Nga deklaratat e ambasadorëve tek arrestimi i protestuesve, shembulli i Stabilokracisë

Nga deklaratat e ambasadorëve tek arrestimi i protestuesve, shembulli i Stabilokracisë

Nga Enton Abilekaj - 21/04/2024

Pardje pesë ambasada të huaja, në një sinkronizim të çuditshëm, u lëshuan kundër protestës përpara Bashkisë, duke përdorur si pretekst disa koktejle molotov të hedhura te dera e institucionit të kapur në vjedhje flagrante. Deklaratat e ambasadorëve u dukën të paftuara dhe të pavenda për disa arsye:

E para sepse ato shishe molotovi që dëmtuan minimalisht derën e Bashkisë, u dukën si përpjekje e pasuksesshme për t’i dhënë nervin e duhur protestës dhe si rrjedhim u harruan sapo mbaroi, njerëzit u shpërndanë.

Një tjetër arsye pse deklaratat u duken të pavenda ishte se, edhe sikur protesta të ishte e dhunshme, ajo nuk ishte e thirrur nga partitë politike, por nga shoqata për Mbrojtjen e Teatrit. Si protestë civile, jopolitike, megjithëse e mbështetur nga opozita, do të jetë e ngjashme me të gjitha protestat e ngjashme në vendet nga ku ambasadorët kanë ardhur. 

Si rregull ambasadat, ambasadorët dhe diplomatët, flasin publikisht shumë rallë, kur detyrohen për shkak të përfundimit të mjeteve diplomatike, kur ka përplasje të dhunshme dhe palët nuk terhiqen, kur ka rrezik për luftë ose konflikt. Ky nuk ishte fare rasti për thirrje publike apo deklarata në radhë të ambasadorëve. 

Reagimi i tyre mund të shpjegohet vetëm si përdorim nga maxhoranca, Rama dhe Veliaj kundër protestuesve. Si një nder që ata ia bëjnë një pale politike në Shqipëri me papërgjegjshmërinë që sjell të punuarit në një vend ku Qeveria investon kundër opozitës, edhe interesa, edhe para dhe ku opozita ul kokën në vend të dalë me deklarata zyrtare dhe të protestojë nëpër dyert e ambasadave.

Nëse në Itali do kishte dalë OSBE me deklaratë kundër protestuesve, nuk do dilte kundër vetëm opozita por edhe Qeveria, për t’ i treguar diplomatëve miq pozicionin që nuk i lejon të përfshihen në politikën e brendshme të një vendi. 
Megjithatë ata dolën dhe ishin 5 ambasadorë që mbronin bashkinë e 5 Drejtorëve të kapur në hajdutëri ulëritëse.

Pesë ambasadorët që zëvendësuan pesë drejtorët, nuk kanë folur akoma për këtë, as për faktin që Kryeministri po shkel marrëveshjen që ata ndërmjetësuan me opozitën. Megjithëse janë garantë të marrëveshjes, askush prej tyre nuk po flet asnjë fjalë për refuzimin antikushtetues që Edi Rama po i bën opozitës për interpelancë dhe për debat në parlament. Se të flasin për akuzat dhe dyshimet për Olsi Ramën, për operacionin e dekonspiruar të Xibrakës, apo t’i kërkojnë SPAK-ut ta rihapë çështjen, do të ishte shumë për ta.

Sapo ambasadorët filluan fundjavën, me ndërgjegjen e qetë që e ndihmuan qeverinë në përpasjen me qytetarët, policia, e frymëzuar nga deklaratat e tyre kundër dhunës, filloi arrestimin e protestuesve. Tre u arrestuan, të tjerë janë në kërkim për dëmin 200-300 euro që i bënë derës së Bashkisë. Ata që i kanë bërë dëm 20 milionë euro janë të lirë, në zyrë apo në shtëpitë e tyre, janë duke lobuar në SHBA, në Gjermani, apo nëpër dyert e ambasadave që diplomatët të ndikojnë në intimidimin e qytetarëve që kërkojnë llogari. 

Ky është rezultati i koordinimit të Qeverisë me diplomatët e huaj që përfaqësojnë aleatët strategjikë të Shqipërisë. Ata bëhen gjithmonë me qeverinë kundër qytetarëve dhe opozitës, që të mos ketë “trazira”, “destabilitet”, “konflikt”, pavarësisht se sa vidhen qytetarët, pavarësisht grabitjes së parave dhe shtëpive në mes të ditës në mes të Tiranës. Ky është shembulli më i thjeshtë i asaj që quhet Stabilokraci, një shtet autoritar me qytetarët dhe opozitën dhe servil me Perëndimin që garanton stabilitetin e dëshiruar prej tyre, për të mos shpenzuar kohë, energji dhe para për një vend të humbur ballkanik. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco