Media kombëtare shqiptare ka vdekur : rrofshin mediat sociale si zë popullor

Media kombëtare shqiptare ka vdekur : rrofshin mediat sociale si zë popullor

Nga Ndriçim Kulla - 19/04/2024

Diktaturat dhe rregjimet zakonisht janë sisteme që veprojnë falë disa rregullave të ngurta e të paracaktuara. 

Dhe njëri prej rregullave kryesorë të mbijetesës së tyre është propaganda dhe manipulimi i njerëzve.

Në kohën tonë një gjë e tillë, pavarësisht se duket shumë më e vështirë për t’u realizuar, përsëri ka aktorët dhe metodat e saj specifike. 

Aktorët kryesorë janë shtypi dhe mediat, parësisht kombëtare dhe me audiencë të madhe, që duhet të jenë si të sinkronizuara  nga qëndrime të caktuara që përfaqësojnë qëndrimin e përgjithshëm, jo atë të një qosheje (niche),  për cështje me valencë të madhe interesi, në cdo rast kur ato shfaqen. 

Jo më kot një problem i tillë është konsideruar nevralgjik për demokracinë. Para  do kohe, kur opozita në Turqi arriti të fitojë bujshëm zgjedhjet, fitorja e saj u vlerësua më shumë sepse u arrit pikërisht ndaj një monopolizimi gati total të mediave nga ana e Erdoganit. 

Edhe ndaj kësaj pengese të jashtëzakonshme, ndërgjegjia e popullit të opozitës turke, arriti të ngrihej akoma dhe më lart e ta kapërcejë atë, me vizionin dhe besimin ndaj së ardhmes. Një gjë të tillë ia urojmë edhe popullit të opozitës shqiptare.

Ne kemi një histori të tmerrshme me raportin midis skandaleve të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe heshtjes absolute të mediave tona kombëtare. 

Për një dekadë të tërë skandalet janë fshehur në kohën e tyre reale të ndodhjes. 

U mboll një Shqipëri e tërë me drogë, aq sa kundërmonte në cdo cep, dhe përsëri mediat nuk dhanë asnjë sinjal. 

Madje as ndërkombëtarët. Vallë nuk kishin as sy e veshë të zakonshëm, e jo më të deontologjisë së profesionit dhe ndërgjegjes kritike profesionale?  As njëra as tjetra. 

Profesionalizmi i tyre ka qenë i monopolizuar, i blerë, i deformuar gjer në palcë me heshtje deri ne ostracizëm mafioz. 

Atëherë me çfarë sy e faqe kanë vazhduar të hiqen si të drejta, të paanshme, si kombëtare në misionin e tyre? Ku e kanë mërguar turpin dhe neverinë këto media, që vazhduan të mos thonë as edhe një fjalë, edhe më vonë për skandalet e tmerrshme që zbuloheshin, si inceneratorët e famshëm në vite? 

Taktika e tyre ndryshon sapo skandaleve u shpërthen era dhe qelbi, dhe nga heshtja kalojnë në dy-standardësi, në manipulim, zvoglim dhe shuarje të dalëngadaltë. 

Janë metoda të strukturuara të deontologjisë së lajmit, që jepet shkarazi në një renditje andej nga fundi i edicionit të lajmeve, që nuk analizohet ose përmendet thjesht nëpër emisione fantazmë nga pikëmpaja e thelbit, ku mbizotëron teoria “bëj sa më shumë zhurmë kundra, që të shfokusohet dhe mjegullohet e vërteta”. 

Po kështu ka ndodhur edhe për skandalet e zgjedhjeve dhe parave të tërmetit të shpërndara një ditë para tyre, po kështu edhe për një mori  rastesh të përditshëm korrupsioni të zyrtarëve të lartë të administratës, ku cështja shqyrtohet me një lehtësi të tmershme deri në anashkalim.

Eshtë një panoramë ngjashmërie pa dallim të madh problematike  me kohën e Konicës kur ai shprehej me zemërim mbi 100 vjet më pare: “ Në Shqipëri leu një zanat i çuditshëm, më i poshtër se ai i hyzmeqarëve të pendës: zanati i larove të pendës… Shumë njerëzve u ka rënë erë kërmë; dhe nga çdo çip e prej çdo ngjyre, rendin shpirt-skllevër që kanë uri dhe etje për poshtërsi, lënë zanatin e tyre dhe, duke u bashkuar me larot e pendës, bëhen laro të pendës edhe vetë. Në mes të këtyre të rekrutuarve të papritur, ndodhen edhe ca të vetë-thënë “jurist”.

Është provuar kjo metodologji profesionalizmi perverse dhe manipuluese, sidomos në luftën kundër opozitës dhe burgosjen pa fakte dhe prova të liderit të saj  z. Berisha. 

Top Chanel është kthyer në një mbështetës sistematik të figurave dhe analistëve që përfaqësojnë qëndrimin me dy standarde dhe hakmarrës të bijve të etërve, duke i dhënë zë dhe figurë segmenteve që zënë një qoshe shumë të vogël të audiencës, duke i amplifikuar dhe duke i shpënë deri në një karrige që s’u takon për një televizion, që në thelb duhet të ketë një audiencë mbarëkombëtare. 

Është ky një truk i pështirë dhe i fëlliqur, deri dhe luftë-nxitës, për të mbytur nga njëra anë zërin e arsyes së ftohtë, parimore, të ekuilibruar, të një analisti profesionist nga njëra anë, ashtu siç duhet të jetë, dhe nga ana tjetër, një goditje nën brez për të shtrembëruar, ndikuar, manipuluar dhe kanalizuar keq audiencën në një drejtim që veç në favor të unitetit mbarë-kombëtar nuk është.

Si nuk është kujtuar vallë njëherë kjo media, që roli i saj  kryesor  është përherë kritik ndaj çdo lloj qeverie? Jo, më fal, ishte i tillë kur i sulej me zjarrin dhe tërbimin e të gjitha baterive pushtetit të Sali Berishës. 

Ndërsa tani, komandohet si me buton nga pushteti dhe neo-komunizmi ideologjik, për t’iu sulur me çdo masë përsëri Berishës. 

Sepse shënjestra e tyre e artë nuk është as demokracia, as Shqipëria, por mos-kthimi në pushtet i Berishës. Aq poshtë ka rënë ky televizion dhe aq larg ka shkuar nga vizioni i themeluesit të saj, sa jo vetëm manipulon lajmet dhe emisionet politike, po arrin të manipulojë njerëzit edhe në emisionet e veta më ikonë e më fitimprurësie, siç është Big Brother. 

A e ka menduar ndonjëherë kjo media se sa e urryer është bërë vjet me veprimet e saj, sa arriti të ngjallë me këtë urrejtje edhe revoltën popullore? 

Siç duket manipulimi i është kthyer në sistem, dy-standardësia në gjëndje të përhershme, mos-llogaritja e opinionit të përgjithshëm popullor  në vlerë të shtuar. 

Që në rastin e vjetshëm, ishin rrjetet sociale ato që i rrezistuan më shumë manipulimeve të Top, duke i cjerrë maskëm hipokrizisë së tij në funksion vetëm të lekut dhe vetvetes politike, pa skrupullin më të vogël professional. Jo më kot një Shqipëri e tërë u ngrit kundër Top, për të shpallur fitues atë që donte ajo, jo atë që donte TOP. Po si ka mundësi që arroganca e një media kombëtare arrin deri aty sa të sfidojë popullin? Sepse është mësuar me politikën, me pushtetin, me paratë dhe fuqinë që ai i gjeneron, dhe kujton se kaq mjafton.  Nuk e llogarit më audiencën mbarëkombëtare, i duket e drejtë ajo qoshe e audiencës së pushtetarëve. Po njëlloj, edhe pse më e moderuar, media tjetër kombëtare e Klan. 

Ajo duket sikur nuk censuron, nuk e devijon vëmëndjen dhe audiencën, por e manipulon dhe shfokuson atë nëpërmjet emisioneve maratonë. Që të dy, në dëmin e tyre, janë të parriparueshëm, ku më shumë e ku më pak, për demokracinë.

Atëherë ku është shpëtimi? Le t’u turremi e ti sulmojmë këto media në thelbin e tyre, në mungesën e raport  me skandalet dhe të vërtetën shqiptare. Le t’i mos lëmë bijtë e etërve të puishtojnë edhe njëherë audiencën tonë kombëtare. Le t’ua shkatërrojmë audiencën dhe pushtetin nëpërmjet rrjeteve sociale dhe fuqisë së tyre për të qenë të pakontrolluar nga dora e pushtetit. 

Media kombëtare shqiptare ka vdekur tashmë. Le të bërtasim fort: rrofshin media sociale si zëri i vërtetë i popullit, rroftë revolta popullore nëpër këto media, që me siguri një ditë do tua shuajë audiencën dhe do t’i detyrojë media kombëtare t’i  vënë gishtin kokës dhe ti kthehen popullit, kombit, profesionalizmit, në të gjitha dimensionet e jetës kombëtare.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco