Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Veliaj takon shokët në SPAK

Kronikë e ditës së lavdisë, kur m'u duk vetja si bimbash!

Kronikë e ditës së lavdisë, kur m'u duk vetja si bimbash!

Nga Agron Gjekmarkaj - 13/04/2024

Po e filloj aty ku nuk nisi! Se ndershmëria e lyp të merremi me byrekun që gazetari Man Stafa po hante për shtatë palë qejfe te bordurat e oborrit, në ishte nga mielli haram i qeverisë apo ai hallall i opozitës, fakt ky që shkaktoi rebelim e kundërshti nga kolegu i tij Isa Myzyraj, por po e lëmë me kaq. Edepsezërit! Për të ngrënë hanin si dreqër.

Bash kur dita po thyhej Çuçi me erdhi të banka ku isha ulur dhe me çehre të dhembshur m’u drejtua “ke apo nuk ke shpirt?!”

“Po more i uruar - i them - ç’llaf të lig kam hedhur, ç’të zezë kam bërë? I kam thyer zemrën Etildës, si Gaz Bardhi me hukama tmerri? Kam trishtuar Mimi di Puccini tek rrëfen lavdinë e motit të madh? Kam lënduar Majkon në zgjimet e tij të papritura prej Finegani? Mos jam verbuar nga nuri i Mamicës dhe kam shkelur në dërrasë të kalbur, duke derdhur qumështin e shpirtit si Dash Sula, bidonët nëpër shkallë?

Mos kam trazuar Belën kur thashë “ministrushet”? Ajo është burrë në luftë edhe grua në paqe, nuk hyn! Mos i kam zënë diellin, Taos, Braçes ju socialistëve tek admironi Jorushin e Tabakëve dhe e mikloni me tufa lulesh e fjalë të ëmbla sherbet?”

“Jo jo, - tha ai menduar - nuk kemi sot Ermon, mbretereshën e zallamahisë, atë që e bën zap këtë sallë dhe shejtanin fut në shishe, ndaj Lindita është lodhur e duhet zëvendësuar. Tek e fundja edhe ti je Zv.kryetar parlamenti”.

“Mirë, xhanëm mirë, prishur mos qoftë, po e keni pyetur Babon se ai ju kopanis! Dridheni si purteka nga llaf i rëndë”.

“E pyetëm, na tha që i thoni atij se nëse nuk llap kundër meje ka shanse të hypë prapë atje sipër”.

Pranova, m’u duk pazar i mirë, birinxhi. Lajmërova menjëherë Liderin në perspektivë Gazin dhe Kryezëvendësliderin Mulin, se tek e fundit unë një Zëvendëslider i vogël jam, sado që i përhershëm dhe i përgjithshëm. Ata më dhanë bekimin, por më këshilluan që të mos joshem. Tek shikimi i Albanës nuk di në po gjeja mbështetje apo dyshim për tradhti.

Si kokorosh mora rrugën për atje lart. U ula, u rehatova, lëshova një eh, piva një gllënjkë ujë siç bëjnë të gjithë ata ngarkuar me një barrë mend. Më dukej vetja si bimbash e sadrazem. Një pasthirmë lëshova “ah qafira qafira, do ju bëj terbiet, do ju reziles”. I shihja nga lart dhe me dukeshin një grusht me jezitër që po bënin lëmsh vatanë.

Tek rreshti i qeverisë ndihej frikë e ankth. Mamica hodhi një çarçaf mbi karrigen e Babos teksa vërtitej sa lart poshtë si një ankth i vazhdueshëm. Në fillim mendova mos e ka për ta ruajtur nga pluhurat po e kishte nga frika mos shpërndaja unë ndonjë lëndë kimike.

Ulsiu bënte kinse këshillohej me Belën!

“Ç’ke- i thashë, - që rrotullohesh si i paudhë sa andej këtej, nuk do e ha karrigen!”

“Jo or Gon, nynykati me i ndodh gjë karrikes së Babos ç’ka me duhet jeta mua, se kësaj ia kemi pa hajrin tash 11 vjet”

“Yt mos e gëzofshi pra - ju përgjigja ”.

Nasipi, Dilua dhe Baftua kishin mbledhur organizatën bazë dhe shkrofëtinin, si erdhi kjo ditë e zezë, kjo gjëmë si, një kulak, një reaksionar, një nga ata që zbresin nga mali të ngjitet atje lart, duhet ta sulmojmë si varrin e Nënës Mbretereshë dhe ta hedhim në erë?!

Klosi tha “unë vetëm dy panine e një sallam Hako nga ato që ka qejf ajo që hapi akçihanen në Butrint kam me vete, asnjë municion tjetër.”

“Kemi lëshuar istikamin - u dëgjua Bujari i Lushnjës, - po rrokullisemi, punët nuk venë mbroth, gjeneral Niko Nikoqiri ku është, ku i ka ushtritë, bënte pyetje retorike. Më mirë Gonxhe të vinte ca goma makinash e ca bulona aty.”

Bernard Banushi lëshonte kumte solemne nga celulari, “ngrihu tani bjeri tavolinës dhe hakërreju, shporruni se boll dërdëllitet more pizevengjer, mos më zhgënje”.

Kosta i Gramozit e Linditës bitiste “se Babua e ka zemrën llagar e ja të ngjiti atje mbi vete”.

Luan Baçi me krifën që i shkëlqente nga kënaqësia skaliste mesazhe me “marshallah, marshallah, hajër, hajër”.

Shpirti im e dinte ç’hiqte nga tentacionet.

Padër Salianji si një shenjtor shihej ca në një cep, në një tjetër të sallës, duke lëshuar bekimet e tij apostolike për çfarë i shihte syri e zinte dora. Plot paqe e ka xhanin ai qerrata!

Pas nja dy orësh u kthye Lindita! “Po të pëlqen – tha, - ë?”

“Po mirë qenka, jo keq- u gjegja, - veç kjo lëkura e karriges më lagu pantallonat nga djersë e madhe, qenka nikelit!”

“Hajt tani, def nga sytë, - tha, - sikter dhe mo të shoh më këtu. U bone ti!”

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco