Kostot e 'Durrës Yacht Marina' me paratë tona

Kostot e 'Durrës Yacht Marina' me paratë tona

Nga Ola Xama - 22/02/2024

Kur qeveria dërgoi në Kuvend miratimin e projektit për ndërtimin e “Durrës Yacht Marina” dhe planin për të zhvendosur portin tregtar në Porto Romano, pyetja e parë që lindi ishte fizibiliteti i tij.

Çfarë do të thotë fizibël? Që një projekt të konsiderohet i tillë nga pikëpamja financiare, do të thotë që të gjenerojë më shumë të ardhura se ai aktual.

Sipas Planit të Biznesit të dorëzuar nga kompania “Eagle Hills Real Estate Development”, pala e shtetit shqiptar do të përfitojë gjithsej 282 milion euro në fund të 20 vjetëve.

Për të fituar këto 282 milion euro, jep në dispozicion tokën, fal disa taksa dhe kryen pastrimin e territorit, kontribute që me vlerën e sotme kushtojnë afërsisht 300 milion euro.

Për t’i hapur rrugë kësaj do të ndërtojë dhe një port të ri në një zonë tjetër. Vlera e kontabilizuar në buxhet për portin e ri është 415 milion euro.

Ky projekt u tha fillimisht se do të finacohej pjesërisht nga Autoriteti Portual Durrës dhe kompani prestigjoze ndërkombëtare, nga të cilat kishin shprehur interes 40 të tilla.
Interesi i tyre me sa duket mbeti vetëm në kronikat e disa mediave që janë kthyer në zyra shtypi të qeverisë, të cilat pas disa muajve shpallën me mburrje se ndërtimi i portit do të financohej nga NATO.

Dje propaganda u rrëzua!

Qeveria miratoi ndryshimet e buxhetit me akt normativ, ku në planin e investimeve publike pati vetëm një lëvizje: 95 milion euro nga performanca e mirë e mbledhjes së të ardhurave shkojnë për të financuar portin e ri.

Shpenzimet për ndërtimin e portit të ri ishin destinuar fillimisht në buxhet si financim i huaj, por duke qënë se as NATO dhe asnjë bankë nuk e konsideroi projektin fizibël, paratë po jepen nga buxheti.

Sot jemi në këtë llogari: falim 300 milion euro taksa dhe asete, japim 415 milion euro për të ndërtuar portin në Porto Romano dhe në fund të 20 vjetëve përfitojmë 282 milion euro.
Deri tani humbja ka shkuar 433 milion euro.


Image

 

Image

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco