Ambasadorë, ja dhuna që duhet të dënoni!

Ambasadorë, ja dhuna që duhet të dënoni!

Nga Akil Kraja - 20/04/2024

Tirana gjatë 9 viteve të fundit është kthyer në një arenë dhune të shumëfishtë. Shumë diplomatë nuk arrijnë dot ta lexojnë këtë realitet. Koha e mandateve të tyre tre-katër vjeçare, nuk mjafton për të tejkaluar perden e propagandës së fasadave vezulluese të pushtetit. Ata nuk kuptojnë dot dhunën që qytetarët përjetojnë nën diktatin e Veliajt. 

Ja një rikujtesë për ta :

Shitës ambulantë që gjobiten me dhunë - aspak simbolikë por dhunë fizike reale, janë qindra video dëshmitë e një policie bashkiake që dhunon gjyshe e fermerë. Denoncimet e fundit vërtetojnë se kjo dhunë i shërbente interesave klienteliste të bizneseve të drejtorëve të Bashkisë.

Gazetarë investigativë që u mbyllet goja me dhunë - para disa vitesh ishte Alida Tota që u shkarkua se ishte ndër të parët gazetare që investigoi landfillin e Sharrës, sot janë Elton Qyno apo Ambrozia Meta që kërcënohen po njësoj.

Keshilltarë bashkiakë që u refuzohen të drejtat kushtetuese me dhunë - prej dy muajsh, Këshilltarëve Bashkiakë Tiranë po u refuzohet çdo e drejtë për të kërkuar llogaridhënie. Madje, as nuk lejohen të futen në godinën e Bashkisë. 

Prona private që rrëmbehen me dhunë - në Himarën e largët por dhe në mes të Tiranës (5 maji, Kombinat, Myslym Keta) po shëmben pallata e tjetërsohen prona pa miratimin e plotë të banorëve.

Kulla që ndërtohen me dhunë - u premtua moratorium ndërtimesh nga Veliaj por banorët e Tiranës përballen me dhunën vizuale, financiare e sociale të kullave që tjetërsojnë qytetin, pastrojnë paratë e drogës, dhe bëjnë jetën e pamundur për mijëra banorë (më pak lulishte, më shumë trafik, më shumë ndotje).

Objekte të memories si Teatri Kombëtar që shëmben me dhune - në shkelje të ligjeve, Bashkia shembi teatrin kundra çdo qëndrimi të komuniteteve dhe ekspertëve ndërkombëtare. Para disa javësh u dhanë lejet për ndërtime godinash komerciale në të njëjtin lokacion.

Investitorë të huaj që u përzunë me dhune - Rasti Becheti dhe gjoba prej 110 milion eurosh që qytetarët shqiptarë paguajnë vjen prej mbylljes së dhunëshme të televizionit AgonChannel, dhe ku mesazhet kërcënuese të Veliajt u materializuan faktikisht në dhunë.

Investime publike që zbatohen me dhunë - Bashkia Tiranë ka një seri 'arritjesh' projektesh strategjike të cilat janë realizuar falë ndërhyrjesh policore të dhunshme anti-qytetare që nga projekti i Unazës, në Shkozë, ish-stacioni i trenit, liqeni etj.

160 milion euro të banoreve të vjedhura me dhunë - inceneratori që nuk ekziston u ka marrë miliona euro qytetarëve në shërbime publike të munguara. 30 milion të tjera janë ato nga 5D. 

Komisione hetimore që refuzohen me dhunë - pas skandalit të komisionit hetimor të inceneratorëve Rama/Veliaj, janë ende 6 komisonet që bllokohen me dhunë përfshi një komision për konfliktin e interesit të zyrtarëve të lartë si ato 5D.

Opozitë që luftohet me dhunë - Kryetari i opozitës në arrest, përfaqësim ligjor i marrë peng, financa të bllokuara, refuzim të drejtash në KQZ, opozita dhunohet si askund në kontinent prej 2 vitesh. Kjo vlen edhe në nivel lokal ku opozita prej 9 vitesh sulmohet në gjyqe, shantazhohet ose dhe blihet.

Dhe lista e akteve të dhunës së këtij regjimi anti-demokratik vazhdon pafund. Te nderuar Ambasadorë, mos i kurseni karakteret e postimeve tuaja në rrjete sociale duke dënuar dhe dhunën e :

Mandateve antikushtetuese të deputetëve që mbrohen me dhunë,

Garave zgjedhore që fitohen me dhune,

Trafikantëve që bëhen deputetë me dhune,

Gjyqtarëve me tre emra që nënshtrohen me dhunë,

 Shqiptarëve që i përzenë me qindra e mijëra me dhunë. Ah po, kjo e fundit nuk është beteja juaj, por e jona...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco