E vërteta e kundërshtarit të diktatorit, nga dritarja e të burgosurit politik

E vërteta e kundërshtarit të diktatorit, nga dritarja e të burgosurit politik

Nga Ndriçim Kulla - 01/03/2024

Sali Berisha, lideri historik i PD, e cila bëri të mundur vendosjen e pluralizmit politikë në Shqipëri, duket qartë se po e vazhdon misionin e tij, tashmë me profilin e ri edhe më frymëzues, tek dritarja e shtëpisë ku banon në rrugën e re me emrin e bukur “Rruga e Shpresës”.

Të gjithë tashmë e dimë se çfarë po ndodh në këtë rrugë, ku burgu politik i babait të pluralizmit shqiptar nga dritarja po i hap rrugë një shpresë të re.

E ashtuquajtura akuzë për korrupsion pasiv kundër tij po kristalizohet çdo ditë e më qartë se nuk është gjë tjetër veçse një pseudo-hetim i montuar politik, që nuk ka akuzë, nuk respekton asnjë afat procedurial ligjor dhe zhvillohet tërësisht në një anormalitet të plot juridik, të denjë për vendet diktatoriale.

Në një moshë sfiduese, ai po vazhdon betejën me diktaturën e riardhur, e cila është më e sofistikuar dhe më e rrezikshme se ajo që lamë mbrapa 32 vjet më parë.

Që nga dita e parë e izolimit në shtëpi për afro 50 ditë me radhë, Sali Berisha paradoksalisht duket të jetë bërë më i ri, më energjik, më intrigues dhe më i besueshëm në denoncimet publike që i bën “Tabil Sarajit” në Tiranë.

Burgosja e ish-kryeministrit na rizgjon në mendje brendësinë e pushtetit dhe marrëzinë e skllavërimit ndaj tij, kur një moment tepër kritikë për skllavëruesit shfaqet momenti kur e pushton paranoja tiranike.

Po çfarë është paranoja tiranike në këtë rast?

Frika nga kundërshtari, frika e humbjes së pushtetit, tmerri nga banka e të akuzuarit, burgu i pashmangshëm prej abuzimeve të pushtetit etj, etj.

Me një fjalë, mbas qeverisjes  pa ligje, pa rregulla, duke i shkelur si i marrë ato , me rikthimin e shtetit ligjor, do të vij një ditë që domosdoshmërisht do të sjellë ndëshkimin.

Dhe instikti i frikës, së bashku me mungesën  e arsyes, nga vrimat e errëta të qenies, e hedh paranojën e mendjes tiranike në krahët e hakmarrjes dhe në rastin konkret në burgosjen politike të kundërshtarëve  potencial të tij.

Diktatorët, atë dinë të bëjnë më mirë dhe më shpejt dhe e harrojnë  se çfarë është e vërteta dhe demokracia me tej në ecurinë e kohës.

Sot, e vërteta e kundërshtarit të diktatorit po shfaqet  më e besueshme se kurrë nga dritarja e të burgosurit politik në Tiranë.

Çdo mbrëmje në betejën e fortë që ka thurur rrjeta e merimangës për të shpleksur intrigat e kamufluara  politike të lobistëve të errët, Sali Berisha është bërë më dekonstruktiv për regjimin.

Tashmë në këtë përballje, nga njëra anë kemi një njeri të stërfrikësuar nga mëkatet që ka bërë, por që i ka të gjitha pushtet dhe i kontrollon ato në mënyrë kapilare dhe një njeri, dikur të pushtetshëm, por që sot forcën e vetme që zotëron e ka  tek kauza e tij dhe tek e vërteta.

Slogani i tij: Zgjohuni shqiptarë, nuk duhet ta lemë të na pushtojë më tej e keqja. Mos kini frikë! Ne do fitojmë!

Motoja e tij të ecim përpara, sepse do të fitojmë, nuk është një utopi  në shkallën më të lartë të kësaj krize të gjithanshme, ku diktatori përpiqet ta mbulojë me zhgarravinat e tij,që shpërndan  nëpër kancelaritë perëndimore, por një rrugë besimplote, që buron nga  ndërgjegjja, eksperienca, përgjegjësia  dhe besimi.

Diktatori nuk ka pasur kurrë armik më të rrezikshëm se ai që e ka izoluar politikisht, i cili po e sfidon me madhështinë e të vërtetës që zotëron nga dritarja e shtëpisë së tij, duke i bërë gjyqin politik,  klikës së tij dhe duke e dekonstruktuar së bashku me pseudo-drejtësinë e re sorosiane.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco