Anulimi i fjalës

Anulimi i fjalës

Nga Luçiano Boçi - 04/05/2024

Shqipëria renditet e fundit për sa i takon lirisë  së medias në rajon. Asgjë nuk është e rastit. Sirenat e alarmit kanë kohë që kanë rënë, por megjithatë liria e medias ka bërë hapa gjithnjë  më shumë pas në këto vite. Sulmet ndaj gazetarëve dhe programeve e mediave kritike të pushtetit kanë qenë një refren e zakonshëm i mjedisit mediatiko-politik. 

Gjithçka ka ecur në sinkron me zhbjerrjen e demokracisë në tërësi dhe shkarjen gjithnjë e më shumë të vendit në një autokraci politiko-kriminale. 

Sulmet ndaj fjalës së lirë dhe gazetarëve të lirë kanë njohur disa rrafshe. Si rrafshin e iniciativave ligjore, siç ishte ligji për shpifjen, për t’i vënë pranga fjalës, ashtu dhe rrafshin e censurës së diktuar e aplikuar rëndom në media e ndër gazetarë, si edhe atë të miklim-kërcënimeve direkte në adresë të mediave (sidomos online) e gazetarëve të bëra nga njerëz me pushtet administrativ e politik, ku përfshihet rëndom kryeministri dhe së fundmi kryebashkiaku në pikëpyetje i Tiranës. 

Pa harruar sistemin e ngritur si një rivalitet i kohës sonë absurde midis Ramës e Veliajt, për të blerë sa më shumë media e gazetarë pranë vetës. 

E gjitha kjo ka ndërtuar në vendin tonë kulturën e anulimit të fjalës, e cila konsiderohet malinje për sistemin demokratik, por shumë fitimprurëse për qeverinë e sundimin e saj politik. Rastet Telnisit me kërcënime jete, Ambrozias me agresion nga Rama, Isait me email-e shantazhimi, Xamas e Hoxhës me mesazhe e telefonata nga basifondet e burgjeve, nuk janë të vetmet.

Ato i bashkohen qindra rasteve të tjerave të shoqëruara me shkarkime, lëvizje, me etiketime, përbuzje nga superiorët, censorët e komanduar apo pronarët e blerë,  raste që e kanë tulatur median, e kanë transformuar atë dhe distanca midis fjalës dhe së vërtetës sot është më e madhe se kurrë.

Shto këtu ngritjen e institucioneve të censurës që marrin komandë nga drejtoria e informimit pranë kryeministrisë e cila është bërë omnipotente dhe dikton shumë politika editoriale në mediat më të shikueshme shqiptare.

Parë në këtë optikë reagimet e fundit të Veliajt ndaj gazetarëve kritikë të tij të pafutur ende në thesin e interesave, nuk ishin një rrufe në qiell të pastër. Është kjo kulturë e anulimit e kthyer në normalitet që e bën atë dhe të tjerë të sillen me fjalën e gazetarët në formën më të shëmtuar të mundshme.

Veliaj s’kishte si të bënte ndryshe nga Rama, i cili vetëm pak ditë më parë me arrogancën e tij të bërë rregull ndaj gazetarëve kishte përcjellë mentalitetin e tij harbut ndaj kritizerëve përtej Adriatikut kur iu gërmush drejtuesit të RAI-t për emision e tij zbulues të së vërtetave ulëritëse të realitetit shqiptar. Madje historia politike e Ramës është njëherazi një histori e një marrëdhënie pothuaj kriminale me median, histori e cila ka dy pamje. 

Ka pamjen e një krimi të bukur, shumë të mirëpranuar tek ne si diçka që s’ka pse mos të ndodhë, sepse me interesa dhe reklama ka futur në xhep një pjesë të madhe mediash e emisionesh. Dhe nga ana tjetër ka pamjen e një krimi klasik me shantazhe, bllokimi reklame, gjobvënie, sulme e intimidime personale ndaj gazetarëve cilësorë. Dhe këtë krim me dy pamje më mirë se e zbuloi Veliaj nuk mund ta bënte askush teksa sulmonte me gjuhë të papranueshme ato gazetarë që nuk ishin pjesë e plotësimit të interesave.

Por kjo kulturë e anulimit të fjalës është akoma më e thellë dhe ka një përshfaqje akoma më hipokrite. Nuk është vetëm censura e përftuar në shumë forma si pengesë e transmetimit të fjalës dhe autocensura ato që kanë rrëzuar fjalën e lirë në Shqipëri. Censura nuk realizohet më vetëm si pengesë si dikur, por realizohet tashmë dhe si inflacion, duke synuar defaktorizimin e së vërtetës dhe realitetit dhe duke sjellë para publikut një realitet fals. 

Dhe kjo është mënyra më e poshtër e shembjes së lirisë së fjalës. E gjithë kjo skemë moderne  e zhvlerësimit të së vërtetës me anë të inflacionit të fjalës dhe dezinformimit realizohet nga pjesa shërbëtore e medias pushtetit që dominon sot teatrin mediatik dhe  ka në objektiv dy targete: luftën ndaj opozitës politike dhe glorifikimin e sundimit politik të mazhorancës. 

Është ky teatër mediatik që tërheq në vorbullën e tij shumë financa me burime të dyshimta, që deformon informimin e komunikimin publik dhe përcjelle imazhet e rreme. 
Ndërkohë solidariteti i komuniteti gazetaresk është rrudhur në mënyrë dramatike dhe mbrojta ndaj tyre pothuaj është në nivelin zero, pavarësisht zërave të sinqertë të disa të rinjve gazetarë pasionantë të së vërtetës dhe të fjalës.

Nën këtë optikë figurat që dominojnë sot pushtetin në Shqipëri Rama-Veliaj nuk janë figura reale, por thjesht projeksione mediatike që i janë servirur publikut jashtë të vërtetave tronditëse. 

Zbulimi progresiv i së vërtetave të tyre politike po zhvesh jo vetëm propagandën, dezinformimin, inflacionin, piramidën e interesave media-politike, por dhe është një korridor drite për rikthimin, në një të ardhme të afërt të ndryshme politike, e lirisë së medias në shtratin natyral të saj, si një nga kolonat themelore dhe gardiane e vlerave demokratike.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco