Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….

Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….

Nga Alfred Lela - 29/03/2024

Debatet televizive janë kthyer prej vitesh në ikonoklastë* të konceptit të medias si mjet i publikut për të kuptuar ngjarjet dhe për t’u mbrojtur nga abuzimet e pushtetit. Për këtë nuk mund të fajësohen moderatorët, të paktën jo plotësisht, sepse ata janë pre e frymës së kohës për sensacionalen, për clickbites, për audiencën e madhe, dhe për paratë e reklamës që vijnë me të gjitha këto.

Sidomos, dhe kjo duhet thënë, me një publik që është gjithnjë e më vulgar, i palexuar, i painteresuar dhe në kërkim të argëtimit, jo të dijeve. Ka qenë gjithmonë kështu në fakt, ajo që ka ndryshuar janë shumimi i platformave të komunikimit dhe tekonologjia, që u kanë dhënë mundësi të gjithëve të marrin një vend në agorën e pjesëmarrjes publike.

Thënë këtë duhen kuptuar si Blendi Fevziu dhe kolegët e tij, ashtu edhe panelistët si Baton Haxhiu dhe kolegët e tij. Mbrëmë, kur po diskutohej dyshimi për pjesëmarrje në trafik droge të Olsi Ramës, që me të drejtë u kthye në vendosës të agjendës, thuajse në të gjitha debatet tv, nuk u shmang përpjekja për ta zhbërë agjendën që kish vendosur lajmi, por edhe vetë lajmi.

Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është teatralizimi i debatit. Pra, të flasësh për çështjen nga margjinat e saj duke bërë qendrore gjërat më të parëndësishme. Paneli i mbrëmshëm, i vënë përballë kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike ishte, nuk e them dot rastësisht apo i përzgjedhur, për ta zhbërë thelbin dhe zhvendosur agjendën. Në krye të kësaj përpjekjeje u vunë me zell Baton Haxhiu dhe Iris Luarasi.

Me sa e njoh unë median dhe debatin, ata e humbën betejën me Bardhin, por nuk ka rënëdësi kush fitoi apo humbi. Ajo që vlen në këtë rast është se, pse debati banalizohet, në mënyrë që sa më banale të jenë mendjet, dhe ato janë kryesisht të tilla, aq më shumë do të merren me të parëndësishmen, me anësoren, me hajgaren në vend të seriozes, me vogëlsinat në vend të thelbit.

Një episod i kësaj përpjekjeje i takon Baton Haxhiut, një burri siguriosht të mençur, me hilen që inteligjencën e kam për vete, por edhe për t’jua hedhur më pak inteligjentëve se unë. Për Batonin, Olsi Rama është një hedonist, pra dikush që u jepet qejfeve të jetës. Sipas Batonit, Olsi ka qejf dy gjëra në jetë: futbollin dhe atë tjetrën që e kemi qejf të gjithë. Në një mjedis burrash ku nënkuptimet janë deomos mashkullore dmth p…. (megjithatë edhe këtu nuk kemi pse të jemi të sigfurtë sepse gjithnjë e më shumë p…po skualifikohet si totemi kryesor).

Fevziu duke qenë, si burrë shqiptar, si moderator i emisionit kërkoi edhe një jargavitje më shumë nga publiku i tij në shkallët imagjinare të arenës, dhe e pyeti se çfarë është ajo gjëja që kanë qejf burrat.

Gjetja e Batonit për ta fikur dritën e thelbit të debatit ishte e mirë, por efektet i ka patur jetëpaka. Edhe mendjet më vulgare e dinin se mbrëmë debati duhej të ishte “a ka përgjegjësi vëllai i njeriut më të fuqishëm në vend; a është ai pjesë e trafikut të drogës? Akuza bazohej mbi dyshime të arsyeshme, mbi piketa që lidheshin logjikisht, me dosje të prokuruara nga shteti dhe vinin nga një eksponent i lartë i partisë më të madhe të opozitës.

Debati pra, ishte, a është i përfshirë Olsi, jo si qytetari Rama, por si vëllai i kryeministrit? A janë qepur dokumentet në mënyrë të tillë që ai ti shpëtonte përgjegjësisë? A e kanë fshehur prokurorët përfshirjen e tij? A janë promovuar ata në detyra të larta për këtë ‘shërbim’ ndaj kryeministrit?

Të mbuluarit e këtyre pyetjeve me hedonizmin e personazhit në fjalë, dëshirimet e tij për futbollin dhe p…. janë banalitete, për vetë faktin e thjeshtë se thuajse të gjithë burrat, këtu apo në vende të tjera, këtë bëjnë: shohin shumë futboll dhe janë të trishtuar se pse kanë kaq pak p…

Por, kjo përpjekje për ta vizatuar Olsin si hedonist, pra një qejfli të vjetër qyteti, është një skenar i përdorur, që pararendësit e Batonit në krijimin e mitit të Edi Ramës e kanë futur në qarkullim që në fillimvitet ’90. Ky mit e shpëtoi Ramën edhe nga kurthi i fotove nudo në plazhet e Francës, që u publikuan për ta dëmtuart dhe në fund e ndihmuan që të rizgjidhej në krye të bashkisë.

Batoni dhe të tjerë, le të mundohen të ngrenë mit të ngjashëm edhe për Olsin, por kjo nuk e shmang pyetjen: keni ndonjë burrë shteti për të ofruar apo vetëm burra p…?  

*ikonoklast-persona që mundohen të zhbëjnë apo sulmojnë besime apo koncepte të ngulitura dhe popullore.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco