Akullorja, pistoleta dhe “kasollja” e drejtësisë

Akullorja, pistoleta dhe “kasollja” e drejtësisë

Nga Luçiano Boçi - 17/04/2024

Nga Luçiano Boçi

Ngjan si titull filmi western, por është realiteti i gjallë i një vendi moçaloro-demokratik.

Insitucionet e reja të “kasolles” së drejtësisë (Galigatit) së këtij vendi nuk reshtin së bëri lajm e lënë nam.

Garda e re revolucionare e emëruar e “kasolles” është e gatshme të bëjë gjithçka për të ruajtur frutet e revolucionit pink në Shqipëri.

Është kjo gardë që ka marrë përsipër të mbajë me çdo kusht në pushtet Edi Ramën.

E është po kjo gardë-drejtësi (padrejtësi) që me kujdes po kuron ekuilibrin delikat në luftën për pushtet brenda maxhorancës, duke marrë funksione super të posaçme politike, gjoja duke luftuar korrupsionin.

Ndërkohë që vazhdon të mprehë hanxharin politik kundër opozitës.

Gjykata e posaçme e Apelit sot sërish ka lënë në arrest liderin e opozitës pa asnjë argument juridik dhe pa konsideruar fare që nuk ekziston asnjë fakt penal që të mund të justifikojë masën arbitrare të arrestit.

Sipas shprehjes “O kasolle ku na mblodhe”, brenda gjykatave e prokurorisë së posaçme, është shumë e vështirë të dallosh se ku fillon njëra e ku mbaron tjetra.

E konkurojnë me njëra-tjetrën vetëm një pikë. Në zellin që tregojnë për t’i pëlqyer sa më shumë shefit politik.

Lepepeqistë të posaçëm, KëLëPëistë të pistë, e Spakistë të zellshëm, garojnë kush e kush e shkel më brutalisht të drejtën, që t’i shtojnë ditët e qeshjet atij që i polli.

Ngjajnë kaq shumë në mënyrën si e interpretojnë politikisht drejtësinë më mirë me thënë padrejtësinë, sa dhe dikush që nuk jeton në Shqipëri do thoshte që me siguri i ka nxjerrë prej hunde vetë Rama.

Madje këtë e pranoi në eufori e sipër dhe vetë kreu i SPAK.

Egërsia e tyre politike ndaj Berishës ndryshon menjëherë ngjyrë, si ai letër-lakmuesi i famshëm i orës së kimisë që ndryshon kur kalon nga ambjenti acid në atë alkalin, sapo vendoset përballë “akullores” së Ramës.

Akollorja e Ramës që është kapur në flangrancë në krim elektoral, në bashkëpunim kriminal, në korrupsion masiv me Velierën e pa velierën, do ia hedhi paq, me një akuzë qesharake “shpërdorim detyre”.

Dhe këtë në Durrës e Shqipëri e dinte i madh e i vogël. Akollorja hyri me premtimin nga pas që do ia hedhi me pak gjë. Dhe sot kjo u bë realitet.

Ja pra çfarë na është drejtësia e re e moçalit demokratik Shqiptar.

E për të mos shkuar më tej mjafton të degjosh faktet konkrete të denoncuara sot nga kreu i PL Ilir Meta.

Ai akuzoi drejtpërdrejt pistolierët e Ramës në drejtësi dhe veprimet e tyre kaubojse politike të ndërmarra me subjektet dhe objektet e ligjit, me ngjarje konkrete duke mos kursyer dhe epitetet filmike, si për të hedhur më shumë dritë në aventurën që kanë marrë përsipër të realizojnë gardistët e rinj të revolucionit pink.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco