Më keq se Iran-Contra

Më keq se Iran-Contra

Nga Çim Peka - 07/09/2024

Një mëngjes korriku të vitit të shkuar, muxhahedinët iranianë të organizatës MEK, të vendosur në një zonë të veçuar jo larg Tiranës, u zgjuan të rrethuar nga forcat speciale të policisë shqiptare. Ajo çfarë pasoi ishte një përplasje e dhunshme, e cila la një të vdekur dhe disa të plagosur. Vetëm pak kohë më parë, qeveria e Edi Ramës kishte pranuar dhjetëra sorosianë nga Afganistani në emër të besës, ndërsa tani opozita iraniane po dhunohej. Nëse flasim në terma ‘besë’, nuk ka gjë më të pashenjtë në traditën e vjetër të shqiptareve, sesa dhunimi i mysafirit. Policia sekuestroi dhjetëra kompjutera me argumentin se operacioni ishte urdhëruar nga prokuroria në funksion të një hetimi penal. Prokuroria kurrë nuk realizoi një hetim të tillë dhe argumenti ishte i gënjeshtërt. Arsyeja e vetme e atij operacioni ishte të dështonte kongresin vjetor të MEK, i cili do të mbahej të nesërmen. Ambasada amerikane, që asokohe shprehej edhe për motin, nuk e pa të arsyeshme të prononcohej. As këtë vit nuk u mbajt kongresi vjetor i tyre.

Ish-zv/Presidenti Mike Pence, ish-Sekretari i Shtetit dhe Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, ish-Këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton, ish-Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Rudi Guiliani, deri atë ditë kishin qenë disa nga vizitorët e profilit të lartë të organizatës MEK në Shqipëri, pa përmendur dhjetëra e dhjetëra senatorë e kongresmenë amerikanë, kryesisht republikanë. Në fakt, nga viti 2016 deri vitin e shkuar, Shqipërinë e kishin vizituar më shumë ligjvënës amerikanë se të gjithë Evropën e marrë së bashku. Vendbanimi i MEK në qytezën e Manzës ishte kthyer në një qendër pelegrinazhi për mbështetësit ndërkombëtare të opozitës iraniane. Nga dita e operacionit policor, jo më. Nuk ka as ngjarje. As aktivitete. As lajme.

Në vitin 2012, administrata e Kryeministrit Berisha iu ofrua administratës së Presidentit Obama të strehonte rreth 200 anëtarë të organizatës MEK në vazhdim të ndihmës që qeveria e tij i kishte dhënë administratave të ndryshme amerikane, duke përfshirë dhe 11 ish-të burgosur në Guantanamo. Në mesin e tyre ishin dhe pese ujgurë, të cilët nuk kishte pranuar t’i merrte asnjë qeveri tjetër për shkak të frikës ndaj Kinës. Qeveria kineze bëri një notë proteste, por nuk ndërmori veprime të tjera pasi e kuptoi se Shqipëria tashmë e kishte vendosur veten tërësisht nën influencën dhe kontrollin amerikan. Fundja, ishte po Sali Berisha ai që e kishte anëtarësuar Shqipërinë në NATO.

Në pranverën e vitit 2015, Edi Rama ishte i ngrirë në Uashington pas mashtrimit që i kishte bërë administratës së Presidentit Obama në lidhje me ofrimin e territorit të Shqipërisë për shkatërrimin e lëndëve kimikë siriane. Opozita konservatore nuk ishte në pozitë më të mirë, pasi refuzimi i Ramës kishte ardhur pas protestave masive të shoqërisë civile të cilave u ishte bashkuar edhe ajo. Me një lëvizje brilante të kryeministrit Rama, dhe shkurtpamësisë së administratës së Presidentit Obama, opozita ishte detyruar të merrte pjesë në një protestë që shumë në Uashington e panë si antiamerikane. Ne fakt, më antiamerikane kishte qenë tallja që Rama i kishte bërë administratës amerikane. Kur Kryeministri Rama u vetëofrua me sugjerimin e George Soros për të pranuar të gjithë anëtarët e opozitës iranianë në Shqipëri, Presidenti Obama dhe administrata e tij ishin në fazën finale të negociatave me qeverinë iraniane për armët bërthamore, ajo që quhet JCPA (Joint Comprehensive Plan of Action) midis P5+BE dhe Iranit. Qeveria e Edi Ramës priti në Shqipëri të gjithë anëtarët e organizatës MEK, të cilët erdhën nga Iraku, duke përfshirë edhe lidershipin e tyre politik, të cilët u zhvendosën nga Franca dhe vende të tjera.

Po çfarë mori Edi Rama në këmbim? Gjithçka. Jo për Shqipërinë, por për pushtetin e tij.

Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ramës iu rezervua një pritje në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Obama dhe zv/Presidenti Biden. Nuk dihet se pse, por Rama zgjodhi të shoqërohej në takim me Sajmir Tahirin, Ministër i Brendshëm, për të cilin shërbime të ndryshme amerikane kishin informacion të plotë që ishte i përfshirë në operacionin më të madh të kultivimit të trafikut të drogës në Evropë.

Po atë vit, ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, deklaroi publikisht se atij i ishte bërë presion nga ish-ambasadori amerikan për të arrestuar Ilir Metën, asokohe Kryetar i Parlamentit dhe sfidant i përhershëm i Ramës për lidershipin e së majtës. Ish-Kryeprokurori sot është një person i dënuar në mungesë, i cili ka fituar azil politik në një vend evropian dhe që pretendon se të gjitha problemet e tij me drejtësinë erdhën pas refuzimit të kërkesës amerikane.

Në të njëjtin vit, me kërkesë të Ramës dhe mbështetjes financiare amerikane dhe evropiane Shqipëria ndërmori të ashtuquajturën Reformë në Drejtësi. Reforma u krye nga Fondacioni Soros. Opozita, e cila e mbështeti fillimisht duke votuar ndryshimet kushtetuese, sot pretendon se kjo reformë u bë në mënyrë që sistemi i drejtësisë të vendosej nën kontrollin e Kryeministrit Rama. Nëse bën një bilanc tani pas tetë vjetësh të reformës në drejtësi, ai është i frikshëm. Reforma largoi nga sistemi prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët kishin arrestuar dhe dënuar kokat e krimit të organizuar në Shqipëri dhe kishin çmontuar mbi 115 organizata kriminale ndërkombëtare. Pjesëtarët e rinj të sistemit të drejtësisë shquhen për lidhje personale dhe familjare me Partinë Socialiste në pushtet. Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme kontrollohen tërësisht nga Edi Rama. Nisma ligjore për reformën në drejtësi u ndërmor në shtator të vitit 2015 nga një grup deputetësh socialistë. Ironia më e madhe është se tre nga këta deputetë socialistë pak më vonë humbën mandatin e deputetit pasi rezultonin persona të dënuar në vende evropiane për vrasje, prostitucion dhe trafik droge. Përpos mbështetjes politike, kontrolli i plote mbi gjyqësorin duket se ishte kompensimi amerikan për ndihmën e dhënë me pranimin e muxhahedinëve të MEK.

Në prill të vitit 2021, Edi Rama mori një mandat tjetër. Megjithëse kishte një mospërputhje prej 200.000 votash midis pjesëmarrësve në votime dhe numrit total të fletëve të votimit, Sekretari i Shtetit Blinken nxitoi të uronte Ramën përpara se të mbylleshin të gjitha qendrat e votimit. Pothuajse një muaj më vonë, në maj të atij viti, Sekretari Blinken shpalli Sali Berishën, një deputet i thjeshtë, tetë vjet pasi kishte kaluar në opozitë dhe kishte dhënë dorëheqjen nga Kryetari i partisë konservatore, si person non-grata. Një vit përpara se të ikte nga pushteti, Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, kishte deklaruar në krah të tij në parlamentin shqiptar se i bënte thirrje botës që nëse donin të shikonin një demokraci në veprim, ata duhej të vinin në Shqipëri.  

Sipas qarqeve politike dhe mediatike në Shqipëri, kryetari i partisë konservatore Lulzim Basha u shantazhua nga ambasada amerikane me një dosje lobimi (për të cilën ishte hetuar penalisht dhe mbyllur me procedurë) për të larguar Sali Berishën nga partia më pro-amerikanë në Evropën Lindore, të cilën e kishte themeluar dhjetorin e largët të vitit 1991 dhe që e kishte udhëhequr deri në vitin 2013. Ky i fundit filloi një lëvizje politike të quajtur ‘Foltorja’ për të larguar Bashën nga drejtimi i partisë. Beteja politike u kthye në betejë ligjore, ku Sali Berisha akuzoi personalisht ambasadoren amerikane se kishte kontaktuar gjyqtaren e çështjes dhe i kishte bërë presion për të marrë një vendim kundër tij. Ambasadorja reagoi duke pranuar se takimi kishte ndodhur porse për ‘qëllim të mirë’. Ajo deklaroi se kishte nxitur gjykatën të mos binte pre e presioneve politike.

Në gushtin e vitit 2023, Rama emëroi si ministër të brendshëm Taulant Ballën, një person i njohur për lidhjet e tij të shumëfishta me botën e krimit. Balla ishte gjithashtu personi i cili kishte bërë një kallëzim penal ndaj Sali Berishës dhe dhëndrit të tij për falsifikim dokumentesh në lidhje me një pronë. Dy muaj pas emërimit të Ballës si ministër i brendshëm, prokuroria dhe gjykata urdhëruan arrestimin e Berishës dhe dhëndrit të tij në kohën kur hetimet ishin në fazë paraprake dhe pa pasur një akuzë zyrtare të ngritur. Gjyqtarja që drejtonte Gjykatën Speciale, dhe që urdhëroi arrestimin e liderit të opozitës, rezultoi të ishte një person i dënuar në Greqi për falsifikim dokumentesh. Megjithëse kjo është provuar në media me dokumente, ajo vazhdon të jetë në detyrë. Vetëm një vit më pas, në pritje të arrestimit të tij për përfshirje me organizata kriminale, vrasje të porositura dhe trafik droge, Balla u shkarkua nga ministër i brendshëm. Misioni i tij për të shantazhuar gjykatën dhe mbikëqyrur çështjen Berisha ishte kryer.

Në vitin 2015, policia shqiptare kreu një operacion arrestimesh për llogari të policisë federale gjermane ne fshatin Xibrakë të Elbasanit. Nipi i ish-diktatorit komunist Hoxha u arrestua së bashku me disa eksponentë të tjerë të trafikut ndërkombëtar të drogës, të lidhur me Partine Socialiste ne pushtet. Prokuroria ndau hetimet në lidhje me një person të paidentifikuar. Nëntë vjet më vonë, një eksponent i partisë opozitare provoi me dokumente nga dosja e prokurorisë se personi i paidentifikuar ishte vëllai i kryeministrit Olsi Rama me nënshtetësi amerikane. Ajo çfare e bën dhe më të rëndë situatën është se nga tre prokurorë të çështjes, njëri dha dorëheqjen duke ruajtur integritetin, ndërsa nga dy të tjerët, njëri u emërua nga parlamenti me propozim dhe votat e Partisë Socialiste të Edi Ramës si Kryeprokuror i Republikës, ndërsa tjetri si zëvendësdrejtues i Prokurorisë së Posaçme, produkt i reformës në drejtësi. Çështja u rihap për shkak të presionit publik, por askush nuk beson se vëllai i Kryeministrit do të merret si i pandehur. Opozita dhe media kanë folur për zhdukjen e dokumentave nga ajo dosje, sidomos të dhëna se vëllai i kryeministrit ka kryer disa udhëtime me makinën e tij dhe trafikantët e arrestuar jashtë Shqipërisë.

Kontrolli i kalimit të kufirit kryhet nëpërmjet sistemit TIMS, një dhuratë e qeverisë së SHBA-ve që kalon vlerën e 24 milionë dollarë. Lideri i opozitës nga arresti shtëpiak ka provuar me fakte nga të dhëna të nxjerra nga sistemi TIMS dhe të zhdukura nga dosja e prokurorisë së vëllai i Kryeministrit ka kryer dhjetëra udhëtime me trafikantët e sipërpërmendur. Në verën e vitit të kaluar u bë publik fakti se drejtori i teknologjisë së informacionit ishte kapur duke klonuar të dhënat e këtij sistemi. Përkundër këtij akti kriminal ai vazhdoi që qëndronte në detyre për disa muaj deri kur me këmbënguljen e opozitës u ngrit një komision hetimor parlamentar për këtë çështje. Megjithëse besohet se zyrtarë të projektit ICITAP kanë treguar interes për këtë çështje pranë organeve të zbatimit të ligjit, ata nuk janë shprehur asnjëherë publikisht. Ka arsye të besohet se nëse ky skandal do të kishte ndodhur me një qeveri tjetër jo të Edi Ramës, portat e ferrit do të ishin hapur. Se çfarë e detyron ambasadën të heshtë, e dinë vetëm ata. Ne vetëm mund të aludojmë.

Pak muaj më parë, një program investigativ i televizionit Italian RAI-3 akuzoi direkt Kryeministrin Rama dhe vëllanë e tij për lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës. Midis të tjerash, programi përmendte Engjëll Agaçin, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i cili është njëkohësisht zyrtari më i lartë në Shërbimin Civil shqiptar si ndërlidhësi midis kryeministrit Rama dhe mafias italiane. Po ashtu, programi përmendte dhe një individ tjetër, Ergys Agasi, ish-drejtori i antikorrupsionit në Kryeministri, njeri shumë i afërt i Kryeministrit si koordinatori i këtij të fundit me grupet e trafikut të drogës në Shqipërinë e Mesme. Sipas gazetarëve italianë, ai është njëkohësisht edhe bashkëjetuesi i Drejtores së Shërbimit Sekret. Ditët e fundit media ka raportuar se edhe familjarë të sajë në Kosovë, vëllezër dhe kushërinj të parë janë eksponentë të trafikut ndërkombëtar të drogës. Madje disa prej tyre kanë qenë të dënuar në Mynih për këto vepra.

Pak kohë më parë, media rumune raportoi se ish shefi i shërbimit sekret rumun Florian Coldea ishte pjese e rëndësishme e rrjetit të kartelit meksikan Sinaloa në Evropë. Opozita konservatore në Shqipëri nxori prova se Coldea ishte emëruar në shtator të vitit 2023 si Këshilltar i Kryeministrit Rama për Sigurinë Kombëtare. Opozita mësoi gjithashtu se Coldea, me porosi të Kryeministrit dhe bashkëpunim me Drejtoren Vlora Hyseni, jo vetëm që kishte akses të plotë në Shërbimin Sekret, porse ai kishte hartuar edhe strukturën e re të institucionit të miratuar më pas nga Kryeministri. SHISH është njëkohësisht shërbim i brendshëm dhe i jashtëm. Ai mbulon jo vetëm marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me shërbimet partnere, por është dhe interlokutori zyrtar i Shqipërisë me NATO-n ne fushën e inteligjencës.

Charles McGonigal është një ish zyrtar i lartë i FBI-së së Nju Jorkut. Në SHBA ai njihet si personi që korrikun e vitit 2016 hapi hetimet ndaj kandidatit republikan për president Donald J. Trump për lidhjet e tij të pretenduara me Rusinë sipas dosjes së famshme ‘Steele’. Hetimet vazhduan edhe pasi ai u zgjodh president. Tek këto hetime e ka pikënisjen edhe shkarkimi i tij nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe hetimi nga Prokurori Special. Ajo çfarë publiku amerikan nuk di është se në kohën që McGonigal hetonte Presidentin Trump, ai vizitoi disa herë Shqipërinë, si miku personal i Kryeministrit Rama. Lideri i opozitës konservatore Berisha e ka akuzuar atë se për llogari të kryeministrit Rama ka përgatitur dosjen mbi të cilën u shpall non-grata nga Sekretari Blinken. Kryetari socialist i Bashkisë së Tropojës-vendlindja e Sali Berishës-e shpalli McGonigal qytatar nderi me urdhër të Edi Ramës. Është evidente se kontributi i McGonigal për Tropojën, sipas Ramës është shpallja non-grata e Sali Berishës. McGonigal u arrestua nga FBI për dy çështje, ku njëra lidhej me korruptimin e tij nga njerëz të afërt të Kryeministrit Rama. Ai u shpall fajtor dhe u dënua nga gjykata e Uashingtonit pranverën e këtij viti. Ditën që gjykata do të dënonte McGonigal për korruptimin nga njerëz të Ramës, sekretari Blinken vizitoi Tiranën dhe në krah të Kryeministrit shqiptar deklaroi se Rama ishte njeriu që i duhej Shqipërisë.

Edi Rama shquhet për simbolikat tij. Para disa vitesh ai u pajis me një avion qeveritar të cilin e përdorte vetëm ai. Avionin e quajti ‘Ismail’ për nder të Ismail Qemalit, personit që shpalli pavarësinë dhe është babai i shtetit shqiptar. Para pak muajsh, Sali Berisha nga dritarja e ngujimit e akuzoi direkt Ramën se përdor avionin qeveritar për trafik droge, dhe u bëri thirrje autoriteteve italiane të hetonin rastin. Për shkak të profilit të tij Berisha flet shumë më pak nga çfarë di. Është më tepër se koincidencë që Rama hoqi dorë nga avioni qeveritar menjëherë pas akuzave të kundërshtarit të tij politik.

Fiks një vit më parë autoritetet belge dhe franceze të zbatimit të ligjit sollën disa dhjetëra mijëra faqe transkiptime të kryera në platformat e enkriptuara të komunikimeve SKY dhe ENCRO CHAT të përdorura masivisht nga grupe shqiptare të krimit të organizuar. Prokuroria e re shqiptare me ritmin e deri tanishëm të hetimeve do ti duhet rreth një dekadë për të zbërthyer thesarin hetimor franko-belg. Gazetarë investigativë pranë prokurorisë flasin për disa qindra zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar të cilët kanë përdorur platformat e mësipërme të komunikimit. Midis tyre janë ministra, drejtues të lartë të policisë, gjyqtarë e prokurorë, biznesmenë të lidhur me qeverinë. Pyetjes se a është dhe kryeministri shqiptar përdorues i këtyre platformave, gazetarët e mësipërm i përgjigjen në mënyrë afirmative. Në një raport të bërë publik vite me pare, shërbimi sekret shqiptar kishte identifikuar të paktën 134 zyrtarë të lartë të policisë së shtetit të përfshirë drejtpërdrejt në kultivimin dhe transportin ndërkombëtar të drogës.

Para pak ditësh media botërore, midis të cilave dhe Bloomberg raportuan për dy anije me mbi 100 kontejnerë të nisur nga porti i Durrësit në fillim të muajit korrik me destinacion Tajlandën. Sipas raportimeve dyshohet se ata kontejnerë përmbajnë lëndë toksike. Qeveria shqiptare ka zgjedhur heshtjen, por pyetjet që ngrihen janë të shumta. Kush është origjina e lëndëve toksike? A janë vërtet lëndë toksike apo diçka tjetër? Po sikur të jenë lëndë radioaktive? Si ka mundësi që të dy këto anije i shpëtuan kontrollit portual kur dihet se aty ka disa institucione të pranishme mes të cilave policia kufitare, drejtoria e doganave, shërbimi sekret. Drejtor i Portit të Durrësit në kohën e nisjes së anijeve ishte Pirro Vëngu, i promovuar pak ditë më parë si Ministër i Mbrojtjes. A ishte promovimi i tij shpërblim apo mbyllje goje? Kush është ajo forcë që komandon të gjitha këto institucione? Sa i sigurtë është porti i Durrësit për NATO-n? A mund të jetë ministri Vëngu partner i NATO-s? Përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk do t'i marrim kurrë nga autoritetet shqiptare. Se çfarë do të bëjë NATO dhe partnerët e tjerë, nuk e di. Pyetja që partneret duhet t’i shtrojnë qeverise shqiptare është: nëse mbi 500 kontejnerë me mbetje të rrezikshme industriale kalojnë kontrabandë në Durrës, atëherë çfarë garancish ka për kontejnerë të tjerë me drogë apo armë?

Mbështetja e administratës amerikane për Ramën është e pakufi. Askush në Shqipëri nuk ka arritur dot të shpjegojë pse-në. Lobimi, korruptimi dhe situata gjeopolitike në Evropë janë pjesëza të përgjigjes. Partia konservatore e opozitës është më pro-amerikane se Partia Socialiste në pushtet, Sali Berisha është politikani që udhëhoqi lëvizjen për rrëzimin e komunizmit, solli SHBA-të në Shqipëri, anëtarësoi vendin në NATO, dhe ka përkrahur çdo nismë të SHBA-ve në OKB dhe NATO. Pra, edhe antiamerikanizmi i opozitës bie si argument. Në kohën kur Edi Rama u vetëofrua për të pranuar lëndët kimike siriane dhe më vonë kur mori mbi 4000 muxhahedinë të opozitës iraniane, kam patur ndjesinë se raportet midis Shqipërisë dhe SHBA-ve do të ndikoheshin në mënyrë të konsiderueshme edhe nga dinamika e marrëdhënieve midis SHBA-ve dhe Iranit. Për më tepër që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, krah i djathtë i Ramës dhe krijesë e Soros, është përfolur disa herë për vizita të fshehta në Teheran.

Në gushtin e vitit 1985, administratës së Presidentit Reagan i plasi në dorë skandali Iran-Contra. Midis vitit 1981 dhe 1986 zyrtarë të lartë të administratës së tij kishin mundësuar shitjen sekrete të armëve Iranit, i cili ishte nën embargo. Të ardhurat nga shitja e armëve u përdorën për të financuar Contra-t, një grup rebelësh kundër regjimit të majtë Sandinista në Nikaragua. Një aferë që përfshinte shkelje të ligjit amerikan, shkelje embargoje, shitje armësh, trafik droge. Hetimet e FBI çuan në dënimin e 11 personave midis të cilëve Caspar Weinberger- Sekretar i Mbrojtjes, Robert Mc.Farlane, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit, Elliott Abrams, Asistent Sekretar i Shtetit, Oliver North, anëtar i Këshillit të Sigurimit Kombëtar.

Probabiliteti që Donald Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë është i madh. Po aq e madhe është edhe mundësia që republikanët të marrin kontrollin e Kongresit dhe Senatit. Në një skenar të tillë, politika e SHBA-ve ndaj Iranit dhe opozitës së MEK do ndryshojë 180 gradë. Senatorë, kongresmene dhe zyrtarë amerikanë do t’i rikthehen vizitave në kampin e MEK në Shqipëri. Opozita konservatore shqiptare duhet të përgatisë një dosje të plotë dhe te detajuar mbi çfarë ka ndodhur në këto vite jo vetëm për Kongresin, por edhe për Inspektorët e Përgjithshëm të disa departamenteve dhe agjencive. Interesi i rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve në shina të drejta është më i madh se interesi momental i disa politikaneve dhe lobistëve në Uashington dhe Tiranë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco