Sa VLEN Albin Kurti në Maqedoni?

Sa VLEN Albin Kurti në Maqedoni?

Nga Andi Bushati - 27/02/2024

Koalicioni anti Kurti në aksin Tiranë – Prishtinë- Tetovë është tubuar sërish rreth një fabule të re, asaj se kryeministri i Kosovës po tenton të destabilizojë Maqedoninë. Akuzat janë se ai po përçan partitë shqiptare vendase, se po kërkon të ndikojë në rotacionin e pushtetit për zgjedhjet e përgjithshme të 8 majit, se po tenton të eksportojë në rajon, krizën e pazgjidhur të përplasjes me ndërkombëtarët në vendin e tij.

Shkak për këtë është bërë përkrahja që Vetëvendosja i ka dhënë opozitës shqiptare në Maqedoni dhe pjesmarja e disa anëtarëve të saj si kandidatë në garën e pas dy muajve.

Në fakt, zgjedhjet e kësaj radhe në vendin fqinjë janë tepër të rëndësishme. Së pari sepse partia nacionaliste në opozitë, VMRO DPMNE është shumë përpara në sondazhe. Se dyti, sepse koalicioni i një sërë faktorëve shqiptarë, mund të thyejnë, pas dy dekadash, hegjemoninë e BDI-së së Ali Ahmetit. Në këtë koalicion, që deri pak kohë më parë ishte tubuar nën emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN), gjenden ish disidentë të partisë së Ali Ahmetit, si Izet Mexhiti, forca të tjera tashmë të konfirmuara si BESA e Bilal Kasamit dhe ministra që kanë lënë qeverinë për ti’u bashkëngjitur opozitës. E kurorëzuar si VLEN, pas përfshirjes në lista edhe të anëtarëve të Vetëvendosjes, kjo listë tenton të kalojë numrin e 15 deputetëve që shënon rekordin e BDI-së.

Pavarësisht se Albin Kurti deklaron publikisht se partia e tij nuk është e regjistruar formalisht në zgjedhjet maqedonase, dora e tij ndihet e fortë në këtë grupim opozitar. Në gusht të këtij viti, Kurti zhvilloi një vizitë madhështore në komunën e Çairit në Shkup, bastion i Izet Mexhitit dhe mori pjesë në një miting me nota tejet nacionaliste, ku valviteshin flamujtë Autochthonus, në Tetovën e Bilal Kasamit. Ai thuhet se ka ndikuar në përçarjen e partisë Aleanca për Shqiptarët dhe kalimin e një fraksioni të saj në drejtim të opozitës. Ai i priti të gjithë këta së bashku në zyrën e tij, në fund të janarit, ndërkohë që një këshilltar zyrtar i tij, me shtetësi maqedonase, Bekim Çoku, do të jetë kandidat për deputet i kësaj liste.

E gjithë kjo ndërmarrje po shoqërohet me shqetësim të madh. Në politikën e brendshme kosovare janë shtuar akuzat për paternalizëm arrogant duke përmendur edhe rastet e ndërhyrjeve në zgjedhjet në Shqipëri dhe në Luginë të Preshevës. Ramush Haradinaj e etiketoi lëvizjen si zbatim të axhendës ruso-serbe.
Në Shkup, një nga figurat e BDI-së, ministri i jashtëm Bujar Osmani aludoi për një fragmentarizim të spektrit shqiptar, që dëshërohet nga faktorë të jashtëm. E çuditshme është se i shqetësuar u tregua edhe presidenti serb Vuçiç, që deklaroi se Kurti dëshëron të udhëheqë edhe Maqedoninë e Veriut, duke hequr qafe Ali Ahmetin.
Në fakt, shumë nga kritikat konvergojnë pikërisht në këtë pikë: se një lëvizje e yshtur nga Prishtina, po tenton të thyejë monopolin e 20 vjeçar të Ahmetit, i cili mbështetet fort nga Tirana dhe ka shërbyer si xhol në aventurën fatkeqe të Ballkanit të Hapur. Ata që janë kundër fuqizimit të një opozite anti BDI, kanë argumentat e tyre. Sipas logjikës që trumpetojnë shqiptarët duhet të jenë të bashkuar rreth partisë që doli nga lufta, pasi asnjëherë më parë ata nuk kanë arritur kaq shumë të drejta në Maqedoni. Kushtetuta e re, përdorimi i gjuhës shqipe, ngritja e univesiteteve, kontrolli mbi ministri të rëndësishme, ishin të paimagjinueshme në shekullin e shkuar. Po ashtu edhe efekte simbolike si pasja e një kryeministri, qoftë ky edhe teknik, apo e një monumenti të Skënderbeut në Shkup, kanë domethënien e tyre të pamohueshme.

Në këtë kuptim, arritjet e kohës së BDI-së, në qeverisje, janë të pamohueshme, por nga ana tjetër ato kanë bashkëudhëtuar me një korrupsion galopant, me një klientelizëm të shfrenuar në punësim, deri në atë pikë sa edhe disa institucione të drejtuara nga shqiptarët, nuk kanë qenë realisht në shërbim të tyre. Prandaj një alternativë ndaj kësaj hegjemonie mund të ishte e mirëpritur. Edhe historia e të drejtave të shqiptarëve në vendin fqinjë ka treguar pikërisht këtë. Kur PDSH e Arbër Xhaferit dhe Menduh Thaçit theu monopolin e Prosperitetit Demokratik ato avancuan. Ato shkuan edhe më tej kur BDI, e dalë nga lufta, konkuroi dhe mundi PDSH. Një konkurencë e re, e forte dhe e drejtë, ndaj partisë të atrofizuar të Ali Ahmetit do të ishte vetëm në leverdi të shqiptarëve. Pikërisht në këtë drejtim është investuar Albin Kurti duke hedhur në lojë popullaritetin që gëzon në shtetin kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Natyrisht asnjë politikan i llojit të tij, i vendosur në qëllime dhe ambicioz në objektiva, nuk bën lëvizje një drejtimshe. Dhe kjo nënkupton se një pjesë e atyre synimeve, për të cilat po e akuzojnë sot në Shkup, Prishtinë apo Tiranë, mund të vërtiten në mendjen e tij. Por pavarësisht kësaj, nëse koalicioni që ai po mbështet, prodhon një skenë më plurale të partive shqiptare në Maqedoni dhe krijimin e një alternative ndaj hegjemonisë 20 vjeçare, ai i bën më mirë interesave të bashkëombasve tanë. Në këtë rast po, basti i Kurtit vërtet i’a, VLEN./ lapsi

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco