Lajmi i fundit

LIVE/ Presidenti i PL, Ilir Meta konferencë për mediat

Nën një 'elitë' vagabondësh, si kjo e jona...

Nën një 'elitë' vagabondësh, si kjo e jona...

Nga Gent Strazimiri - 08/07/2024

Në çdo provincë të globit, kudo ku ndodhet, nëse zë miqësi me kryetarin e bashkisë, doktorin, noterin, farmacistin, drejtorin e shkollës, avokatin, kryeinspektorin, ke hyrë me të dy këmbët në elitën e qytetit.
Mund të mos jenë tërheqës e as euridtë, por të paktën janë intelektualët e provincës, ata që përditshmërinë e kanë të lidhur me familjen dhe karrierën, mbase edhe mediokër por krejt transparente.
Maksimumi i "sekretit" që fshehin në vetvete, është ndonjë dashnore që ia dinë të gjithë (përfshi dhe bashkëshorten), por që zyrtarisht edhe ajo "nuk ekziston"...

Kjo është jeta në çdo provincë të globit, përveçse në Shqipëri...

Në Shqipëri, në një rast të tillë, me shumë gjasa, je ulur në të njëjtën tryezë me vagabondët më të dëmshëm e të rrezikshëm që edhe një skenar filmi aksion zorr se mund ta imagjinojë!

Në provincën shqiptare, Kryetari i Bashkisë filmohet duke tërhequr me hundë në një banak një pluhur të bardhë (?!)...
Fillimisht thotë "ai jam unë, po s'po thith drogë", pastaj thotë "nuk jam unë, nuk e di kush është ai që po thith me hundë, e mbase nuk po thith drogë as ai..."
Pas kësaj, jeta vazhdon... Ai bie në burg pas disa kohësh por një krim që e bëjnë të gjithë kolegët e tij... punë tenderi...

"Avokati", anëtar i një familje në zë drejtuesish të lartë të policisë, është pjesë e një organizate kriminale ndërkombëtare të trafikut të kokainës, madje paguan kolegët e organizatës për t'i vrarë gruan... kot për qejf...

"Doktori" që ka klinikën në ndërtesën më impozante të provincës, që xhaxhain e ka deputetin e zonës e që ka akses tek krerët më të lartë të shtetit, në të vërtetë është një vrasës me pagesë që pistoletën nuk e heq nga brezi as kur shtrihet të flejë gjumin e natës...
Shet kokainë dhe vret njerëz për para', megjithëse vetëm për para' nuk ka nevojë...
Me pistoletë në dorë, së bashku me bandën e kushërinjve, futet në komisariat të policisë, degjeneron oficerët, madje ndonjërin e detyron të largohet fare nga vendi me strehim politik... 
Të tëra këto i bën në shoqërinë e një deputeti tjetër që nuk është i zonës, as i afërm i tij, e që pas kësaj bëhet ... Ministër i Brendëshëm...
Në fund e arrestojnë për atentat ndaj një prokurori me marrëdhënie të dyshimta profesionale dhe qartësisht armiqësore me qeverinë, mu në mes të autostradës...

"Farmacisti" është i biri i prokurorit lokal dhe rëndom është kontrabandist ilaçesh të skaduara, por pothuaj në çdo rast prej tij gjen edhe "ilaçet" që ndalohen nga ligji...
"Kryeinspektori", është i biri i një drejtueseje të lartë të sistemit të drejtësisë dhe shefit të kadastrës, por që pasion ka "boksin" aq sa vret vetëm me tre grushta qytetarin që refuzon t'i japë ryshfetin e premtuar për për korruptimin e "x" zyrtari lokal...
Në fund dënohet më pak se ç'do ishte dënuar më çdo provincë të globit për një aksident ku viktimë ka mbetur një kafshë shtëpiake...
"Noteri" është ai që "bën letrat" për aktivitetet "legale" për të gjithë sa më sipër, duke qenë se i biri është shok i ngushtë me "doktorin", "farmacistin" dhe "avokatin", njësoj si ai vetë me deputetin, prokurorin apo shefin e policisë...

Dhe në fund, por jo për nga rëndësia, "Drejtori i shkollës"...
Në çdo provincë të globit, "Drejtori i shkollës" është autoritet!
Veçanërisht nëse është drejtori i të vetmes shkolle muzike jo vetëm të qytetit por i të gjithë nahise deri në kufinjtë jugorë të vendit.
Drejtori i shkollës së muzikës, në çdo provincë të mërzitëshme në çdo cep të globit ku nuk ndodh asgjë, është ai që quhet jo pa humor por edhe me respekt: "maestro"...
Është ai që ka më pak lidhje se kushdo tjetër me realitetin, sado i mbarpshtë që të jetë.
"Maestro" është ai i përhumburi mes notash pentagrami e provimesh solfezhi, që jeton me shqetësimin nëse ka ardhur koha t'u japë si detyrë muzikantëve të nesërm koncertin e tretë në la minor të Chopin, apo është ende herët...?!
Në Shqipëri, jo!
As ai që do të duhej të ishte "maestro", nuk i shpëton rregullit të mësipërm, (sepse tashmë është kthyer në rregull)!

"Maestro" në provincën shqiptare, është pjesë e rëndësishme e grupit lokal të shpërndarësve të drogës, madje në një pozicion shumë "strategjik", duke qenë se ka nën hyqëm pikërisht "klientelën" më vulnerabël të këtij biznesi: adoleshentët e shkollës së muzikës...

Të gjithë bashkë i gjen "investitorë", shpesh herë "strategjikë", përmes firmave të përbashkëta, në resorte bregdetare a malore qindramilionëshe, që lejen e ndërtimit e kanë marrë as më shumë e as më pak se tek "I Madhi"...

Kjo është panorama e "elitës" së provincës shqiptare, por nuk është fenomen vetëm provincial. 
Thjesht aty është më i lexueshëm...

Në kryeqytet "elita" është e njëjta, por më komplekse për nga numri i shtuar, sepse ndryshe nga provinca aty janë mbledhur edhe "punëmbaruarat" e showbizz, studiove televizive e ekraneve, mantenutat e "elitarëve" të sipërpërmendur, por që ia kanë dalë që "aktivitetin" ta kenë aq të suksesshëm saqë "biznesin", nga provinca e origjinës ta transferojnë në Tiranë...

Përveç këtij elementi thjesht sasior, asgjë jo vetëm që nuk ndryshon nga provinca, por kupton se si çdo provincë në të gjithë globin edhe këtu thjesht pasqyrohet ajo që ndodh në kryeqytet...

Edhe këtu kryebashkiaku, ministri, drejtori i përgjithshëm, kryeinspektori, drejtori i policisë, drejtori i burgut, deputeti apo kryedeputeti janë zyrtarisht në burg ose nën hetim për "organizim të strukturar kriminal", madje në sasira aq të mëdha, saqë është kthyer në rregull...

Ka vetëm një ndryshim në kasaba, ndryshe nga provinca: 
* kryevagabondi që drejton fijet është vetë kryeministri.
I drejton dhe frymëzon me mënyrën e të sjellurit si vagabond, me mënyrën e të folurit si rrugaç, me mbrojtjen që u jep publikisht pasi i ka përzgjedhur vetë "sipas imazhit të tij", derisa bien në burg me përgjime të partnerëve...

Si rrëshkitëm deri këtu në kaq pak kohë?

Me ç'mbaj mend, nuk ka qenë kështu para deri 10 vjetësh...

Madje kishim një elitë profesorësh, të pangrënë, të paveshur, që laheshin vetëm të shtunave... si të gjithë...
Por ishin familjarë, njerëz korrektë edhe në atë sovjetizmin e tyre... si të gjithë...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco