Nuk është vetëm Sokol Mëngjesi në koma! Është në koma një shoqëri e tërë

Nuk është vetëm Sokol Mëngjesi në koma! Është në koma një shoqëri e tërë

Nga Elona Caslli - 05/06/2024

Sokol Mëngjesi, një burrë, një baba, një pedagog një avokat u godit në kërthizë të kryeqytetit teksa çonte fëmijën e tij në kopsht. Ata, që e goditën, nuk ishin hiç të shqetësuar se mund të identifikoheshin si goditës, pasi nuk ishin të maskuar. Vepruan me fytyrë të zbuluar dhe dërguan një burrë në luftën mes jetës dhe vdekjes.

Individë, që kryejnë akte të tilla, kanë si garanci paraprake sloganin: Bjeri se kemi njerëzit tanë në polici dhe më tutje".

Ndryshe nuk ka si shpjegohet fytyra e zbuluar para një goditjeje të shumëfishtë.

Shpresoj që Sokol Mëngjesi të rihapë sytë dhe të rikthehet te familja e tij, sikundër uroj që shoqëria shqiptare të rihapë sytë dhe të dalë nga koma e saj.

Mbi kokën e çdo shqiptari qëndron pezull një levë. Është thjesht çështje kohe kur ajo levë të ngrihet mbi çdo kokë nga të fortit që e kanë mirë muhabetin me policinë dhe gjyqësorin.

Seneka thotë se ajo çka ì ndodh dikujt mund t'i ndodhë gjithkujt dhe ky është leksioni i parë i demokracisë. Protesta kundër një padrejtësie është fillimisht akt vetëmbrojtjeje, para se të jetë akt solidarizimi me dikë.

Post Scriptum- Zoti i haptë sytë e tu dhe të riktheftë te familja jote Sokol Mëngjesi dhe Zoti haptë po aq fort sytë e shqiptarëve!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco