Polici Rama dhe mesazhet e gabuara

Polici Rama dhe mesazhet e gabuara

Nga Artan Fuga - 06/06/2017

Spoti elektoral i ri tregon një drejtues veture që kalon ndërkohë që semafori është në dritë të kuqe! I ve gjobë drejtuesit të automjetit vetë zoti kryeministër, Edi Rama. I cili tregohet i vendosur përkundrejt lutjeve të shoferit në gabim sepse sikurse thotë në spot me ato gjoba ai bën spitale, shkolla, paguan pensione, a të tjera financime publike.

Përkundrejt misionit të spotit për të promovuar kryeministrin, dhe paraqitjen e tij elektorale si edhe për të përballuar ndoshta një opinion që e kritikon se ka qenë fort ndëshkues, apo edhe për të treguar dëshirën pozitive që ndëshkimin ta shndërrojë në krijim, spoti jep mesazhe të tjetërsuara që e dëmtojnë besoj unë edhe imazhin kryeministror, por mbi të gjitha spoti jep mesazhe elektorale që janë të "frikshme" dhe aspak pozitive, që në një farë mënyre dëshmojnë për koncepte estetike dhe marketingu të gabuara të realizuesve të spotit.

Pse:

1. Ka një konfuzion simbolik në thelbin e spotit të mësipërm. Zoti Edi Rama ka një identiet simbolik të konfuzuar aty: është polici? Eshtë lideri i forcës politike që ka qeverisjen? Apo është një personazh që bart si personazh publik logon e dikujt tjetër? Ta zemë sikurse mban aktori i madh Reshat Arbana logon e Sigalit, por nuk është as vetë Sigali, as drejtuesi i tij !

Pra ngatërrohet në konceptimin krijues personazhi publik Edi Rama dhe kryeministri Edi Rama, që sigurisht si i tillë nuk ka për funksion, dhe as të drjejtë të vendosi gjoba shoferëve të eksituar dhe gjysëm rrota si ai i spotit. Ka shkelur ligjin duke vendosur gjoba për të zbatuar ligjin.

2. Pikërisht këtu fillon një problem tjetër. Si kryeministër, kushdoqoftë, a ka të drejtë të mbledhi gjoba në rrugë? Se po të ishte kështu, gjoba rrugëve do të na vinte edhe kryetari i bashkisë, edhe ministri i brendshëm, edhe drejtori i policisë, pra të gjithë personat që përbëjnë hierarkinë mbi policin rrugor? Këtë shtet do të ndërtojmë ne? Kështu konceptohet shteti pas 25 qershorit? Ku cdo funksionar administrativ nëpërmjet një aksioni direkt kapërcen të gjitha hierarkitë administrative dhe shkon bën detyrat që ligja ia ngarkon shkallëve më të ulta të punonjësit publik? Kështu "do t'ua vjedhin kompetencat" vartësve pushtetarët tanë në katër vitet e ardhëshme? Këtë do të thotë spoti?

3. Aq më shumë që kryeministri na paraqitet pa uniformë. Kuptohet që policia duhet të ketë uniformë se pastaj do të na ndodhi si me ata hajdutët që hiqeshin si policë dhe vidhnin ose abuzonin me popullsinë civile. Forcat e rendit duhet të paraqiten dhe të identifikohen përndryshe nëse civilët do të ndodhen para njerëzve anonimë, krijohet kaos dhe frikë. Të paktën krijuesit e spotit ta kishin paraqitur kryeministrin të veshur polic. Shoferi pas e pa se ishte një civil që e kishte ndaluar, në vend t'i thoshte : "E Edo!", do të duhej të kishte dhënë gaz e të ikte sepse kur të ndalojnë civilë në rrugë dhe hiqen si policë, dije se je në rrezik dhunimi, rrëmbimi, vjedhjeje, a një akti tjetër jo fort të këndshëm.

4. Argumenti që jep kryeministri duke mos u tutur nga lutjet për të vendosur gjobën është se me ato lekë ai donte të ndërtonte kopshte, shkolla, spitale, etj. Jo nuk është ky funksioni i parë i ndëshkimit të shkeljeve ligjore ose administrative. Aplikimi me rigorozitet i ligjit ka për qëllim të edukojë dhe detyrojë qytetarin t'i nënshtrohet detyrave të tij dhe të respektojë të drejtat e tij dhe të të tjerëve. Zbatimi i ligjit dhe drejtësia ka si qëllim kryesor sigurinë publike dhe garantimin e të drejtave qytetare, aspak nxjerrjen e financimeve qoftë edhe për aktivitete të dobishme të shtetit.

Spoti e ka ngatërruar keq filozofinë dhe ekonominë e ligjit.

Kjo e dyta, nxjerrja e fitimeve nga ndëshkimet, është një derivat krejt anësor dhe pa peshe. Sepse e kundërta do të na çonte drejt një qëllimi pervers të zbatimit të ligjit. Shteti do të uronte të kishte sa më shumë shkelje ligjore për të mbledhur sa më shumë parà. Mos kemi një thirrje : Shkeleni ligjin sa më shumë se ne atë duam që të "qethim" sa më shumë parà? E frikshme nëse është një strategji e pandërgjegjshme për katër vitet e tjera!

5. E "frikshme" sepse autorët e spotit si duket nuk ja kanë fare haberin nga menaxhimi racional dhe pragmatik i buxhetit publik. Kur personazhi thotë se do marr taksat për të financuar spitale, shkolla, etj., kjo nënkupton se buxheti publik trajtohet në gojën e tij si një thes i madh ku pasi paratë mblidhen shpërndahen me voluntarizëm në degë të ndryshme. Fut dorën në thesin e parave publike dhe shpërrndaje ku mundesh. Unë e kuptoj kalimin e flukseve financiare nga një fushë te tjetra, por nga ana tjetër cdo degë duhet të ketë qëllim të financojë dhe vetëzhvillojë veten e vet. Përndryshe ideja e rendimentin financiar të cdo aktiviteti publik bie në zero. Kështu vepronte ekonmia-shtet, por nuk mund të veprojë ekonomia publike ku agjencitë e saj duhet të udhëhiqen nga vlerat e vetëfinancimit, e rendimentit, e llogarisë, e konkurrencës së moderuar, e iniciativës të elitave menaxheriale publike, etj.

Unë uroj nga zemra që ato koncepte të menaxhimit të buxhetit publik që shohim në spot të jenë të krijuesve të spotit, hajde edhe të ndonjë politikani që nuk merr vesh fare nga ekonomia, dhe të mos jenë edhe ato të kryeministrit tim në katër vitet e ardhëshme, kushdo qoftë ai.

Ja pse mesazhet e spotit janë me impakt negativ.

Ja pse agjencia që ka krijuar spotin i ka marrë lekët kot.

Ja pse ai spot duhet kritikuar dhe mundësisht të hiqet nga qarkullimi sepse ka mesazhe krejt negative që opozita mund t'i përdori për të thënë : ja cilat janë rrënjët e dështimeve tona ekonomike dhe administrative! Pikërsiht ato që lëvdo spoti, duhen kritikuar!

Dhe prandaj them se krijuesit e spotit kanë keqpërdorur edhe z. Edi Rama atje duke e përdorur si aktor!

Vec nëse spotin e mësipërm e ka financuar vetë opozita ose LSI si marketing elektoral negativ ndaj kundërshtarit!

Gjithsesi si rast studimi në lëndët e marketingut mediatik është i përkryer për ta analizuar të paktën gjatë një semestri dhe për t'u mësuar studentëve sesi një agjenci marketingu nuk duhet ta bëjë një spot elektoral!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Renato Hebeja07/06/2017 12:55

Z.Kryeminister,Nuk pritet nga gjobat te behen spitale e cerdhe,gjoba ne gjithe boten ka karakter edukativ qe popullata te ndergjegjesohet jo tu marresh leket me dhune ti gjeshe e tu sajosh gabime per ti rrjepur gjasme per shkolla,po ne suedi z.Kryeminister ku te ardhurat nga gjobat e makinave jane sinbolike si i behet keshtu,edhe populli ketu duhet te ndergjegjesohet por jo te rripet

Filani06/06/2017 16:20

Ky spot duhet te denoncohet ne gjykate edhte fyes fhe diskriminues , eshte anti human nuk i pergjigjet qellimit , me qene ne Evrope ai spot as nuk realizohet as nuk shfaqet , aq ma keq nga Kryeministri i vendit .Ky spot ben thirrje flagrante per te gjobitur njerezit per ti xhvatur ato , gjobitni sa me shume se ato para duhen per pune publike .Gjobat kane veti edukuese e parandaluese te aksidenteve dhe mbrojtjen e jeteve te tjera .Ato para mund te perdoren nga policia per trajnime per logjistike dhe shume te tjera qe dherbejne per parandalimin e aksidenteve .Per mua ky spot eshte nje turp ku deshmon shkallen e ulet te kultures dhe emancipimit te shoqerise , as Erdogani se ka bere kete dhe asnje diktator .Ai i Filipineve thote vrani drogmenet , kurse ky thote gjobitini eshte mire me gjobite shoferet se ju marrim parate .Shume i pa kuptimte per shoqerite e zhvilluara , te gjithe do qeshin dhe quditen me kete spot diskriminues .

krasasi tp06/06/2017 16:19

Profesor Fuga, spoti eshte "i ri" dhe me siguri qe te tjere do ta pasojne.Spoti ka per qellim te percoj nje mesazh dhe ta kapitalizoj ne nje efekt elektoral.A nuk ishte z.Rama qe hallet e popullit taksixhinjte naten ja paraqisnin si lumturi dhe falenderim per qeverisjen.tere keto dite te fushates z.rama e ka thene qarte cfare nderi do nga qytetaret.Njeriu apo "mbinjeriu "i bene te gjitha ,rolin e medias,rasti i mesiperm me taksixhinjt, kryeqeveritarin, kryeshtetarin, kryepartiakun,shperndaresin e 'tepsise se pushtetit"qe mos te fusin duart te tjeret.Nga kreji i shtetit deri te punet e rruges, kane nevoje per autoritet te padiskutushem."njeriu i mire" ju jep drejtimin e duhur gjithe puneve.Mesazhi eshte i qarte, ndersa ju doni ti hidhni nji "shami"e tja mbuloni mesazhin e tja faturoni ate ( mesazhin) te tjereve.Nese do kishte autoresi tjeter z.Rama do ta kish denoncuar vete.Mos i prishni pune "Legjionarit"francez dhe "Liderit Global".

Si ka mundesi qe behet akademik nje i ketille. Fja06/06/2017 15:40

Si ka mundesi qe behet akademik nje i ketille. Fjalia qe fillon me i cili pa kryefjale pa kallzues e tmerrshme....

Lulzim Vejsiu06/06/2017 15:35

Analize tejet e sakte,z,Fuga,por,kujt ia thua!!!A nuk na kishte paralajmeruar me pare i gjati yne se '' nuk kemi pare gje akoma???Nga ''trendi me poture" ai na u shfaq tashme edhe si polic gjobe-venes pa uniforme.Zoti na ruajt si do te na shfaqet neser adoleshenti i vonuar,i cili gjen shesh e ben pershesh,perderisa ka dele qe brohorasin dhe e votojne!!!!

zaho 06/06/2017 15:13

Si i semure nga madheshtia false, te gjitha priten prej njerit qe eshte nga gjithe Sqhiperia dhe nga askund! Bastard hesapi!

Djsisb06/06/2017 15:11

Spoti elektoral i ri, apo spoti i ri elektoral? Jepi shqipes njehere, pastaj kritikes.

Shto koment

Denonco