Në favor të Edi Ramës

Në favor të Edi Ramës

Nga Enton Abilekaj - 07/06/2017

Shpalosja e rezultateve të pjesës së pashkruar të marrëveshjes Rama-Basha, e ka detyruar Ilir Metën të flakë qetësinë dhe dashurinë, ta kthejë përmbys karrigen e Presidentit të zgjedhur dhe të kthehet në luftë. Me humbje të mëdha, pas shkarkimit nga puna të disa drejtorëve, pas hapjes së çështjes penale për një nga deputetët e Beratit dhe pas kërcënimeve direkte nga Rama dhe Basha, Meta u kthye më i egërsuar se kurrë. Tashmë i bindur se Presidenca nuk ishte dhuratë për ta joshur në funksion të një marrëveshjeje të re, por syrgjynosje për ta larguar nga një betejë ku LSI ishte e rrethuar.

Rama dhe Basha prej ditësh i janë turrur elektoratit pragmatist të LSI, elektorat që është atje për të garantuar një vend pune në administratë. Rama deklaron se nuk do të ketë më federalizim të administratës, Basha deklaron se nuk do të ketë më pushtet për LSI, SH.P.K.- ja do të falimentojë në 25 qershor, ndaj elektorati që në 2013 iku nga PD për vendin e punës, duhet të kthehet. Shkarkimi i drejtorëve të LSI tenton ta konkretizojë këtë mesazh. Rikthimi I Metës, konfirmoi se LSI është e alarmuar, ndërsa raportet në këtë treshe mund të sjellin të papritura. Edi Rama duket se është ideatori i kësaj strategjie. Për 6 muaj tentoi ta bindte LSI-në të nënshkruante Aleancën, që të hynte në zgjedhje për një shëtitje që do ta konfirmonte si Kryeministër. Refuzimi i LSI, mbështetja që i dha cadrës, e bindën Ramën që Meta ishte më afër PD se PS. Këtë frazë e ka përsëritur cdo ditë që kur Meta u votua për President.

Kjo do të thoshte për Ramën se, me shumë gjasa, LSI pas zgjedhjeve do të preferonte një koalicion me PD. Moslejimi i aleancave parazgjedhore, dalja e PD me aleatët në të njëjtën sigël, mund ta komplikonte situatën për Ramën, që po hynte në zgjedhje si Kryeministër i shkarkuar. Vetëm ideja e një koalicioni të madh dhe lufta ndaj LSI mund ta shpëtonte nga ky perceptim. Shkatërrimi I LSI është ëndërr e vjetër e kryetarit të PS që tenton prej vitesh unifikimin e së majtës. Pasi bëri Metën syrgjyn dhe Bashën aleat, u nis i vendosur për një betejë me LSI. Nëse humbet me aleatin e majtë, ka të sigurtë aleatin e djathtë. Jo më kot nga Vlora I qau hallin edhe PD.

“Dy partitë e mëdha vuajnë nga aleatët”, tha Rama, që ditën e mohon dhe natën e pohon Koalicionin e Madh. Lulzim Basha u duk se hyri më shanse më të mëdha se Rama në zgjedhje. Edhe me një rezultat më të keq, mund të ishte ai Kryeministri I ardhshëm, me mbështetjen e LSI që nuk e do më Ramën të pushtetshëm. Kundër këtyre parashikimeve, Basha e filloi i pari betejën me LSI. E reklamon dëshirën për shkatërrimin e partisë së Ilir Metës, premton që nuk do të ketë koalicion me ta pas zgjedhjeve. Gjuha e tij I pret rrugën këtij koalicioni që do ta favorizonte pas zgjedhjeve edhe nëse del parti e dytë.

Koalicioni i pazyrtarizuar i partive antiRilindje, dukej fitues në fund të majit, kur përfunduan regjistrimet. PD, LSI, PDIU dhe LIBRA me votat që pritet të marrin, mund ta zyrtarizonin qeverinë përpara 25 qershorit. Por Basha, duke sulmuar LSI-në dhe duke mos përgënjshtruar thashethemin e madh të fushatës, forcon dyshimet për një marrëveshje të pashkruar, që e orienton drejt një koalicioni të madh me Rilindjen. Fakti që Basha mund të bëhet vetë Kryeministër, me koalicione të vogla, është argument I fortë kundër Koalicionit të Madh me Ramën Kryeministër. Ilir Meta dukej se nuk e ndiente veten të rrezikuar nga projekti I dy të mëdhenjve. Qetësia dhe dashuria, u jepte siguri edhe pragmatistëve. Në llogari të fundit, secila nga partitë do të detyrohej të falej tek LSI. Deri të martën në mbrëmje, kur ky version ra për shkak të zemërimit të Ilir Metës. Më parë në Shkodër dhe më pas në studion e Debatit në Channel One, lideri themelues i LSI, konfirmoi rrezikun, duke sulmuar majtas dhe djathtas. Gjuha e ashpër e Ilir Metës, konfirmoi shqetësimet e pragmatistëve se LSI mund të mbetet në opozitë dhe se koalicioni I madh tashmë është realitet. Sulmet e patën efektin e tyre të parë. Një efekt që mund të rikuperohet deri në 25 qershor kur votuesit pragmatistë do të marrin vendimin.

Duke qenë një parti e qendrës së majtë, dezertimi I elektoratit të LSI, do të favorizonte më shumë Rilindjen në raport me PD dhe I shërben më shumë dëshirës maksimaliste të Ramës për të qeverisur vetëm, sesa Koalicionit të Madh. Është ende herët për të hapur letrat. Dje Sali Berisha deklaroi se Rama nuk është më Kryeministër pas zgjedhjeve. Jo më kot Meta ka tjetër sjellje ndaj liderit historik të PD-së. Mbetet e paqartë pavarësia e Bashës për të marrë vendimet e rëndësishme. E qartë deri tani është se lufta mes tre partive, kështu sic po zhvillohet, favorizon Edi Ramën. Jo vetëm se e mban si pretendent kryesor për Kryeministër, por edhe se e shmang debatin nga qeverisja 44 – mujore dhe pasojat e saj për vendin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shaba08/06/2017 11:37

Zoterinj analiste dhe opinioniste! Ju te habisni sepse, e para, nuk e keni idene e matematikes dhe e dyta, nuk llogarisni mire anen morale te koalicioneve dhe interesat e votuesve. Shkurt dhe qarte! Vetem 1 gje eshte 1000% e sigurte: PD nuk do te beje kurre koalicion me Rilindjen e deshtuar. PD do te beje koalicion vetem me LSI-ne pragmatiste.

krasasi tp08/06/2017 09:06

Ka nje perceptim qe antaret e LSI e mbajne nga nje luge ne dore dhe i sulen "tepsise se pushtetit" duke lene te tjeret pa gje.Kesaj po i meshon forte sot ne fushat z.Rama.Se pari kerkon ti paraqes antaret dhe votuesit e LSI si interesaxhij, si njerez pa ideal, pa ndjenja patriotike dhe LSI si nje parti pa program,pa synime qe ta demokratizoji jeten politike dhe shoqerore ne vendin tone.Pra nje bande.Nese do shkruanim se si mund ti klasifikonim raportet midis partive politike dhe te flisnim sipas karakterizimit qe ju bene Fatos Lubonja partive politike qe i konkretizon te tre partite e medha si banda, atehere une them se LSI paraqitet si nje bande ku ka "40 hajduta e 400 kapedan".hane e vjedhin pak hajduta dhe hane edhe "populli LSI-ste.Per PS duhet te ndryshojme raportet.400 hajduta e 13 kapedane.Ne grupin parlamentar te PS ka 13 oligark+3 oligark ne ate te PD."Marreveshja pazar" synon ndryshime te raportit ne ndarjen e "tepsise se shtetit"dhe z.Rama si nje "fjale mbajtur" qe eshte mund tja jap nje dore z.Basha ne ndarjen e prese se shtetit.Qytetaret ftohen nga pazarxhijte PS-PD ta votojne projektin e Institucionalizimit te Oligarkise ne vendin tone dhe qytetareve ju premtohen ca vende pune qe do ju meren leseisteve.E turpshme,denigruse,nji perpjekje per varrosjen e pluralizmit,institucionalizim te oligarkise, pa program te konsultuar me nje debat te gjere ne publik, perfshire akademiket, specialistet e fushave, shoqerine civile ,antaresine e partive, median dhe qytetaret.Per pergjegjesite e LSI dhe te zotit Meta ne kete rreshqitje te vendit mund te mbushim nje faqe libri.Per pergjegjesite e Rilindjes dhe te z.Rama por edhe te z.Basha te drejtimin e PD dhe "marreveshjen pazar" mund te shkruajme nji liber me 300 faqe.Zoti dhe qytetaret e ndimofshin Shqiperine duke u qartesuar dhe kthjelluar nga hiri i Perendise dhe jo te hipnotizohen nda demagogjite e politikaneve.

Shto koment

Denonco