Ukraina zgjoi Europën nga gjumi i rehatisë për të parë rrezikun rus!

Ukraina zgjoi Europën nga gjumi i rehatisë për të parë rrezikun rus!

Nga Enver Bytyçi - 25/02/2024

Sot u bënë dy vite nga dita kur Rusia e Vladimir Putin nisi agresionin ushtarak kundër Ukrainës. Jo pak thonin asokohe se Moska do ta pushtonte vendin në disa ditë. Më optimistët përmendnin javët. Madje ky mosbesim ishte i përhapur edhe në qarqe të larta politike e diplomatike në Perëndim, saqë ndonjë prej tyre u thoshte diplomatëve ukrainas “Çfarë ndihme kërkoni? Ju nuk do të rezistoni më shumë se tri ditë ose një javë”! Kjo psikozë u ngjiz atë kohë për shkak të mbivlerësimit të potencialit ushtarak rus. Frika ruse ishte shkaku i refuzimit të ndihmës për Ukrainën. Madje në fillim kishte gojëdhëna të një kërcënimi bërthamor që Putin i kishte bërë presidentit francez, Emmanuel Macron.

Por Ukraina rezistoi. Pranoi sfidën dhe madje u bë faktori kryesor për të ndryshuar jo vetëm perceptimet, por edhe angazhimet amerikane dhe europiane në ndihmë të Kievit. Thyerja e ushtrisë ruse në Kiev dhe disa qytete të tjera të mëdha krijoi atmosferën e solidaritetit euro-atlantik me Ukrainën dhe presidentin e saj, Volodymyr Zelensky. Zelensky pati në ditët e para ofertën e largimit nga Ukraina. SHBA-të i ofruan ndihmë për këtë. Por ai e refuzoi kategorikisht këtë ofertë. Ndaj u bë ylli i rezistencës ukrainase. Kliçko gjithashtu nga ana e tij demonstroi shembullin e tij në Kiev. Qëndresa e liderëve i bindi qytetarët e vendit që të luftojnë, madje me optimizëm.

Sot, pas dy vitesh, lufta vazhdon. Në fundin e shkurtit 2022 askush nuk e kishte menduar se kjo luftë do të zgjaste kaq gjatë. Megjithatë ja ku jemi. Ushtria ruse ka pësuar dëme të mëdha dhe është stacionuar në një rajon të ngushtë në lindje. Sulmon me dronë e raketa ndonjëherë Odesën dhe Dnjeprin, sepse dëshiron që në rastin e bisedimeve për paqe të ketë sa me shumë territore të pushtuara. Por presidenti Zelensky është ende optimist. Ai paralajmëroi në dy vjetorin e sulmeve ushtarake ruse se do ta fitojë luftën dhe se Rusia do të mundet në fushën e betejës.

Në fakt Rusia nuk ka plotësuar asnjë nga kërkesat e saj të para dy viteve. Nuk ka mundur ta “denazifikojë” Ukrainën, duke e zëvendësuar qeverinë e Zelensky-t me një qeveri tjetër proruse. Nuk ka mundur ta ndalojë integrimin e Ukrainës në strukturat euro-atlantike. Përkundrazi ky integrim është përshpejtuar. Nuk ka mundur pra ta neutralizojë këtë vend nga pikëpamja gjeopolitike. Kremlini gjithashtu nuk mundi as të përçajë faktorin euroatlantik e sidomos atë europian. Agresioni ushtarak i Moskës kundër Kievit ndikoi që Europa e Amerika të homogjenizohen më shumë. Vladimir Putin nuk mundi njëkohësisht të tërheqë ushtarakisht as Republikën Popullore të Kinës në krah të vetin kundër Perëndimit.

Por Vladimir Putin pati një përparësi në luftën e tij për sulmin ushtarak kundër Ukrainës. Kjo përparësi ishte toleranca e Europës për ngjarjet e vitit 2004 në revolucionin portokalli ukrainas, të ngjarjeve 2008 me pushtimin e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut dhe 2014 me aneksimin e Krimesë. Ish-ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier, dhe presidenti francez, Sarkozy, e toleruan Rusinë në aventurat e kohës dhe madje njohën de facto pushtimin e Krimesë. Nëse nuk do të tolerohej Putin në tri rastet e mëparshme, zor se ai do të guxonte të niste një sulm të tillë më 24 shkurt 2022.  Ndërkohë që në vitin 2004 Putin ishte aleati kryesor i Gerhard Schroeder dhe Zhak Shirak kundër presidentit amerikan, George W. Bush, në sulmet amerikano-britanike kundër Irakut.

U desh që lufta të kërcënojë seriozisht Europën, që ajo më pas të bashkohet kundër rrezikut rus. Megjithatë forcat politike të financuara nga Rusia janë ende të forta në Europë, veçanërisht ekstremi i djathtë, por edhe ai i majtë. Zgjedhjet e majit për Parlamentin Europian do të dëshmojnë se sa Bashkimi Europian do të jetë kompakt e homogjen për të përballuar rrezikun e shtuar rus në kontinent. Ndërsa liderë autokratë si Orban, Aleksandër Vuçiq dhe homologu i tyre në Shqipëri drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë janë ndihmës të agresionit të Vladimir Putin në Ukrainë.

Pas tri ditësh në Tiranë do të organizohet një samit Ballkani Perendimor-Ukrainë me pjesëmarrjen e Volodymyr Zelensky-t. Sigurisht që ky samit do të shitet si mbështetje për Ukrainën dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe. Por metodat putiniste të qeverisjes në thelb e ndihmojnë presidentin e Rusisë në aventurën e tij anti-Perendimore, anti BE dhe anti-NATO. Ndërkohë që pjesë e këtij samiti do të jetë gjithashtu Serbia, e cila është e vetmja në kontinentit europian krahas Bjellorusisë që nuk ka pranuar të vendosë sanksione kundër Kremlinit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco