Beqja i Boratit dha shenjën e radhës së thyerjes përballë drejtësisë

Beqja i Boratit dha shenjën e radhës së thyerjes përballë drejtësisë

Nga Erion Dasho - 24/02/2024

Dje Beqja i Boratit dha shenjën e radhës së thyerjes përballë drejtësisë. Pasi ka ezauruar çdo alibi duke marrë në qafë deri edhe ish-punonjës pensionistë të pashallëkut të shëndetësisë që drejtoi për katër vjet, Beqja ndjen se i është mbledhur kulari.

Në fakt, nuk ka sesi t'i shpëtojë përgjegjësisë personi gjatë qeverisjes së të cilit u dizenjuan skemat e përbindshme që gllabëruan gjysmë miliard euro. Këto skema varfëruan shëndetësinë duke krijuar një hon, i cili tashmë mbushet direkt nga xhepat e shpuar të qytetarëve shqiptarë.

Edhe më parë Beqja e ka treguar burracakërinë e vet duke u përpjekur të përfshijë ishen Manastirliu në hetime. Ndërsa kjo e dyta ka përgjegjësi të shumta dhe të padiskutueshme, ku veçohet përgjegjësia për 20 mijë vdekjet dhe 200 milionë eurot që shqiptarët paguan si taksë për paaftësinë e saj në menaxhimin e pandemisë, nuk dihet ende nëse ajo ka pasur rol edhe në koncesionin e sterilizimit.

Shkresa që i ka nisur Ilir Beqes ministër nga pozita e drejtores së QSUT e lehtëson pozitën e Manastirliut. Në shkresë ajo i kërkonte ministrisë të merrte masa për vendosjen në punë të njësisë së sterilizimit në QSUT, me kosto që janë llogaritur disa fish më të ulëta në raport me çmimet e tejfryra me të cilat do të paguhej me vonë koncesionari i Beqes.

***

I vendosur me sa duket me shpatulla pas murit, i depersonalizuar nga paraqitjet e përjavshme në prokurori, i frikësuar nga sekuestrimi i pasaportës, i vendosur përballë fakteve, e-maileve dhe firmave, i ballafaquar me ish-vartësit (mashat me të cilët boratët nxorrën gështenjat nga zjarri gjatë viteve të mbretërimit), Beqja përfundimisht po thyhet.

Ai bëri publike në media një deklaratë kundër pasardhëses së vet në qeveri të cilën e kishte bërë më parë edhe para prokurorëve. Por fajësimi i bashkëfajtorëve në hajdutëri dhe thyerja e omertasë famëkeqe të rilindjes është thikë me dy presa.

Le të shpenzojmë ca rreshta më tepër për ta sqaruar këtë.

Beqja me profilin e vet të thyeshëm psikologjik nuk mban burg. Ai e di këtë. Borati e di këtë.

Rilindësit e tjerë me kalibër të lartë që përfunduan pas hekurave, ose vinin nga një mjedis "garipash", ose kishin krijuar një aleancë me botën e nëndheshme. Beqja nuk ka asnjë prej të dyjave. Hajdutëritë e veta ai i ka planifikuar dhe zbatuar në një mjedis jakash të bardha, duke shpresuar se koha për të dhënë llogari nuk do të vinte kurrë. Sot ai tmerrohet nga mjedisi i egër i burgut pa protektor.

Në këto kushte, përsëri si burracak, ai i dërgon Boratit mesazh duke i sulmuar një prej vartëseve më të afërta të cilën Borati e largoi disi nga qendra, por pa e nxjerrë nga rrethi.

Shkruajta se ky veprim është thikë me dy presa, pasi nga njëra anë mund ta rikthejë Boratin në protektor të Beqes, por nga ana tjetër mund të çojë në etiketimin përfundimtar të këtij të fundit si "armik të partisë" dhe të sanksionojë braktisjen përfundimtare.

***

Çfarëdo që të ndodhë me Beqjen e Boratit, organizata mafioze e rilindjes ka dhënë shenjat e plasaritjes. Thyerja e hapur e omertasë nga Tigri dhe tashmë edhe nga Beqja nuk janë shenja të mira për rilindësit.

Gjithçka që nevojitet tashmë është pendimi i një borati që ka qënë pjesë e kupolës. "Xhevahirët" që do t'i ofronte SPAK-ut një i penduar i kalibrit të lartë do të sillnin fundin e regjimit më kleptokratik dhe kriminel që ka patur shteti shqiptar në 100 e pak vite ekzistencë.

Të shpresojmë...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco