QSUT: Reformë apo riformatim?

QSUT: Reformë apo riformatim?

Nga Erion Dasho - 30/03/2024

Zëvendësimi i drejtueses së QSUT-së vendos edhe njëherë në qendër të vëmendjes së publikut institucionin lider të kujdesit shëndetësor shqiptar. Me 1,450 shtretër dhe me një shfrytëzim shtrati ndër më të lartët në vend, QSUT mban barrën kryesore në ofrimin e kujdesit shëndetësor spitalor në Shqipëri.

Por sa i plotëson QSUT kërkesat e kohës lidhur me ofrimin dhe marrjen e kujdesit shëndetësor? Më konkretisht:
Si është cilësia e kujdesit të ofruar?
Ç'qasje ofron QSUT në shërbimet e saj?
Cila është eficienca me të cilën ofrohen shërbimet?
Sa të kënaqur janë pacientët me shërbimet e marra?
Dhe mbi të gjitha, si janë treguesit bazë të kujdesit shëndetësor në QSUT?

Analiza e hollësishme e problematikës që shtrojnë këto pyetje e kalon shumëfish hapësirën e një statusi në facebook, por gjithsesi një përmbledhje është e mundur.

Përsa i takon cilësisë dhe treguesve bazë të kujdesit shëndetësor, shqiptarët mjafton të kujtojnë pandeminë. Askush nga pacientët e intubuar në QSUT nuk u arrit të shpëtohej. Mjafton ky indikator për të treguar se QSUT ka një problem shumë të mprehtë me cilësinë e shërbimit i cili duhet analizuar dhe adresuar urgjentisht.

Eficienca është e pamundur të arrihet me infrastrukturën aktuale. E projektuar dhe ndërtuar bazuar në modelin e spitaleve sovjetike, madje ku shërbimet e sotëm dikur konsideroheshin spitale të veçantë, QSUT ofron një model kujdesi shëndetësor tashmë të tejkaluar. Infrastruktura e amortizuar është e pamundur të mirëmbahet me kushtet aktuale të financimit dhe mjekët janë dëshmitarë të korpuseve mjeksorë nën riparim dhe rinovim të përhershëm.

Vrasësi tjetër i eficiencës janë dy koncesionet, ai i laboratorëve dhe ai i sterilizimit. Kostot e koncesionit të sterilizimit janë shumëfish më të larta krahasuar me mundësitë që kishte QSUT për ta ofruar vetë këtë shërbim. Koncesioni i laboratorëve e ka privuar QSUT-në jo vetëm nga mundësia për të ofruar kujdes të integruar dhe koordinuar mjeksor, por edhe nga funksioni i saj si qendër kërkimore.

Qasja, ose aksesi siç njihet në anglisht, është përkeqësuar ndjeshëm vitet e fundit. Në përpjekje për të racionalizuar ofrimin e shërbimeve, janë krijuar radhë të stërgjata që pengojnë qasjen e qytetarëve dhe krijojnë premisa për favoritizëm dhe korrupsion.

Sigurisht që këto problematika shoqërohen me pakënaqësi nga ana e pacientëve. Hera-herës shfaqen në media pacientë VIP si Borati apo ministri i vet i jashtëm që "mahniten" me cilësinë e shërbimit, por qytetarët shqiptarë janë të zgjuar mjaftueshëm për të mos rënë në grackën e propagandës.

MAJA E AJSBERGUT

Cilat janë shkaqet dhe ku qëndron përgjegjësia për situatën ku ndodhet sot QSUT-ja? Le të nisim nga shkaqet e dukshme.

Me një financim prej dhjetëra milionë euro, QSUT nuk financohet mjaftueshëm. Një institucion shëndetësor terciar ka nevojë për një buxhet disa fish më të lartë se kaq. Në kushtet kur buxheti i shëndetësisë nuk rritet prej 10 vitesh (për të mos thënë që shkurtohet pasi mbi 15% e tij i jepet oligarkëve të koncesioneve), kuptohet se edhe pjesa e buxhetit që i shkon QSUT-së ka mbetur në vend.

Mungesa e financimit manifestohet në radhë të parë në mungesën kronike të medikamenteve, sidomos të medikamenteve që përdoren për trajtimin e sëmundjeve tumorale.

Një pasojë tjetër është pamundësia e futjes së teknologjive të reja, qofshin këto pajisje, medikamente apo teknika të reja trajtimi.

Ndonëse quhet qendër universitare, QSUT ofron pothuajse zero financim për kërkimin shkencor. Me përjashtim të mjekëve që individualisht kanë arritur të krijojnë ura bashkëpunimi me iniciativa kërkimore ndërkombëtare, pjesa dërmuese e personelit akademik, pothuajse nuk publikon, ose publikon në revista jo prestigjioze. Edhe qendra të ngjashme afrikane, kanë një aktivitet shkencor më të spikatur se QSUT, ndërkohë që me qendrat spitalore europiane krahasimi është i pamundur.

Nëse analizohet struktura drejtuese e shërbimeve dhe departamenteve, sheh një numër jo të vogël prej tyre që drejtohen nga persona pa staturën e nevojshme profesionale, kërkuese dhe menaxheriale që kërkon një pozicion i tillë. Shumë prej shefave kanë uzurpuar prej vitesh pozicionet përkatëse duke u kthyer edhe në pengesë për zhvillimin e disiplinave të zaptuara.

Nga pikëpamja e digjitalizimit, QSUT ka mbetur shumë pas. Megjithë përpjekjet e një kompanie vendase, e cila ka patur disa arritje bazike, QSUT është vite dritë larg nga iniciativat bashkëkohore të digjitalizimit si sistemet e integruar të informacionit, informacioni i lidhur, kartela elektronike e pacientit, spitali tërësisht digjital (paperless), aplikacionet e inteligjencës artificiale, etj.

PJESA NËNUJORE E AJSBERGUT

Arsyet kryesore që janë përgjegjëse për gjendjen ku është katandisur QSUT janë sigurisht ato "të padukshmet".

Në radhë të parë, QSUT sikundër gjithë sistemi shëndetësor, nuk reformohet prej 10 vitesh. Madje nuk ka asnjë strategji afatgjatë zhvillimi. Bordi i cili është detyrim ligjor sipas ligjit në fuqi, nuk funksionon. E ashtuquajtura "autonomi" që ju dha me ferman të Boratit drejtoreshës së larguar nuk ka asnjë shans të zbatohet, sepse është konceptuar keq në thelb.

Së dyti, për pjesën më të madhe të kohës së kaluar nën regjimin rilindës, QSUT u drejtua nga amatorë pa asnjë lidhje me sistemin shëndetësor. Kimistja Manastirliu e përdori QSUT-në si trampolinë para se të projektohej në krye të ministrisë së shëndetësisë, ndërsa klarinetisti që e zëvendësoi nuk meriton as edhe të komentohet. Dje në krye të QSUT-së u emërua një profesioniste e nderuar në specialitetin e saj si mjeke, por pa lidhje me menaxhimin shëndetësor. Kuptohet se gjasat për sukses janë të pakta.

Së treti, QSUT është brejtjur prej vitesh nga konflikti i interesit. Duke qënë, dashur pa dashur, maja e sistemit shëndetësor shqiptar, mjekët e QSUT-së janë pjesë e disa vendimmarrjeve kyçe. Licencimi i medikamenteve të reja (shpesh me efekte miliona euro për medikament), referimi i pacientëve drejt sektorit privat, dhënia e mendimit teknik për koncesionet qindra milionëshe të rilindjes, etj., janë vetëm disa shembuj se çfarë aferash janë luajtur dhe vazhdojnë të luhen nën petkun e QSUT-së.

EPILOG

QSUT është sot në ditën më të errët të saj. Qendra që pret çdo vit mbi 250,000 urgjenca, ndodhet e privuar prej gati dy muajsh nga shërbimi i urgjencës mjeksore.

Në kushtet kur problematikat dhe sfidat e përshkruara më lart janë të jashtëzakonshme, e vetmja zgjidhje për QSUT-në mbetet një transformim rrënjësor që duhet të nisë me hartimin e një strategjie afatgjatë, të paktën 15 vjeçare për t'u pasuar nga një riformatim i plotë i infrastrukturës, teknologjisë, mënyrës së operimit dhe drejtimit.

Reforma e financimit është një reformë paralele që duhet zbatuar për të gjithë sistemin shëndetësor në përgjithësi, por që efektet më të rëndësishme do t'i japë direkt tek QSUT-ja.

Së fundi, transformimet rrënjësore sot nuk mund të kuptohen pa transformimin digjital. Në kushtet aktuale, edhe rruga për transformimin e QSUT-së duhet të kalojë domosdoshmërisht nëpërmjet hapësirave virtuale.

Problemi më i madh që ka ky përafrim është se elifimatrakët e Boratit e kanë të pamundur ta konceptojnë, zbërthejnë, konkretizojnë dhe zbatojnë atë. Madje atyre u mungon edhe vullneti për ta bërë diçka të tillë. Kjo sepse boratët e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin shëndetësinë vetëm si lopë për t'u mjelë së bashku me oligarkët dhe jo si sistemin që kujdeset për shëndetin dhe jetën e shqiptarëve.

Për t'i parë të zbatuara këto reforma dhe zhvillime, shqiptarëve fatkeqësusht do t'u duhet të presin fundin e regjimit të rilindjes. Le të urojmë të jetë i afërt, para se të jetë shumë vonë për QSUT-në dhe shëndetësinë...
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco