Shkëlqimi dhe rënia politike e Erion Veliajt

Shkëlqimi dhe rënia politike e Erion Veliajt

Nga Armand Maho - 02/04/2024

Erion Veliaj si rishtar i mbrojtjes së të drejtave civile deri në vitin 2004 e njihte pakkush.

I mbështetur nga Edi Rama në vitin 2004 në krye të lëvizjes ‘mjaft’ ai nuk do të ngurronte të sulmonte Fatos Nanon, si një kryeministër të korruptuar, larg halleve të qytetarëve dhe që shikonte gjithmonë interesin personal. Thirrjet e organizatës që ai drejtonte ‘Nano kthehu në zyrë’ shumë shpejt u bënë lajtmotivi i mbështetësve të tij. Përgjatë përgatitjeve zgjedhore të vitit 2005, Veliaj vetë nuk do ngurronte të ulej në çdo tryezë që zhvillonte asokohe ish kreu i opozitës Berisha, duke marrë rolin e protagonistit dhe sulmuar qeverinë.

Por shumë shpejt u vu re se marshimi i Veliajt, nuk ishte në mbrojtje të të drejtave civile, por një turravrap drejt pushtetit. Sapo Berisha erdhi në pushtet dhe Rama mori PS-në u shfaq dhe qëllimi i vërtetë i tij.

Petku i djalit të mirë u gris shpejt.

Erjon Velija dhe përgjatë kohës që i shërbeu Ramës në opozitë jo pak herë shfaqi karakterin e manipulatorit dhe gënjeshtarit ekstrem në daljet e tij publike.

Pafytyrësia politike u shfaq hapur në rastin e i ish-bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë Kavajë, Elvis Roshi, në vitin 2011, ku Veliaj nuk do të nguronte të dezinformonte komunitetin ndërkombëtar rreth një ngjarjeje të sajuar me dhunime shtatzënash apo rrëmbime foshnjash nga pushteti i kohës.

Por ky ishte pikërisht ai që i duhej Ramës.

Përgjatë dy viteve si Ministër, Veliaj nuk bëri asgjë tjetër vetëm se ndonjë dalje tek tuk me ndonjë fëmijë të komunitetit rom, teksa reklamonte se po e dërgonte spital me makinën e tij. Ose mbahet mend si strumbullari i luftës me Agon Channel të Bechetit, i cili publikoi pamjet e dasmës në kala, luftë e cila rezultoi në disfatën e shtetit shqiptar dhe e cila i kushton Shqipërisë edhe sot më shumë se 130 milionë euro.

Më pas gjërat dihen. Mes tij dhe një tjetër kanakari të pushtet siç ishte Saimir Tahiri, Edi Rama do zgjidhte Veliajn. Në zgjedhjet e vitit 2015 ai u zgjodh kryetar Bashkisë.

Në fakt si pasardhës i tij dhe në vizionin e e Ramës për të përçudnuar Tiranën s’mund të gjente njeri më adapt. Mund të thuhet me bindje se këto kanë qenë vitet më shkatërrimtare për kryeqytetin. Kullat që kanë mbirë kudo, produkt i pastrimit të parave të drogës dhe korrupsionit, sipas raporteve ndërkombëtare ja nuk kanë lënë vend për hapësira të gjelbërta.

Veliaj si kryebashkiak s’bëri gjë tjetër vetëm se ngriti një ndërmarrje kriminale dhe propagande.

Shitja e çdo dështimi si sukses, rrënimi si progres, manipulimi i opinionit dhe zgjedhjeve ishin lajtmotivi i punës së tij. Shtrirja e tentakulave në çështjet e drejtësisë do bënte që kryebashkiaku më i korruptuar i tranzicionit të mos hetohej kurrë.

Por perdja ra.

Rama vendosi të këpuste fijet e marionetës së tij në Bashki. 9 drejtorë në ndjekje penale ku tre prej tyre të arrestuar, janë një mal korrupsioni që s’mund të mbulohen me asnjë lloj propagande. Përballë skandalit që denoncoi opozita për vëllanë e kryeministrit të përfshirë në drogën e Xibrakës, Rama duket qartazi se ka vendosur të rrënojë Veliajn.

Ky i fundit që pas arrestimit të drejtorëve të tij ka vendosur të heshtë. Po, po pikërisht Veliaj, që fliste për çdo gjë, për pyje orbitale që nuk ekzistojnë, për çerdhe që nuk janë ndërtuar kurrë, për rindërtimin që nuk u bë kurrë, për inceneratorët si histori sukesi...

Ai pra Veliaj, që deri dje konsiderohej si perëndi e propagandës sot ka vendosur të struket dhe të heshtë për të pranuar fatin politik që nuk është në dorë të tij....

Zeusi duket se e ka flakur tej.

Publikuar në emisionin Task Force

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco