Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Veliaj takon shokët në SPAK

Idealet e orientalistit të sotëm ‘rilindas’ janë kolltuku dhe copa

Idealet e orientalistit të sotëm ‘rilindas’ janë kolltuku dhe copa

Nga Ndriçim Kulla - 15/04/2024

Jeta e veçuar sigurisht që e bën njeriun egoist dhe lakmitar. Si njeri i maleve shqiptari ka pasur mjaft energji dhe zgjuarsi. Ka pasur një aristokraci të vërtetë të maleve, zakoneve  fisnike, petk aristokratik, sjellje bujare e inteligjencë natyrale. Po jeta e lakmia patriarkale, cmira dhe egoizmi i tepruar ia frenuan gjithmonë zhvillimin e ndjenjës kolektive dhe solidaritetit.

Krist Maloki, një mendimtar brilant i viteve ‘30, sëmundjet tona shoqërore, shpirtin tonë të tallazitur, karakterin tonë të ashpër e të papërcaktuar e shikonte te filozofia që sollën pushtimet e huaja, sidomos dy perandoritë që qëndruan disa shekuj me radhë.

Konkretisht Maloki, mendimtar i kësaj periudhe, problemin shqiptar e shihte te orientalizma e cila e kalbi në trup dhe në shpirt shqiptarin, duke ia shpërbërë fuqitë e tij fisnike dhe kombëtare.

Ndryshe nga shumë të tjerë që orientalizmën shqiptare e shpjegonin vetëm si dhuratë të turqve, K. Maloki këtë orientalizëm e gjeti 600 e ca vjet më parë se turqit të pushtonin Shqipërinë.

Orientalizma shqiptare - shprehet ky autor, - i ka rrënjët aty nga vitet 740 kur Shqipëria u bë pronë e Bizantit në Leonin III të quajtur Isaurios. Është koha kur shqiptarët u detyruan nga Isaurios të dilnin nga kisha Romake (oksidentale) e të futeshin në labirinthet e errëta të Kishës Bizantine (orientale) të atëhershme. Për të nuk ishte aq e fortë dhe me peshë ndarja kishtare se sa ai shpirt skëterrë i administratës bizantine.

Midis bizantizmës historike dhe orientalizmit shqiptar qëndron shenja e barazimit. Orientalizmi ynë është një dhuratë fatale e kristianizmit euro-aziatik. Me këtë origjinë ajo shkatërroi vetitë e larta ndërmjetësuese-kolektiviste, marrëdhëniet e shqiptarit me shqiptarin, dhe marrëdhëniet e shqiptarit me shtetin dhe eprorët e tij. Biznatizma historike si një epidemi rrënimtare e shkatërroi dhe e deformoi karakterin e drejtë të shqiptarit.

Orientalizmi i sotëm ka ndryshuar vetëm kostumin dhe kravatën që ka në qafë, se e ka bërë pak më evropiançe, por në thelb ka mbetur po ai. Ato përpjekje kolosale që bëri ambienti i përparuar intelektual që nga shpallja e pavarësisë dhe deri në vitet 1943-44 për ta zëvendësuar këtë filozofi të vjetër  me një filozofi të re perëndimore, i bllokoi komunizmi. Komunizmi i ndaloi dhe i sulmoi këto përpjekje duke rifilluar përsëri jetën orientale tërë demagogji e vese.

Idealet e orientalistit rilindas sot janë kolltuku dhe copa. Për t'i siguruar vetes këto të mira ai po përdor çdo mjet. Kur ia do nevoja bëhet patriot dhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, intrigant e marifetaçi që ta kishin zili orientalistët dhe otomanistët e dikurshëm.

Detyrë të ndershme apo sakrificë karshi botës nuk njeh fare. Përkundrazi, kjo shushunjëz orientale e pangopur sot i është ngjitur trupit kolektiv dhe shoqëror dhe po ia thith gjakun pa ndroje dhe pa skrupull. Dhe në vend që të turpërohet për veprën shkatërrimtare, politikani rilindas sot bëhet më kryelartë, më kapadai, më qejfli dhe po i bie karadyzenit.

Duke qenë një sistem ndjenjash, mendimesh, instinktesh, si çdo sistem tjetër jetese orientalizma e sotme ka botëkuptimin dhe filozofinë e saj. Megjithëse jemi me shekuj larg nga koha që ka lindur dhe koha e saj duhej të kishte perënduar, ajo jeton tek qeveria e sotme shqiptare e pakulturuar, që përfaqëson një shëmbëlltyrë të përkryer të saj.

Qeveritari i sotëm shqiptar është i zoti për të gjitha turpet. Vret, vjedh, shet, gënjen, bën gjithçka që të mos i shkojë kungulli mbi ujë. Bota për të është një burim i pareshtur mjetesh, qejfesh e lezeti për të cilat ai shfrytëzon çdo mënyrë dhe çdo metodë, pa pyetur se ku shkon dhe ku vret. Drogë, krim, vjedhje, prostitucion dhe anarki shtetërore.

Vendi ynë sot quhet  një vrimë e zezë e Evropës dhe më e keqja është se kjo damkë vjen nga qytetërimi që ne duam të shkojmë dhe me ndihmën e të cilit shpresojmë që të zgjidhim problemet tona kombëtare dhe rindërtuese

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco