Pas sondazhit gjerman Thaçi thërret në ndihmë Ramën!

Pas sondazhit gjerman Thaçi thërret në ndihmë Ramën!

Nga Enver Bytyçi - 07/06/2017

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkuar dje në Tropojë, por nuk ka denjuar të qëndrojë gjatë, sepse i duhej të drekonte në Gjakovë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Para pak ditësh në një prezantim Rama u foli disa pjesmarrësve nga Kosova me shprehjen e dikurshme “miqtë tanë kosovarë”, por në Gjakovë ai e ka takuar zotin Thaçi “vëllazërisht”! Sigurisht që nuk ka asgjë të keqe që dy liderë shqiptarë të takohen “vëllazërisht”.

Por të jesh vëlla me presidentin dhe “armik” me kryeministrin e Kosovës, ky do të quhej paradoks dhe absurditet! Në këtë kontekst takimi i Gjakovës mesditën e 6 qershorit 2017 do të shënohet si një ngjarje tipike politike dhe elektorale. Sipas konceptit marksist e stalinist aleatët ideologjikë janë sekt “vëllezërish”! Si të tillë u takuan në Gjakovë kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Kosovës. Ndoshta ishte një takim i papritur, i diktuar nga sindazhi i fundit i kompanisë hulumtuese gjermane SDR për zgjedhjet në Kosovë. Ky sondazh nxjerr si fitues të zgjedhjeve në Kosovë të datës 11 qershor kandidatin për kryeministër të LDK-AKR-Alternativa, Abdullah Hoti me 40.4 përqind të votave, ndërkohë që kandidati i zotit Thaçi, pra Ramush Haradinaj, renditet i dyti me 34.2 përqind dhe Albin Kurti i treti me 25.4 përqind. Po ashtu edhe në përgjigjen e pyetjes se “Kush është më i ndershëm nga kandidatët për kryeministër, Hoti ka fituar 27.30 përqind, Kurti 25.30 dhe Haradinaj 21.90 përqind të votave të atyre 3000 qytetarëve që janë pyetur në Kosovë. Interesant është gjithashtu testi i besueshmërisë, pra se cili prej kandidatëve është më i besueshëm.

Edhe në këtë test garën e fiton kandidati i LDK-së, Abdullah Hoti me 30.12 përqind, ndërkohë që Albin Kurti vlerësohet me 24.10 pikë dhe Ramush Haradinaj me 19.10 pikë. Rënia e liderit të përndjekur nga Beogradi në kuotat më të ulëta të besueshmërisë sesa rivali i tij I LDK-së duket se lidhet me qëndrimet e dyfishta të tij ndaj Partisë Demokratike të zotit Thaçi, të cilën tashmë e kryeson zoti Kadri Veseli. Anketimi me shifrat e lartpërmendura duket se ka përmbysur pritshmëritë dhe ka prishur humorin e presidentit Thaçi. Në vend të një fitoreje të sigurt të menduar pas koalicionit të gjerë me AAK-në dhe Nismën, PDK duket se ka shënuar rënie në vlerësimin e opinionit publik. Në zgjedhjet e kaluara edhe pse me disa aleatë të parëndësishëm, ajo mbajti vendin e parë në rezultatin zgjedhor, ndërkohë që kësaj radhe rrezikon të jetë në vendin e dytë, duke siguruar statusin e të qenit në opozitë. Pse ka ndodhur një përmbysje e tillë?

Së pari, qytetarët e Kosovës nuk e kanë pritur mirë “pabesinë” politike të PDK-së, e cila pasi siguroi të gjitha privilegjet e marrëveshjes për bashkëqeverisje me LDK-në, e prishi koalicionin, duke e dërguar vendin për të dytën apo të tretën herë në zgjedhje të parakohshme. Kjo kulturë politike e moskorrektësisë në sjelljen me partnerët politikë shihet nga votuesit e Kosovës si shenjë e paqëndrueshmërisë jo vetëm në karakter e në moralin politik, por edhe si premisë negative për konsolidimin e institucioneve të Kosovës. Para 15 vitesh kam shkruar se intuita politike dhe disiplina politike e shqiptarëve në Kosovë e bashkë me këtë edhe kultura e tyre politike është në një nivel shumë më të lartë sesa e shqiptarëve në Shqipëri, Maqedoni e gjetkë ku jetojnë shqiptarët në Ballkan. Prandaj dhe ata nuk pajtohen me hilet, prapaskenat, mizaskenat, intrigat dhe nërskëmbsat në marrëdhëniet politike në një koalicion të caktuar. Për ta ilustruar këtë do të doja të sillja një situatë të hamendësuar: Imagjinoni Edi Ramën të bënte një fushatë elektorale batutash në Kosovë, çfarë e bën në Shqipëri! Do të merrte jo më shumë vota sa kishte marrë në vitin 2000 partia e Rexhep Qosjes. Por kjo do të ndodhte në Kosovë, nuk ndodh në Shqipërinë e frustuar që rend pas më të fortit e jo pas më të drejtit e më të urtit!

Së dyti, për të njëjtën arësye shqiptarët në Kosovë duket që nuk i besojnë koalicionit PDK-AAK-Nisma. Ata u gjendën papritmas përballë një koalicioni, në të cilin vunë re ambicjen për kreun e ekzekutivit dhe jo afërsitë programore ose bashkëpunimin tradicional. Pikërisht kjo i bën votuesit kosovarë skeptikë ndaj këtij koalicioni parazgjedhor.

Së treti, ishte abuzimi me pushtetin dhe ligjet e Kosovës nga ana e disa eksponentëve të PDK-së, arësyeja kryesore e “ndëshkimit” elektoral, të cilin e parashikon kompania gjermane SDR. Ndërkaq është më interes të thuhet pse Abdullah Hoti është më i besueshëm, më i ndershëm dhe shihet si kryeministër i ardhshëm i Kosovës? Ndoshta zoti Hoti do të kishte kuota më të larta vlerësimi, nëse nuk do të shihej si “hije” e Isa Mustafës. Por duket se shqiptarët në Kosovë besojnë se me marrjen e detyrës së kryeministrit ai do të dijë të shkëputet nga influenca e tij, madje besojnë se do ta marrë nën drejtimin e tij Lidhjen Demokratike të Kosovës. Zoti Hoti edhe pse anëtar i Kabinetit Mustafa si ministër i financave, është i papërfolur sa i përket ndonjë afere korruptive. Ai shihet gjithashtu si një personalitet i urtë, i matur, i aftë në menaxhimin e financave të vendit. Ndërkaq qytetarët e Kosovës kanë ndjesinë se tashmë do të duhet t’i besojnë një brezi të ri politikanësh me shpresën se ky brez do t’i ndryshojë gjërat dhe do të hapë një faqe të re të perspektivës së shtetësisë. Dhe këtu ka diçka reale e substanciale. Abdullah Hoti i takon një gjenerate pa komplekse, pa paragjykime, i pa mësuar me kategori të tilla psiqike negative si urrejtja, inati, hasmëria, për pasojë krijon mundësitë për krijimin e një harmonie dhe ekuilibri të ri në shoqërinë politike të Kosovës. Si bartës i disa tipareve pozitive, zoti Hoti u jep njerëzve energji positive, çka do të thotë i bën ata të jenë optimistë dhe të motivohen në veprimtarinë konkrete të së tashmes.

Nisur nga këto premisa sondazhi e ka shqetësuar kryetarin de facto të PDK-së, presidentin e Kosovës, zotin Thaçi, e për pasojë ai ka thirrur në ndihmë kryeministrin shqiptar, zotin Rama. Po sa mund ta ketë ndihëmuar atë kryeministri a Shqipërisë, pavarësisht takimit “vëllazëror” në Gjakovën e 6 qershorit, takim që ka për synim të reflektojë demonstrimin e forcës “së bashkimit” ideologjik për përfitime elektorale?! Kjo mbetet për t’u parë. Megjithatë, nëse kemi parasysh reagimet e ministrave të zotit Thaçi, (të Enver Hoxhajt psh) ndaj kryeministrit Rama, atëherë mund të thuhet se impakti i këtij takimi nuk do të jetë aq pozitiv. Nëse koalicioni PDK-AAK-Nisma shihet në aparencë si “repart antiserb”, marrëdhënia e ngushtë e zotit Rama me zotin Vuçiç flet për një imazh tjetër. Kjo do të thotë se mesazhi që jep zoti Rama dhe ai mesazh që jep koalicioni i zotit Thaçi në Kosovë nuk konvergojnë. Dmth se besueshmërinë ndaj zotit Haradinaj nuk mund ta rrisë një drekë e këndshme midis presidentit të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë. Për rrjedhojë nuk do të pritet që zoti Hoti të dobëzohet në pozicionin politik që ka fituar. Abdullah Hoti pritet që t’i prijë rezultatit zgjedhor dhe është për t’u besuar se ai do ta ndryshojë pozitën e brendshme të Kosovës si dhe raportin e ngrirë që ajo trashëgon në raportet e saj me faktorin vendimmarrës ndërkombëtar si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco