Dy botët e vrasjes në Shënavlash

Dy botët e vrasjes në Shënavlash

Nga Pëllumb Nako - 27/02/2024

Vrasja e ndodhur në fshatin Shënavlash të Durrësit duket si një shenjë alarmi e qartë për të parë më nga afër se çfarë po ndodh në familjen e shqiptare e madje dhe më gjerë, në shoqërinë shqiptare. Duke parë të gjithë elementët e ngjarjes mbi bazën citimeve të bëra në medie, do të konstatohen që shumë syresh janë të pranishëm masivisht. Kjo sepse nën një aspekt të gjerë social, ngjarja e ndodhur në fshatin Shënavlash të Durrësit ku vajza a sapo dalë nga mosha e adoleshencës, vret të atin në bashkëpunim me vëllezërit, dëshmon për problematikë të shumëfishtë, tregues i kaosit të vlerave sociale në të cilat po përpëlitet familja shqiptare.

Çarjet e thella që ajo po përjeton në një epokë ku flitet më shumë për pasuri dhe pak ose aspak për virtyte njerëzore të përputhshme me normat standarde morale. Nuk jemi nën realitetin e përplasjes së brezave. Kontradikta e brezave është përplasje e vlerave të kohëve të ndryshme, që përfaqëson secili brez, kurse në rastin e ndodhur më shumë ka përplasje ndërmjet trashëgimisë kanunore, me akte të ndikuara nga “TikTok”-u apo rrjetet e tjera sociale aq me ndikim te të rinjtë. Pra, asgjë e përbashkët me vlerat e vërteta të një shoqërie. Në të njëjtin kulm shtëpie jetojnë e vrasin botë të ndryshme pa asnjë lidhje me botën e ligjit penal dhe të atij moral të një shoqërie të zhvilluar. Në këtë shtëpi, para tragjedisë jetonte një baba, i cili shkonte të punonte rregullisht për të mbajtur familjen, si çdo njeri i zakonshëm i shoqërisë shqiptare.

Megjithatë, kemi të bëjmë me një kryefamiljar, i cili nga sa dëshmon e bija që e vrau, duket qartë se ai punon e jeton në kohët e sotme, por i përket ende një epoke të largët. Ai jeton ende me rregullat patriarkalizmit me primitiv që qëndron ende i gjallë në mendësinë e shumë shqiptarëve. Ai ushtron dhunë e presion për të detyruar vajzën, ende në moshë të vogël, të martohet me dikë që ajo nuk e njeh. Rast tipik martese me mblesëri aq i njohur në Shqipëri. Përveç mblesërisë, fakt tjetër i cili evidentohet nga ana e dëshmisë së vajzës, është edhe dhuna e presioni i prindit se do ta vrasë të bijën nëse nuk bindet. Pra, jemi në prani të fenomenit po aq të njohur nga shoqëria shqiptare, dhuna ndaj femrës në familje. Po ashtu, fakti tjetër që evidentohet dhe tregon se jo vetëm kryefamiljari, por edhe pjesëtarët e tjerë të familjes duken qartë që nuk jetojnë me normat e shoqërisë së sotme civile.

Në shtëpinë e tyre qarkullon lirshëm një armë zjarri, e cila vihet në një komodinë. Të marra të tëra së bashku, dhuna, mblesëria, kërcënimi, arma, janë të gjitha, kush më shumë e kush më pak, dëshmi tjetër e fortë se në atë familje, koncepti i shtetit ligjor të sotëm është inekzistent. Nga ana tjetër, kemi një vajzë thuajse adoleshente, e cila rebelohet dhe nuk pranon fejesën e propozuar nga babai. Këtu problemi është më kompleks, pasi përmban detyrimin si forcë zakonesh tradicionale. Madje, martesa të kësaj natyre përbëjnë një pikë, e cila përdoret edhe nga qarqe antishqiptare sot në botë. Dhe konkretisht, ish-parlamentarja franceze e Frontit Nacional, Mareshal Le Pen, parti kjo që siç dihet, është ekstremiste dhe antievropiane, në debatet e saj kundër Bashkimit Evropian, ka përdorur si argument kundër këtij të fundit faktin se ky organizëm po i hap dyert e tij edhe Shqipërisë, vend ku vajzat martohen me detyrim.

Pra, problemi i detyrimit apo i martesës me mblesëri sot në vendin tonë nuk është i matur dhe nuk ekziston ideja se sa i gjerë është. Megjithatë, fenomeni shkakton dhunë mbi femrën më shumë se dhuna fizike, kjo sepse i heq lirinë femrës për të marrë vetë vendimin e jetës. Sigurisht fenomeni ka kompleksitete të dallueshme, sepse shpesh ai ka edhe konsensusin e femrës, pra të vetë viktimës. Në kushte të tilla edhe denoncimet janë të vështira, sepse vajzat që martohen me detyrim, shpesh janë dakord jo thjesht si bindje ndaj autoritetit prindëror, por edhe ndaj traditës.

Megjithatë, nisur nga akti ekstrem i vrasjes së prindit në rastin që po flitet, problemi duhet adresuar, duhet bërë i njohur. Kjo, sepse nuk ka denoncime nga ana e femrave për martesa me imponim që siç u tha, u heq atyre lirinë në vendimmarrje. Aktualisht nuk qarkullojnë as bilance lidhur me fenomenin e martesave të imponuara, sepse gjithë vëmendja e organeve kompetente, e shoqërisë civile është e përqendruar mbi dhunën në familje, mbi dhunën ndaj grave. Në fakt, kjo dhunë në familje duhet parë në dy drejtime për të pasur një qasje të ndryshme ndaj tyre, jo të njëjte, pavarësisht se ligji i dënon pa dallim. Një drejtim ka të bëjë me individë të degraduar që ushtrojnë dhunë ndaj grave jo për shkaqe kanunore apo zakonore dhe pjesa tjetër, ajo me karakter tradicional. Nëse e para edhe denoncohet, e dyta është më e vështirë sepse pranohet vullnetarisht nga vetë viktima. Në këtë kontekst, edhe martesat e imponuara shprehin formë të dhunës.

Në rastin e martesës së tipit për të cilin po flitet, vajza rebelohet ndaj dhunës dhe kërcënimit. Në thelb martesa me detyrim mbetet fenomen mjaft i rëndë. Nga ana tjetër, në ngjarjen e ndodhur në Shënavlash kemi të bëjmë me një vajzë tepër të re, e cila nuk u nënshtrohet rregullave kanunore të të atit, por për ta zgjidhur këtë konflikt, nuk ka asnjë pikë orientimi për normat e shoqërisë ku jeton. Megjithëse e lindur dhe e rritur në një kohë kur shteti dhe organet e tij kompetente kanë arritur një farë stabiliteti në zgjidhjen e konflikteve sipas akteve të shumta ligjore, të përparuara, ajo nuk ka asnjë ndikim prej tyre. As nëna, as vëllezërit e as ajo vetë ende nuk kanë krijuar bindjen se ka ligje dhe institucione që i mbron nga dhuna në familje dhe po ashtu të kenë idenë se vendi ku jetojnë ka ligje, të cilëve duhet t’u binden, por kalojnë në vetëgjyqësi.

Duket qartë që nën kulmin e asaj shtëpie të zakonshme të Shënavlashit, si në mjaft të tjera si ajo, përplasen fortë morali kanunor i njohur qartë nga shoqëria shqiptare dhe një moral tjetër i ri i paqartë në formën e një aliazhi ndërmjet Kanunit dhe ndikimeve negative të shoqërisë së sotme shqiptare në raport me vlerat e vërteta sociale të një shoqëria të civilizuar. Nëse në aspektin penal, ngjarja e Shënavlashit është e qartë dhe ndan pastër krimin, viktimën dhe autorin, në aspektin social është një katrahurë e vërtetë. Krimi dhe viktima qëndrojnë njëkohësisht te të gjithë anëtarët e familjes.

Marrë nga Panorama

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco