Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ 'Divorci' Meta - Kryemadhi

Sa i vjetër ky banalitet

Sa i vjetër ky banalitet

Nga Aurel Plasari - 10/06/2017

(Nënvizime për ciklin “Me historinë poshtë nënkresës”)

Nga një libër modest zbulohet një realitet tronditës. Ky është sekreti i librave të mirë, si monografia e z. Koleç Çefa për historikun e grupit opozitar “Ora e Maleve”: Gurakuqi, Fishta, Harapi, Palaj, Shantoja, Topalli etj. Por edhe të gazetës me të njëjtin emër të atij grupi (1923-1924). Pa qenë recension për librin, ky është vetëm një tok shënimesh me nënvizimet nga leximi prej dokumenteve i një vargu të vërtetash. Janë nga ato që nëpër librat e historisë nuk thuhen. Shkurt rrethanat historiko-politike: Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes ishte ngritur e qe vendosur në Tiranën që e kishte quajtur “kryeqytet provizor”. 1921-shi ishte vit i të parave zgjedhje parlamentare.

Politika e improvizuar e Tiranës rrekej të imitonte politikën e rafinuar të Europës. Ishte krijuar edhe e para parti e njohur politike: veten ajo e quante “Popullorja”, ndërsa për të tjerët do të ishte thjesht “Klika”. Nuk do të vononte dhe në krye të saj do të imponohej Ahmet Zogu. Më 11 korrik formohej qeveria e parë, ajo e Iljaz Vrionit. Pa zgjatur shumë ajo rrëzohej dhe formohej më 16 tetor qeveria e Pandeli Evangjelit. Binte edhe kjo dhe më 6 dhjetor formohej qeveria e Qazim Koculit. Një ditë më mbas, më 7 dhjetor, formohej tjetër qeveri, ajo e Hasan Prishtinës, e cila nuk zgjaste më shumë se pesë ditë. Më 12 dhjetor formohej qeveria e Idhomene Kosturit. Atë më 24 dhjetor e zëvendësonte qeveria e Xhafer Ypit. Destabilizimi qeveritar u la fushë të lirë më 1922 kryengritjeve në disa zona të Shqipërisë. Më 1923 zhvilloheshin zgjedhjet për “Kuvendin Kushtetues”. Më 1924: po dihet.

Ahmet Zogu deputet. – Një parantezë sa për të vënë në dukje një fakt ekzotik në ato hapa të parë të politikës shqiptare: simbas Ligjit për Zgjedhjet në Këshillin Kombëtar, të dekretuar nga Këshilli i Naltë, mosha e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 1921-shit duhej të ishte mbi 30 vjeç, kurse Zogu nuk ishte veçse 26 vjeç. Nuk është shpjeguar asnjëherë sesi ia doli 26-vjeçari të depërtonte në ato zgjedhje nga të cilat dilte fitues.

Europianizëm me ngritje dore. – Qysh në ditën e parë të mbledhjes së Këshillit Kombëtar konsumohet edhe e para bëmë qytetërimore: fjala “bej” zëvendësohet me fjalën “zotëri”, athua se shndërrimi i një mendësie në një tjetër u kryekësh me një të ngritur dore.

Me famë, por pa bukë. – Nga letra e Anvi Rustemit drejtorit të gazetës “Ora e Maleve”: “Uroj nga zemra që gazeta të ketë përparim e jetë të gjatë që, kështu, zëri i saj të zbutë pak mjerimet e popullsisë aty dhe të Maleve me famë, por pa bukë”.   

Autoritarizmi ka qitur kokën. – Një nga shqetësimet e grupit “Ora e Maleve”: “të ruhemi që të mos i japim fuqi të madhe pushtetit politik”.

Liria e shtypit. – “Ora e Maleve” për çështjen e mbrojtjen e kufijve të Veriut të rrezikuar nga ndërhyrja jugosllave: “Nuk na çudit fort heshtja e deritanishme e gazetave proqeveritare, mbasi disa prej tyne kanë frenin në gojë”.

Fobia nga të vërtetat e shtypit. – “Ora e maleve” boton një numër të veçantë për çështjen e kufijve të rrezikuara nga ndërhyrja jugosllave. Prefekti i Shkodrës e konfiskon numrin dhe arreston e fut në burg shitësit e gazetës, djem të vegjël 10-12 vjeç. Por kjo nuk i mjafton: var nëpër mure një shpallje, në të cilën vetë prefekti polemizon me “Orën e Maleve”. Shpallja i jepet edhe tellallit që, i përcjellë me polic, t’ia trumbetojë popullit. Afërmendsh që prefekti nuk e kupton që në këtë mënyrë e bën edhe më popullor numrin e konfiskuar të gazetës.

Administrimi i Shkodrës. – Luigj Gurakuqi në Parlament mbas skandalit të prefektit: “Mos e merrni aq lehtë çështjen e administratës së prefekturës së Shkodrës, se Shkodra asht nji prefekturë  e madhe, e asht mësue me u administrue prej zyrtarësh të naltë, ka pas në krye gjenerala. Mos e lini mbas dore nji qytet ku luhen role të mëdha…”.

Të gjitha mjetet kundër opozitës. – Në përgatitjen e zgjedhjeve të 1923-shit për Kuvendin Kushtetues mund të nxirret nga fletorja “Ora e Maleve” lista e të gjitha mjeteve të përdorura nga qeveria, legale e ilegale, për të penguar opozitën: premtime dhe kërcënime, ryshfete e ndëshkime, arrestime e burgosje.

Reformë territoriale më 1923. – Ndër mënyrat që mund të quhen “marifete” të përdorura nga qeveria për të penguar opozitën është edhe njëfarë “reforme territoriale”: ajo shkëput nga prefektura e Shkodrës krahinat mirditase të Këthellës, Bishkashit, Selitës dhe ua bashkon ato nënprefekturave të Matit, ku Ahmet Zogu i ka pozitat më të forta.

Diplomaci e paanshme? – Nga letërkëmbimi i kryepeshkopit të Shkodrës lexohet: ambasadori i Italisë, markezi Di Durazzo, ka ndërhyrë pranë tij në favor të Ahmet Zogut për të fashitur opozitën e grupit “Ora e Maleve”. Ka ndërhyrë madje “me kambëngulje”, sqaron arkipeshkvi Lazer Mjeda. Ai orvatet të sqarojë Grupin që  ndërhyrja e “markezit” në këtë çështje është “tanësisht gja e veçantë e tij” dhe qeveria italiane nuk ka të bëjë aspak në këtë ndërhyrje.

Vajguri dhe kontrabandë paresh. – Nga një shënim i Fishtës mësohet që në Shkodër ka vajtur edhe ambasadori anglez për të bindur autoritetet që të votohet në favor të listës së Ahmet Zogut. Fishta nuk ka ngurruar të saktësojë: “ministri anglez mjaft i njohun për hir të interesave në çështjen e vojgurit, si dhe për kontrabandë paresh në Shqipní”.

Korrupsion në fushatë. – Nga një mesazh Luigj Gurakuqit prej Arkipeshkvit të Shkodrës, 1 korrik 1924: “qeveria e Zogollit ka shpërdorue me mija napulionash per qellime korrupsionit në kohë të zgjedhjeve”.

Fqinjë si fqinjë. – Në një letër të Arkipeshkvit të Shkodrës, që botohet për herë të parë, tërheq vëmendjen shënimi që në fushatën elektorale të 1923-shit pro listës qeveritare “qeveria dhe jugosllavët shpërndajnë pare”. Saktëson arkipeshkvi: “Na nuk kemi e nuk duem me dhanë asnji soldë”.

Erdogani nuk ishte. – Megjithëkëtë nënkryetari i Parlamentit Eshref Frashëri shapll: “Neve me Tyrqinë jemi një trup edhe sot interesat i kemi të përbashkëta”.

Drejtësi. – Qeveria ka planifikuar të hedhë në gjyq fletoren “Ora e Maleve” për një artikull të botuar “kundra qeverisë”. Është vënë në lëvizje Ministria e Punëve të Brendshme, sepse gjykatësi të cilit i takon çështja ka qëlluar simpatizues i “Orës së Maleve”, madje në marrëdhënie të mira me redaksinë e fletores. Atëherë? Zyra sekrete propozon që “shpejtazi” të nxirret e të komunikohet dekreti për transferimin e gjykatësit në fjalë.

Oligarki. – Ja që nuk qenkësh term i ri në qeverisjen e Shqipërisë. E ka përdorur Gurakuqi: “tendenca oligarkike vete tue u shtue, qarku tue u ngushtue, personat tue u paksue…”.

Vetëm njëri jo në parlament. – Të gjithë kundër njërit, kundër opozitarit të quajtur edhe “njeriu sine qua non”. Luigj Gurakuqi rezulton i luftuar egër jo vetëm nga kundërshtarët e tij të partisë së Zogut, por edhe nga një pjesë e “të vetëve”: shpifje, thashetheme, fyerje, falsifikime. Si shpjegohet, ndaj një personaliteti kulturor e politik si Gurakuqi, kjo frikë e ndërzyer me urrejtje? Lexohet tek “Ora” edhe me vetëm një gjysmë fjalie: “në te kundërshtarët shohin kundërshtarin ma të fortë”. Si reziston ky njeri? Është tërhequr në Troshan për të ruajtur qetësinë dhe për të kalitur vullnetin. “Ishin këshillat e të ligut, e të verbëtit, e na nuk i ndoqme, – ka kujtuar Shantoja: – nji accord me të cilin kishim për të pasë gjithçka dëshirojshim, mjaft që t’u shlyente emni i Luigj Gurakuqit…”. Vetë Luigji, duke përshkruar “fatin” e vet, i rrëfehet në një letër imzot Mjedës: “Fitimet qi kam pasun deri më sod prej jetës s’eme politike janë këto: rrezik jete, të shame, e borxhe”.

Nëpunësí si çështje partie. – Situata kuptohet nga ky shënim i “Orës”: “Çashtja e nëpunësisë asht tue u ba çashtje partie. Do ta themi açik: për me hi në punë s’po kërkohet fort vlera e nëpunësit, por fytyra a ma mirë boja e atij që e porositë. Opozita deshiron që administrata jonë të jetë si nji makinë e lehtë, të ketë pak nëpunës, por të zotët, nëpunës të paguem mirë, të marrun me konkurs, por jo në atë mënyrë konkursi që përdorë qeveria e soçme”.

Operacion që nuk u bë. – Këshilla të “Orës” edhe për administratën e qeverisë e Nolit: “Dlirnie prej parazitëve hafije, prej ushujzave zyrtarë, prej deputetëve keqana e keni shpëtue Shqipninë. Mbanie mend, zotnitë e mi, parimin kirurgjik se nji kirurg i dhimbshem, ose i padijshëm, asht nji kasap katil. Banie këte operacion sa ma shpejt, sa ma me rrajë e me ma pak gjakderdhje”.  

24-a e paralajmëruar më 1921. – “Ora e Maleve” për vrasjen e Avni Rustemit: “Në artikullin që botuem në rasën e hapjes së Këshillit Kombëtar patme shkrue se Shqipnija i kishte ngja nji anijes që udhëton me nji të dekun mbrendë. Nuk e kishim mendue kurrë se ai i vdekun do të ishte Anvi Rustemi”.

Duhet falenderuar z. Kolec Çefa, i cili pati synimin e bukur të nxirrte në dritën e homazhit një grup burrash të mëdhenj të politikës shqiptare, që e ushtruan opozitarizmin si nder dhe luftuan për të pa tradhtuar e madje duke u flijuar. Autori nxit të ruajmë për ta “kujtimin e ngrohtë”. Vetë, që pëlqej të lexoj edhe “kujtimin e ftohtë” të historisë, i jam mirënjohës që ma përkujtoi edhe një herë se sa i vjetër është ky banalitet, që tash së afërmi mund të mbushë plot 100 vjet.

/Marrë nga Hashtag.al/

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Vetting Rama15/06/2017 13:02

me sa kuptoj ju te Srit komentet i beni nga redaksia si tek Tema e Mero Bazes

zaho14/06/2017 14:22

S i vjeter ky banal !

zahoi i te tjereve12/06/2017 14:58

Nuk rreshtin komisaret e historise se endhjerit duke hedhur balte mbi Zogun, ate qe beri te njohur Shqiperine ne gjithe boten: Pa pretenduar se e njoh historine si keta te endhjerit, por duke ditur fakte qe keta istoriane te helmuar perjetesisht prej idologjise se kuqe, nuk i permendin ( jepi qezarit ate qe i takon qezarit) te mirat qe Zogu solli per Shqiperine: 1- U njoh zytarisht qeveria e tij nga gjithe evropa, me thmelimin e Lidhjes se Kombeve, ishte nga shtetet e para qe u pranuan (pas atyre qe e themeluan) U be antare e fifas pak vite pas themelimit te saje, Te gjitha keto ne saje te atdhetarizmit dhe inteligjences se tij, eshte kjo Shqipri sot. Pa Zogun shqiptaret sot do te ishin si palestinezet, popull pa atdhe, o mij bibliotekash te helmuara nga kolera e kuqe!

Qytetari i Qytetarise N12/06/2017 12:26

Keshtu paska qene me kohe, nuk ka ndryshim, vetem iPhone dhe Laptop dhe CreditCarde zevendesuan tellofonin, shkruesin dhe cekun e atyre koherave. Po ne kohe te malukatit Enver c'behej valle???? Kristaqi bente "skluptura", Saliu kuronte panciente, Fatosi ne Aparat te Centralit te Partise, Edi luante basket per klubin e kalecave Dinamo dhe ne .......prisnim ti binin koqet dashit Enver....kur Enverit i erdhi ngordhja,, ua dha koqet keture qe i vene mbi koke e tunden e shkunden si aborigenet e Amazones e kjo ne folklorin politik quhet "VALLJA E KOQEVE TE BABES". vetem muzika ka ndryshuar nga " o ti moj cike o moj cike malcie" ne "rock round the clock" por koreografia eshte e njejta.

alfonsi12/06/2017 10:22

per fatin tone te keq,(ose per injorancen tone) kemi zgjedhe gati gjithmone mashtruesat me na pri!'

Maloku10/06/2017 23:05

Edhe nipi i Ahmet Zogut, Edi Rama e kopjoi nje per nje gjyshin e tij si ne reformen territoriale ashtu edhe ne presionet dhe blerien e votave, por edhe ne perkrahjen e ambasadoreve te shumte. Interesante se si perseritet historia nga e njejta familje!

Shto koment

Denonco