Veliaj si outsider në PS e Ramës (Bllokut) dhe lufta për trashëgiminë

Veliaj si outsider në PS e Ramës (Bllokut) dhe lufta për trashëgiminë

Nga Alfred Lela - 16/04/2024

Rezistenca e grupit parlamentar socialist për të mos e dorëzuar Olta Xhaçkën, është një ndër shenjat e qarta se në Rilindje ka disa shtresëzime politike që flejnë gjumin e trazuar të miteve të tyre të krijimit. Të gjitha janë nën mbikqyrjen e Edi Ramës, kryeministër fuqiplotë, dhe impostimi politik ndaj tyre vjen pikërisht prej pozicionit që shefi i qeverisë mban perkunder njërit apo tjetrës.

Rrethi i parë dhe më i përkëdheluri janë grupi që përbën ‘njohje të vjetra’ të Ramës, personale apo intime, të lidhur me kryeministrin nëpërmjet qytetit, dmth Tiranës, apo edhe shtresëzimve politike që dalin nga blloku dhe anash tij.

Në këtë grup mund të futen Olta Xhaçka/Artan Gaçi, Ilir Beqja, Belinda Balluku, Bledi Çuçi/Delina Fico apo ndonjë tjetër.

Rrethi i fundit përbëhet nga Arben Ahmetaj, Fatmir Xhafa, Ditmir Bushati dhe Erion Veliaj. Çka i bashkon këta është mospërkatësia urbane me ‘rrethin e parë’ të udhëheqjes; ata janë ose nga provincat ose tiranas të brezit të parë. Ata nuk janë shokë të Ramës; ndonjë syresh ka edhe theks jotirons. Mund të thuhet për këta të dytët se vijnë nga Zonat Operative Partizane, që kanë qenë zemra e së majtës, por në njëfarë mënyrë kanë mbetur ende aty, nuk e kanë kapur urbanizimin politik që të licenson Blloku, dhe përkatësia në të e Partisë Socialiste e ardhur nga Partia e Punës.

Mes këtyre dy grupeve të mëdha ka edhe të tjerë satelitë, gjysmë të lire, ku bien në sy të fortët e Veriut, që Rama i përdor si cuba për të joshur apo nënshtruar zona tradicionalisht të djathta, apo gjysmë biznesmenët dhe gjysmë banditët e Jugut, zona ku bëjnë më shumë punë hiletë se trimëritë, dhe ku nëpërmjet përfitimeve kontraktuale mund të zotërosh territor.

Për synime të këtij editoriali sot na interesojnë dy grupet e para dhe sjellja e ndryshme ndaj tyre e Edi Ramës.

Grupin e pare, që sintetizon sjelljen politike dhe shoqërore të Edi Ramës, e përmbledh më mirë se çdo gjë fraza përçmuese e ministres Xhaçka: të mos vijnë ata nga mali me çadër në plazh (dmth në resortin e të shoqit investitor strategjik”. Frazë që sikur ka dalë nga fjalori dhe goja e Ramës. Është të vetëndjerit tipik të një personazhi urban që mendon se ka një vend të posaçëm dhe të patjetërsueshm në botë. Kjo shtrihet nën dikotominë përjashtuese ‘unë’ dhe ‘ai’, ‘ne’ dhe ‘ata’.

Të parët që sakrifikohen janë ‘të tjerët e panjohur’ dhe ‘të padëshiruar’, pra ata ‘nga mali’, jo nga Tirana etj. Të dytët janë edhe ata brenda grupit, që ndoshta nuk janë nga mali, janë nga një qytet tjetër, por jo nga Tirana, dhe sidomos jo në dy rrathët qendrorë të ish-Bllokut. Bash për këtë Fatmir Xhafa nuk ishte ndonjëherë i favorizuari i Ramës. Ai mund të ishte komunisti i origjinës dok, por jo progresisti cool (ai që në këngë e bën xhiron nga Qemal Stafa te Petro Nini), pra ‘xhaketë e vjetër’. Kjo mospërkitje duket se e lidh Xhafën me Veliajn.

Rama kupton vetëm ata personazhe politikë në PS që, në një mënyrë a tjetër, janë enfant terrible, që vijnë nga familje si e tija, me dhjetra fije të lidhura me nomenklaturën e lartë të PPSh, apo që e kanë furnizuar atë me mendim apo propagandë, siç është rasti i Hamit Beqjes, të atit të Ilirit.

Për Arben Ahmetajn, e ardhur në qendër të PS nga provinca, Rama, dhe grupi parlamentar nuk lëvizën as gishtin. E hodhën menjëherë në kthetrat e SPAK, madje duke e lënë në rënien e lirë të turpërimit, me publikimin deri edhe të sendeve intime nga kontrolli në banesa.

Edi Rama, psikologjikisht, mesa duket zgjedh t’i çnderojë ata me të cilët nuk ndan momente ekzaltimesh çnderuese apo trangresioni. Ai i sheh si të tepërt, si jopërkitës. Këtë bëri psh edhe me Ditmir Bushatin, që vinte nga Shkodra, një qytet me stof të mjaftueshëm politik dhe intelektual, por sërish jo mjatueshëm in.

Në këtë ngushticë luhet edhe fati i Erion Veliajt, një politikani të ri dhe aktiv të së majtës progresiste, por që ka defektin e atij që e ka nisur duke shitur fiq.

Shikojeni kontrastin e madh me Ramën: ai edhe nëse shet diçka, nuk është më pak se ikona, piktura apo libra, pra vepra arti.

Me ç’duket, pakti për trashëgiminë e Partisë Socialiste do të vendoset nën tablonë e kësaj natyre të paqetë psikologjike.

Lufta për Tebën në mitologjinë greke, ku mori jetë edhe kompleksi i Edipit, fillon herët dhe mbyllet më një episod tragjik, atvrasjen dhe flligështinë me nënën. Edhe në PS, gjërat mund të jenë vendosur më herët se gjithë të përfshirëve u ka shkuar në mendje. Sepse, në fund, vendimet janë gjithmonë psiko-mitologjike.

Gjë që mund të përmbyset vetëm me një vrasje, me ose pa thonjëza./POLITIKO

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco