Alex Soros në samitet e Ramës, si emblemë e 'Shoqërisë së Shqyer'

Alex Soros në samitet e Ramës, si emblemë e 'Shoqërisë së Shqyer'

Nga Alfred Lela - 01/03/2024

Edi Rama huazoi prej Tony Blair, një ndër shumë imitimet, konceptin e Partneritetit Publik Privat, të famshmet “PPP”. Ky ‘novacion’, ne parim, bashkon në një sipërmarrjen eficente private me burimet shtetërore. Në rastin e Shqipërisë u kthye në ndoshta dështimin dhe dëmin më të madh të qeverisjes. Rasti britanik, që donte të anullonte ngadalësinë e burokracisë shtetërore nëpërmjet partneritetit me shpejtësinë e sipërmarrjes private, në Shqipëri martoi dy babëzi: zyrtarin e korruptuar me biznesmenin pehlivan që ishte në treg, për të përdorur fjalë të Ramës, për një “KÇK” (kap çfarë të kapësh).

Ilir Beqja është simboli i këtij dështimi dhe i këtij profili ekonomiko-politik. Si çdo gjë tjetër anglo-saksone, në Shqipërinë mesdhetaro-orientale, as kjo nuk ngjiti.

Edi Rama e nguli këtë thikë, si në arkën e publikes, si në shpinën, edhe ashtu të kërrusur, të shtetit shqiptar, por tani po bën thuajse të pamendueshmen: po e rrotullon. Ai ka vendosur që të kalojë në Partneritet Publik Privat dy kolona në të cilat shtrihet pothuaj gjithë pesha e shtetit. E para është thuajse e kryer, dhe e dyta ende në fazën parake: drejtësia dhe politika e jashtme.

Pa ndonjë aftësi të madhe vëzhguese, ndjekësit e samiteve rajonale në Ballkan, mund të kenë vrojtur praninë, gjithnjë e më të shkujdesur dhe emblematike të Alexander Soros-it, pinjollit të George Soros dhe krijesës së tij multimilardëshe në financa dhe shumështresëse në influenca, Fondacioni Shoqëria e Hapur. Soros Jr. ka bërë vend në këto takime duke kaluar nga Tirana dhe vullneti i kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Vuçiç e ka pranuar i joshur nga mbështetja sorosiane e Ballkanit të hapur, kryeministri maqedonas në amatorizëm, lobim apo mosinteresim, kurse Albin Kurti si ‘dëm anësor’ të përplasjeve me amerikanët. Pamja dhe prania e Alex Soros-it në këto samite shpreh shumë duke mos thënë asgjë.

A ka vendosur z. Rama, dhe vende të tjera të Ballkanit, ta kalojnë në skemën PPP politikën e tyre të jashtme? Apo, a mos, duke bërë këtë kanë pranuar, më në fund, se janë shtete të dështuara (failed states) duke zgjedhur nënkontraktorë për të bartur politikën e tyre të jashtme në raport me aleatët apo kundërshtarët?

Protokolli shtetëror apo diplomatik nuk parasheh aktorë të tjerë (jo-shtetërorë), as në bisedime dhe as në ‘foton familjare’ të samiteve ndërkombëtare. Nuk i keni parë besoj vëllezërit Koch në foton e ndonjë prej samiteve të G9? Sigurisht, aktorët politikë dhe shtetërorë shtyhen apo ndikohen nga aktorë dhe sfera influencash, por kjo është e gjitha në prapaskenë. Skenëzimi i ‘influencuesve’ i dëmton në fakt të dy palët, si influencuesin, si të influencuarin. Të paktën ky ka qenë kuptimi i kësaj marrëdhënieje ndërvarësie deri vonë, kur shtetet priheshin nga burra shteti dhe kur manjatët, pavarësisht fuqisë, e kuptonin se në politikën publike ka disa vija të kuqe të pakalueshme.

Prania e Alex Soros-it, kthimi i tij në mainstay në gjeopolitikën e minuar dhe të ngatërruar të Tiranës dhe Ballkanit, nuk prodhon më shumë histori se sa mund të konsumohet, por konsumon gjithë atë që nuk prodhohet, pra deklaron shterpësinë e një politike të jashtme, per mbulimin e se ciles simulohet një spektakël dy lekësh.

Çfarë po bën atëherë Edi Rama me Alex Soros-in në panairin ballkanik: po krijon një politikë të jashtme të spektaklit në kohë të luftës, apo po i kundërvihet fuqive konvencionale politike e militare me dokrrën e një shoqërie të hapur, në të cilën vende si Shqipëria, që nuk kanë as shoqëri dhe as muskuj, nuk mund të kontribuojnë asgjë?!

Dikush duhet t’i thotë dikujt se, të flasësh për rrezikun e luftës, që mund të zbresë nga stepat ruse në siujdhesën ilirike, dhe në programin e kundërsulmit të kesh, në rastin më të mire, një voodoo sorosiane, është të paktën shkurtpamësi.

Për Edi Ramën kjo ndoshta nuk do të thotë shumë. Ai, në perspektivën jashtë-politike, mund të jetë duke dizajnuar funde burrash dhe pantallona grash, në një shoqëri, jo më të hapur por të shqyer, por Shqipëria, nuk është produkt, por amanet i shumë mendjeve dhe duarve pararendëse.

Ta zbrazësh dhe ta japësh me koncension nuk ka shenjën e tradhtisë, por të mallkimit.  

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco