- Anagnostaj; L- Andonaj; P- Kolektive. Brenda kufijëve të kësaj prone, ndodhen themelet e një objekti (stan), i cili ka qenë Stan i familjes Koleka dhe nuk ka ndërtime të tjera përveç një fragmenti zyrtar rrugë me indeks pasurie 5297 si dhe indekse 5217 dhe 5290 të cilët janë indekse truall që kanë të bëjnë me themelet e objektit stan, zëri kadastral është kullotë” thuhet në përfundimet e ekspertëve që caktoi gjykata. Pjesa e veriore e Mjegulloshit është pikërisht kjo zonë.

Image

Vendimi i gjykatës, akt-ekspertimi i pronës së Kolekajve

Lexo edhe këtë: Pronat në Vuno/ Vilma Nushi merr ‘kullotat e Gogos’ ndërton 9 vila në 20 mijë metra park natyror

Pasuria për të cilën bëhet fjalë, mund të quhet pa mëdyshje dhe ballkoni i jugut. Prej andej nga një pamje të vijës bregdetare nga Iliasi, Gjipeja e deri në fund të Jalës, kufi me Himarën. Deri më tani janë ndërtuar 9 objekte nga familja Nushi. Por a do jetë mali Mjegullosh mbi Vuno, pjesë e planit të Ramës për të mbushur me ndërtime këtë pasuri natyrore të vendit? Kjo mbetet për t'u parë në vazhdim, por ajo çka është e rëndësishme në këtë histori është fakti se nga miqësia me Edi Ramën mund të përfitosh shumë. Pra mund të ndërtosh në një zonë dhe pa marrë kualifikimin urban, mund të marrësh pronat brenda një kohe të shkurtër dhe atje ku s'ka pasur asnjëherë pronarë, mund të marrësh tendera e PPP. Pra mund të kesh përfitime të panumërta. Në rast se je dhe pasaardhës i ndonjë anëtari të byrosë politike, siç po tregojnë faktet, zgjohesh dhe pronar i vendeve që s'kanë pasur kurrë të tillë, pavarësisht faktit se kanë qenë pikërisht paraardhësit e tu, përgjegjësit kryesorë për tragjedinë e çështjes së pronave, nga e cila duket se shqiptarët nuk kanë gjasa të shpëtojnë për një kohë të gjatë. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco