Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Për librin, zotërinj Basha & Rama, si s’po thoni asnjë fjalë

Për librin, zotërinj Basha & Rama, si s’po thoni asnjë fjalë

Nga Ndriçim Kulla - 05/06/2017

Është një skeç i famshëm i estradës së Fierit, i viteve të fundit të diktaturës komuniste, i kohës kur ishte liruar pak morsa e censurës. Në këtë skeç vihet në loja prioriteti që i jepej atëherë realizimit të planeve ekonomike në tërësi, duke prodhuar gjëra të mëdha, që zinin shumë vend në realizimin e planit. Kjo sillte që të lihej pas dore prodhimi i gjërave të vogla por që ishin të domosdoshme. Kështu ndodhte që në treg të mungonin edhe filxhanët e kafesë. Në skeç tregohet se si njerëzit në një gëzim familjar, kur janë duke e pirë kafenë me disa tasa të mëdhenj, bisedojnë mes tyre se si quhej ai sendi i vogël dhe aq i volitshëm me të cilin pihej kafeja dikur. Pasi përmendin shumë fjalë që nuk ka lidhje me sendin, në fund dikush kujtohet dhe thotë: “Filxhan, more filxhan!” Dhe të gjithë shpërthejnë në brohoritje. E kishin harruar fjalën “filxhan”.

Sikur të ishin mbyllur të gjithë liderët e partive politike shqiptare që marrin pjesë në zgjedhjet e 25 qershorit (unë përmenda këtu vetëm Bashën e Ramën si dy liderët e partive më të mëdha), në një sallë, dhe t’ u thuhej se nuk do të dilnin pa gjetur se çfarë gjëje të rëndësishme kishin harruar të përmendnin në fushatë, ata mund të rrinin atje përgjithmonë dhe nuk do t’ u shkonte mendja te libri. Askush prej tyre nuk flet për librin në fushatë. Politikanët bëjnë premtime se si do të përmirësojnë ushqimin e njerëzve, shëndetësinë, mjedisin, por asnjë prej tyre nuk flet për një produkt që është njëherësh ushqim dhe ilaç shpirtëror për njeriun, librin. Të dy aktorët e mëdhenj të politikës sonë flasin, njëri për “Republikë të Re” dhe tjetri për “Rilindje”, por këto emërtime kthehen thjesht në banderola kur në asnjë pjesë të ligjërimeve të tyre nuk ekziston libri. Po si mund të harrosh, se çdo gjë e re, çdo krijim i ri, çdo etapë e re shoqërore dhe administrative fillon nga libri. Libri është ai instrumenti magjik që të emancipon, që të kthjellon dhe të jep arsye, të bën racional, të zhvillon idetë dhe të plotëson me vizione të reja për ta shpurë shoqërinë përpara. Pra si Republika e Re edhe Rilindja duhej të kishin si parathënie fjalën Libër. Por për fat të keq nuk e kanë. Po pse vallë se kanë? A i njohin realisht këta të dy politikanë problemet e librit shqip. Nuk jam i sigurt në se i njohin apo jo ,por me siguri i kanë dëgjuar. Dhe nuk ua kanë vënë veshin se si ndjejnë, fakt ky që provon se për ata është problem i ndjeshëm pushteti dhe vetëm pushteti. Pushteti që ka tendera, pushteti që ka koncesione, pushteti që ka projekte të mëdha për familjarët e tyre, për stafin e tyre, për miqtë e tyre. Prandaj sot jo vetëm që libri si pjesa më kryesore e kulturës shqiptare është në krizë, por edhe vet ideja për librin është në krizë të thellë.

Dikush mund të thotë se shumica e elektoratit nuk duan të dëgjojnë premtime për libra. Shumica e shqiptarëve nuk duan të lexojnë, thonë disa të tjerë. Nuk është e vërtetë, njerëzit kanë interes për librin, hyni nëpër librari dhe do ta vini re këtë gjë, shikoni se sa shumë vizitorë ka në stendat e panaireve të librit. Dhe do ta kuptoni se atyre iu qan zemra për t’ i pasur librat që marrin në dorë. Por këta njerëz kanë një problem.

 “Kur njerëzit nuk kanë para, gjëja e parë nga e cila heqin dorë është blerja e librave”, ka thënë shkrimtari i njohur amerikan Xhon Steinbek. Çmimet e librave shqip janë të papërballueshëm për pjesën më të madhe të lexuesve dhe kjo e ka burimin tek tirazhet e ulëta që botohen në shqip të cilat rrjedhimisht botohen me kosto të lartë. Dhe kjo jo për faj të botuesve, të cilët nuk po kërkojnë ndonjë fitim të madh, por aq sa të mund të jetojnë. Çmimet e librave janë artificialisht të lartë për shkak të politikave të këqija shtetërore me librin. Me librin është bërë një kasaphanë e vërtet, si në politika ndaj tij , ashtu edhe në legjislacionin aspak funksional që është aprovuar. Do të mjaftonte një politikë stimuluese për librin, me disa shpenzime nga shteti dhe shitja e librave do të shumëfishohej. Vetë shteti, në vendet e qytetëruara është një blerës i madh i librave për entet publike, si ato arsimore, ashtu edhe të tjerat, deri ato ushtarake dhe policore. Përfytyro ne me një gjuhë unikale që flitet nga një kategori e kufizuar njerëzish,që ka afro 100 vjet që e shkruajmë ,me një treg të vogël dhe të përçarë. Pati mençurinë dhe përgjegjësinë i vetmi Sali Berisha, si një lexues i “çmendur “ që arriti të futej në problemet e librit dhe akordoi fonde më shumë me projekte të veçanta për librin dhe ndihmoi (sigurisht jo aq sa duhej) si botuesët shqiptarë ,ashtu edhe lexuesët shqiptarë.

Politikanët e mirë e dinë se njerëzit kanë nevojë për libra të mirë. Kjo për arsye se një shoqëri nuk mund të ndërtojë asnjë strukturë të qëndrueshme, nëse nuk ndërton kulturën e saj. Këtë të vërtet e konfirmon më së miri gjendja e politikës konfliktuale dhe raporti aspak miqësor i individit shqiptarë me shtetin. Këtë të vërtetë të thjeshtë e shohim ndryshe në shoqëritë e Bashkimit Europian ku duam të integrohemi, e shohim në shoqërinë amerikane, e shohim në vendet më të zhvilluara të botës. Rilindasit tanë na e kanë lënë porosi këtë gjë. Pasuesit e tyre të mëdhenj, të periudhës pas shpalljes së Pavarësisë, si Branko Merxhani, na e kanë thënë këtë në mënyrë shumë elokuente.

Ne sot 100 e ca vjet pas krijimit të shtetit jemi një shoqëri që vuan për kulturë, dhe këtu është edhe një nga problemet e mëdha të politikës sonë konfliktuale. Ne jemi vendi në Europë ku shteti investon më pak për librin në gjuhën e vet, si për libra të autorëve vendas ashtu dhe për përkthime. Dhe këtu krahasimin nuk dua ta bëj me vendet e pasur të BE, por me vendet fqinje. Kur është fjala për të marrë grante nga BE, qeveritarët tanë e kanë librin të fundit në radhën e kërkesave dhe projekteve që paraqitin atje.

Asnjë nga palët politike në këto zgjedhje nuk ka një alternativë për politikën që duhet bërë me librin shqip, asnjë lider nuk interesohet vërtet të dijë për gjendjen e librit shqip. Në çadrën e opozitës u fol disa herë për librin shqip dhe problematikën e tij, por kjo ndodhi vetëm sepse unë shkova dhe fola disa herë atje për këtë gjë. Tani e quaj kohë të humbur se Lulzim Basha as që ma vuri veshin, ndonëse ishte i pranishëm në këto aktivitete të përgatitur nga unë në çadër. Ai kishte në mendje gjëra të tjera, pazaret politike.

Nuk duhen shumë para që të zgjidhet problematika e librit shqip për një periudhë afatgjatë. Shteti mund të kombinojë politikën fiskale me financimet e drejtpërdrejta të projekteve për librin. Dhe këtu e kam fjalën për librin që të krijon ndërgjegjen dhe jo për kulturën e xhamit. Në në tërësinë e tij ky do të jetë një investim afatgjatë dhe fitimprurës për të gjithë shqiptarët, sepse do të ndriçojë mendjen e një pjese sa më të madhe të shqiptarëve.

Çdo libër i mirë që shkon në duart e qytetarëve është një antidot, një kundërhelm, që e frenon atë që të mos merret me punë të këqija, e bën që të mos e shesë votën, pasi e vetëdijëson për vlerën e saj. Një i ri që lexon është një i ri që nuk shkon në kazino ose në klubet e natës ,ku mund të përzihet në çfarëdolloj sherresh e punësh të këqija. Një libër i ri e bën fëmijën ,nxënësin dhe studentin, që të qëndroj në internet ,aq sa e ka të nevojshëm për të marr informacionin që i duhet dhe e largon nga lundrimi me orë të tëra, duke jetuar me shpirtrat binjak

Libri i mirë është një kurë e mirë edhe për vetë politikanët si lexues, të cilët duket se nuk kanë kohë për të.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Erges07/06/2017 14:13

Faleminderit z. Kulla. Kjo eshte ajo, qe dhe une u artikuloj studenteve te mij.
Libri mund ta nxjerr nga erresira intelektuale kete popull.
Edhe fakti qe Berisha liberalizoi arsimin universitar ne thelb ishte per te "ndriçuar" mendjen e te rinjve Shqiptar, perveç faktit qe duhet ta kishte menaxhuar me mire, per te mos e lejuar qe disa universitete te degradonin apo te shmangeshin nga qellimi per te cilin ishin ngritur.

Demokrati06/06/2017 04:13

Z. Kulla u mundua shume te gjeje nje kritike per Bashen dhe gjeti "librin"? Qesharake. Ne nje fushate elektorale, ne nje vend ku ka sunduar, droga dhe krimi, ku njerezit ikin nga syte kembet se ekonomia eshte shkaterruar, Basha, sipas z. Kulla, harroi te flase per librin, operat, simfonite, festivalet, daullet etj. Qesharake. Sa mire qe nuk e vuri ne liste Basha, zotin Kulla.

zani05/06/2017 19:53

Ik more zar! C'lidhje ke ti me librin!

Shto koment

Denonco