Lajmi i fundit

EMRI/ Ekstradohet nga Gjermania ish oficeri i RENEA-s, pjesë e krimit të organizuar

Pse SPAK t'i fal 300 milionë euro, por ‘nuk të fal’ tek ... fërgesa?!

Pse SPAK t'i fal 300 milionë euro, por ‘nuk të fal’ tek ... fërgesa?!

Nga Gent Strazimiri - 05/07/2024

Restoranti "Gzona" në Tiranë, është më i famshmi në Shqipëri, dhe kjo jo për shkak se pronari faktik na paskësh qenë Ilir Beqaj.

As për shkak të historisë së shitblerjes së aksioneve nga e shoqja tek shoferi e nga shoferi tek ... ku di unë se kush...

As se aty gdhiheshin e ngryseshin duke diskutuar për luftën kundër korrupsionit ambasadorë e ofiqarë vendas e të huaj aq sa rruga bllokohej nga eskortat e bodyguardëve.

Jo!

Në atë restorant shërbehet fërgesa më tragjike se kudo tjetër nëpër Shqipëri.

Shërbehet fërgesa që mori në qafë 7 vetë me në krye Ilir Beqajn, ish-ministrin dhe shokun më të afërt të Edi Ramës.

Kujt ia merrte mendja se i sipërpërmenduri që nuk u arrestua, megjithëse i pandehur, për 300 milionë euro konçesione, do të arrestohej me bujë e kamera për fatura të fryra apo fiktive të një restoranti...

Për punë fërgese me pak fjalë... (?!)

Sipas SPAK, nga fërgesa në fërgesë (hajde edhe me nga një sallatë jeshile nëpër të), Ilir Beqaj paskësh vjedhur 125 mijë euro të fondeve të BE...

Sigurisht që edhe sikur 125 euro të ishin, veprimi është i dënueshëm por, kur ndërkohë i ke vënë në ngarkim 300 milionë euro të vjedhura, zyrtarisht, me akuzë, me vendim gjykate dhe nuk e ke parë të arsyeshme t'i vesh prangat, arrestimi për punë fërgese e sallate jeshile nuk bën sens.

Duket sikur arrestuesit e Beqajt nuk e kanë shumë hallin tek dëmi e tek shuma e vjedhur, as tek mekanizmi me të cilin është realizuar, as tek rrezikshmëria shoqërore e veprës por, tek ... fërgesa...

Shpjegimet janë logjikisht dy:

1. SPAK nuk të fal tek abuzimi me fërgesën (?!), këtë pjatë kaq të dashur e tradicionale për shqiptarët...

2. Beqaj ishte i pambrojtshëm në opinionin publik dhe duhej futur në burg patjetër, për çfarëdolloj shkelje minore të mundëshme, përveçse për konçesionet kriminale në shëndetësi të kryera në bashkëpunim me Edi Ramën.

Domethënë çështja "Beqaj" mbyllet me një "E donit Beqen në burg? Në burg e keni, ç'rëndësi ka se për çfarë...?"

Shpjegim juridik në bazë të kodeve e ligjeve, jo vetëm të republikës sonë, kësaj "çudie" nuk i jep dot.

Shpjegimi mund të jetë vetëm politik.

SPAK thjesht po përdoret për t'i spastruar fushën e lojës Edi Ramës:

* së pari duke e lehtësuar nga bashkëpunëtorët e sikletshëm, të cilët burgosen për çdo lloj idiotësie tjetër, përveçse për vjedhjet që kanë kryer në bashkëpunim me të.

* së dyti duke e shpëtuar nga i vetmi kundërshtar politik në gjendje ta rrëzojë: Sali Berisha.

Për ta vulosur skenarin, "afërmendsh" që gjykata merr vendimet e  tipit

* "hetim në liri për 300 milionë euro"

dhe

* "arrest me burg për fatura fërgese"...

Ose

* "arrest shtëpie", pa akuzë formale, pa prova, pa dëshmitarë, pa çështje, si në rastin e Sali Berishës.

Beqaj ishte bërë më i sikletshëm nga ç'pritej, kësisoj "i sakrifikueshëm"...

Kjo është arsyeja se pse SPAK nuk duroi dot më tek... fërgesa!

Sado që politika bën çudira në shpikje stratagjemash amorale, ky lloj skenari nuk mund të quhet as politik.

Është thjesht një veprimtari kriminale, që po kryhet ditën për diell, live, si një konspiracion kundër Rendit Kushtetues të Republikës dhe sistemit demokratik në Shqipëri.

Përfshirja në këtë mesele e faktorëve të jashtëm, cilëtdo qofshin, vetëm se e rëndon edhe më shumë situatën duke zbuluar elementë të tjerë kontribues apo drejtues në këtë konspiracion të tipit mafioz.

"Fërgesa" fatale që prangosi Ilir Beqajn, pavarësisht konotacionit qesharak, në vetvete përmban tragjizmin për degradimin e konceptit të ligjit dhe ligjzbatueshmërisë në këtë vend.

Ajo "Fërgesë" që prangosi Beqen e 300 milionë eurove të konçesioneve, është një sinjal alarmi që dëshmon se drejtësinë në këtë vend nuk e ka më në dorë ligji por, "Maliqi".

Dhe "Maliqi" edhe nëse të paraqitet në formën e "Michael", "Michele", "Michel" a "Mikhail", pra të një lloj "Maliqi ndërkombëtar", po "Maliq" mbetet.

Dhe, gjë më otomane e anti- euroatlanike se ai nuk ka!

Këtë më mirë se ne nuk e di askush në "euroatlantik land"!

Kaq!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco