Lajmi i fundit

EMRI/ Ekstradohet nga Gjermania ish oficeri i RENEA-s, pjesë e krimit të organizuar

Olafi në Bruksel, Pilafi në Tiranë dhe USA mënjanë !

Olafi në Bruksel, Pilafi në Tiranë dhe USA mënjanë !

Nga Basir Çollaku - 22/06/2024

OLAF-i në Bruksel, Pilafi në Tiranë dhe koordinatori antikorrupsion i DASH-it aty pranë, kanë mbërritur njëherësh si kërkesë dhe dëshmi e veprimit dhe mosveprimit.

Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew gjendet në Shqipëri, njëherësh me gjetjet e raportit të Zyrës së BE për mashtrimin Ekonomik OLAF, në programet qindramilionë eurosh, si mbështetje për fermerët.

Zyra Europiane Kundër Mashtrimit Ekonomik, OLAF kishte lajmëruar shenja të forta korruptive në mars 2021, kur nisi hetimet e saj, për korrupsion e mashtrim me grantet e fermerëve në kuadër të IPARD II, ku shpërndarësja ishte AZHBR, nën hyqmin e Ministrisë së Bujqësisë.

Në raportin vjetor, hetuesit evropianë konkluduan se kishte falsifikime, parregullsi serioze, marrje ryshfeti, manipulime, mungesë konkurrence, fatura të fryra, për t’i kualifikuar projektet e aplikuesve me shpikjet e konsulencës e plot marifete të tjera zhvatëse.

Denoncimet e fermerëve u morën në konsideratë nga Zyra Evropiane, por jo nga ajo shqiptare e hetimit të krimit ekonomik, asaj të emërtuar në kësi rastesh, Prokurori e Posaçme, e cila prej marsit 2021, nuk ka vënë asnjë tenxhere me ujë në zjarr për këtë punë.

Të kthehen 33 milionë euro e të ndalohen 112 milionë të tjerë të fazës pasardhëse është rekomandimi, që shoqërohet me kallëzim penal, ku anestezia në prokurori ngjan se nuk ka marrë dijeni për të hetuar e marrë të pandehur abuzuesit.

Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global në Departamentin amerikan të Shtetit, Richard Nephew, i cili vizitoi Tiranën thotë se në qendër të bisedimeve me autoritetet shqiptare ishte rëndësia e eliminimit të pandëshkueshmërisë dhe e luftës kundër korrupsionit, si dhe ruajtja e përparimit të bërë në forcimin e gjyqësorit dhe pavarësisë së tij.

Hajër e bëftë Zoti !

Vizita në SPAK e Nephew, ka disa element tej mbështetjes, të cilat tregojnë pafuqinë e varësinë e këtij institucioni, duke e kompleksuar, më shumë se forcuar.

Ashtu si me ambasadorët e radhës amerikanë, apo zyrtarë të tjerë të ardhur nga USA, ne kemi parë foto të drejtuesit, zotit Dumani e prokurorëve të tjerë me vizitorët, pranë dosjeve të shumta përtokë, thua se këto pamje janë suksesi i madh i kërkuar, premtuar e konkluduar.

Nuk është aspak e shëndetshme. Pavarësisht investimit, mbështetjes e partenritetit, nuk ka asnjë vend në botë, ku zyrtarët hyjnë e bëjnë turizëm në prokurori, duke treguar me selfie fashikujt e shumtë përtokë, si një magazinë bari.

Duhet fort kujdes, mos lini çezmat hapur çuna, se ju shkojnë dëm goxha materiale hetimore, ashtu siç edhe ka ndodhur dikur te Krimet e Rënda, me një dosje për falsifikim vizash amerikane, ku madje ekspertët e FBI, gjendeshin po aty me kolegët shqiptarë, si mbështetje e madhe, por shkresat në mëngjes notonin si peshq të ngordhur, e të padobishme për asgjë.

Si mund të ndezësh orkestrën për luftën antikorrupsion, kur një megavjedhje mbi 100 milionë euro, e hetuar dhe kallëzuar nga BE, ka zero veprime nga Prokuroria e Posaçme?!

Kur Bashkia e Tiranës ka gjysmën e drejtorëve në qeli dhe kryetarin në hetim për qindra milionë euro, por drejtuesi Erion Veliaj, vëllai i tij, bashkëshortja e tij, familjarë të tij, si dhe pjesa tjetër bashkiake, enden nëpër zyra, si kolegë prokurorësh duke zhdukur fakte të rëndësishme hetimore ?!

Si mund të drejtojë Komisionin Parlamentar antikorrupsion Fatmir Xhafa, ish-ministri, vëllai i Agron-Geron Xhafës, i dënuar për trafik ndërkombëtar heroine në Itali me mbi 7 vjet heqje lirie, si dhe me dhëndrin Dition Baboçi, ish-drejtor urbanistike, përgjegjës i

lejedhënjeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, parcelë nga buron kryesisht pastrimi i miliarda eurove të drogës në ndërtim, sipas raporteve amerikane dhe europiane?

Si mundet të jetë mbështetës për një komision të tillë Edi Rama, vëllai i Olsi Ramës, zyrtarisht në hetim për përfshirje nga vitit 2014, në laboratorin e trafikut ndërkombëtar të kokainës në Xibrakë?

Si mundet të sajojmë flluskë mediatike për antikorrupsionin, kur kemi nga CIA, DEA e DIA, të dhëna tronditëse, se mafia shqiptare me ortakëri zyrtare konkuron Ndranghetën, duke marrë vendin e dytë në botën e krimit në Europë ?

Si mund të zbukurojmë gjendjen me antikorrupsionin, kur kemi gjeneralë shërbimesh secrete, pjesë e Mafias, këshilltarë të Edi Ramës, gjeneralë amerikanë si Charles McGonigal, rumunë Florian Coldea, italianë Fabrizio Lisi e të tjerë të lidhur me Sinaloan, Ndranghetan, Sacra Coronan, Camorran, rusë e kinezë të zhytur në kokainë e krim?

Po kujtojmë pak episode madhore korrupsioni, kur shohim biznese parajse e ndërtime strategjike në bregdet, mospagues i asnjë takse, për ish-Kryeministrin italian Masimo Dalema, përfitimet elektorale dhe jo vetëm, për kryeministren aktuale Giorgia Meloni, me histori të dyshimta refugjatësh por ku lëvrijnë miliarda euro?

Me vetëofrimin për marrëveshje të ngjashme britanikëve e gjermanëve, duke kthyer Shqipërinë në një vatër joshqiptarësh.

Me marrëveshje dhjetëra milionë euro kontrata për Chair e Tony Blair, me qoka financash publike për Romana Vlahutin dhe Ligui Sorecan, dy ish-drejtuesit e delegacionit të BE në Tiranë?

…pa lënë mënjanë dinastinë “Soros”, qiramarrësin e Shqipërisë prej 10 vitesh, “investitorin” e drejtësisë së re, me prokurorë e gjyqtarë të Sgurimit të Shtetit.

Jemi në një projekt, ku për pak vite do të kemi një parlament me përfaqëues nga Bangladeshi, Filipinet, Afganistani, Irani, Ujgurët, grekët, serbët, turqit e tek-tuk ndonjë shqiptar.

Kur kemi ekonomi të kriminalizuar në qelizë, pa asnjë alternativë zëvëndësuese, ku dihet se në investimet e mëdha janë nga djemtë e Dubait, të Londrës, Belgjikës, Holandës, Ekuadorit, Kolumbisë, Venezuelës ku eksportojmë drogë dhe rini??

Antikorrupsioni si patericë e Krimit të Organizuar, me këtë hartë të Mafias në Shqipëri ngjan si rahmet pastë Komedia…

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco