Lajmi i fundit

EMRI/ Vrau çiftin e të moshuarve, policia identifikon autorin e krimit…

Inteligjenca Artificiale dhe bashibozukët e Rilindjes

Inteligjenca Artificiale dhe bashibozukët e Rilindjes

Nga Erion Dasho - 02/03/2024

1.
Ndonëse kanë kaluar 11 vjet në pushtet, është e vështirë të përmendësh qoftë edhe një arritje të vetme të rilindësve në rrugën e integrimit europian.
Kryeministri ynë bufon dhe karagjoz shkonte në takimet e BE-së me çitjane, i dhuronte opinga presidentit të së vetmes fuqi bërthamore të BE-së dhe i tregonte zhgarravinat e veta çdo personaliteti europian që vizitonte vendin tonë.
Në konceptin e tij talebanesk për shtetin, këto ndoshta përkufizohen si "marrëdhënie reciproke", ose si "progres" në negociata. Në fakt, këto janë incidente që bëjnë qesharak atë vetë, por fatkeqësisht edhe shqiptarët që i kanë besuar tre herë rresht drejtimin e shtetit një individi të papërgjegjshëm.

2.
Një nga sfidat më të mëdha në rrugën e integrimit europian është harmonizimi i legjislacionit midis vendeve kandidate dhe unionit. Nëse shumë kritere kanë edhe doza subjektivizmi dhe para tyre mund të mbyllen sytë për interesa politike ose gjeostrategjike, legjislacioni ose është i harmonizuar, ose jo.
Kriteri i harmonizimit të legjislacionit, aq sa është i vështirë për t'u anashkaluar, aq është i lehtë për t'u plotësuar. Një ekip i aftë juristësh bën analizën e kuadrit ligjor shqiptar dhe atij të BE-së, identifikon pjesët që janë në harmoni dhe në fund bën rekomandimet se çfarë duhet ndryshuar.
Problemi është se në shtetin e Boratit, nuk punësohen të aftët, por militantët, patronazhistët dhe aktivistët. Qëllimi i tyre është të spiunojnë fqinjin dhe kolegun, jo të bëjnë punën. Pozicioni ku janë emëruar për ata është shpërblimi për shërbimet ndaj partisë dhe jo për punën në dobi të shtetit dhe qytetarit.
Në krye të drejtësisë së Boratit është një personazh i errët të cilin gazetat prestigjioze europiane e kanë etiketuar si hajdut votash dhe manipulues zgjedhjesh.
Juristët e Boratit janë elifimatrakë që kanë për detyrë të projektojnë ose mundësojnë vjedhjet e Boratit.
Kjo është arsyeja për të cilën në shtetin rrumpallë të Boratit, nuk ka gjasa të plotësohet ndonjëherë kuadri ligjor aq i domosdoshëm për proceset integruese.

3.
Shqiptarët u çuditën para disa muajsh, kur i habitur nga ChatGPT, sikundër një fëmijë habitet para një loje të re, Borati deklaroi se të paaftët e vet do t'i zëvendësonte Inteligjenca Artificiale, e cila do të harmonizonte kuadrin ligjor shqiptar me atë të BE-së.
Sot, disa muaj pas përçartjes së radhës së Boratit, AKSHI i vet ngre duart dhe deklaron dështimin e tenderit që kishte si objekt blerjen e aplikacioneve të Inteligjencës Artificiale për të zëvendësuar parazitët natyralë të Boratit.
Përse dështoi tenderi?
Në radhë të parë, jam i sigurt se amatorët e AKSHI-t të cilët asnjë dyqan bakalli nuk do t'i merrte në punë në perëndim, janë të paaftë të shkruajnë një tender ndërkombëtar.
Së dyti, edhe sikur të aftësohen papritmas, qëllimi i tyre nuk ka qënë sjellja në Shqipëri e profesionistëve të botës, por pazaret dhe ndarja e "plaçkës" me kompani të dyshimta shqiptare. Kjo është arsyeja se përse sistemet e informacionit të shtetit shqiptar penetrohen edhe nga kalamaj, të cilët për të mashtruar shqiptarët etiketohen me emrin bombastik "hakera iranianë".
Së treti, dhe më e rëndësishmja, aplikacionet e inteligjencës artificiale gjenerative (Gen AI) janë ende në një fazë të hershme të zhvillimit. Saktësia e tyre është ende e dyshimtë. Hartimi i një kuadri ligjor nuk është si zhgarravinat e Boratit, ai kërkon saktësi sa më afër 100%-it, të cilën nuk dihet ende se kur mund ta arrijnë aplikacionet e Gen AI. Këto aplikacione mund të jenë vetëm mbështetëse të ekipeve të ekspertëve. Nëse ekspertë nuk ka, Gen AI nuk mund të bëjë çudira. Të paktën sot.

4.
Me sharlatanizmin, papërgjegjshmërinë dhe demagogjinë që e karakterizon, Borati nuk ndalet së hedhuri shashka dhe tymuese për konsum publik.
Qëllimi është të mashtrojë shqiptarët dhe ta shtyjë edhe pak muaj. Deri sa të konsolidojë edhe pak kapjen e shtetit, të parlamentit, të medias, të gjykatës, të ekonomisë. Derisa të forcojë edhe pak më tepër diktaturën e vet. Në kurriz të shqiptarëve.
Mufka si kjo me Inteligjencën Artificiale do të dëgjojmë sërish.
Uroj vetëm një gjë:
Që shqiptarët të vazhdojnë t'i japin Boratit mesazhe si ai i 20 shkurtit.
Se koha e tij ka mbaruar!
Se shqiptarëve u ka sosur durimi me çetën e tij të hajdutëve, të parazitëve, të të paaftëve dhe të papërgjegjshmëve.
Se Inteligjenca Artificiale është një hap i jashtëzakonshëm për njerëzimin, por ajo nuk mund të aplikohet nga bashibozukët e AKSHI-t që bënë masakër me të dhënat më sensitive të shqiptarëve.
Se teknologjia, sado e avancuar, ka qënë gjithmonë bashkëudhëtare dhe plotësuese e njeriut, asnjëherë zëvendësuese e tij...

Shënim i Syri.net: Lart, foto e Ramës e krijuar nga një qytetar me anë të Inteligjencës Artificiale, publikuar prej Kryeministrit vetë.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco