Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Gjithçka virtuale, përveç dëmit që do paguash ti! Ai është real!

Gjithçka virtuale, përveç dëmit që do paguash ti! Ai është real!

Nga Gent Strazimiri - 22/02/2024

Sot, në seancën parlamentare të radhës, në 4 minuta iku Butrinti tek privati "strategjik" dhe Zadrima iu dha si qokë Italisë si magazinë për afrikanët që as ajo vetë nuk i përbaĺlon dot...

Në dhjetor 2023 në një seancë tjetër, po ashtu në 4 minuta u vendos që ti do paguash 25% më shumë nga fitimi që nxjerr si profesionist i lirë.

Procedurat parlamentare mbi këto, u bënë "online", virtualisht dhe ti e pe po ashtu virtualisht nga televizori sesi në 4 minuta filluan seancën, ngritën kartonat, morën rrogat e tyre dhe dolën të qeshur nga salla.

Ka që në tetor 2023 që opozita përpiqet t'i ndalë me trup, fizikisht, seancat Kuvendit në një përpjekje të për të ndalur dëmin e planifikuar e të paralajmëruar ndaj ekonomisë kombëtare dhe asaj individuale, tëndes.

Ka po ashtu që në tetor 2023 që debati i kafeneve përqëndrohet në faktin

* "a dukej bukur Flamur Noka kur u hidhte miell në fytyrë?",

* "a u ka hije grave deputete të komunikojnë me zë të lartë, duke u kërkuar gardistëve të lirojnë derën e sallës së seancave?"

* "a është normale që ish ministra, deputetë me përvojë, figura të shquara të politikës të bllokojnë fizikisht foltoren e Kuvendit?"

Përgjigjia është JO!

Asnjë nga këto nuk është as e bukur, as e hijshme e as normale por është padyshim e admirueshme.

Është, sepse është një reagim "in extremis" ndaj pafytyrësisë së një grupi individësh që parlamentin dhe debatin në të, e kanë kthyer në një ngjarje virtuale që zgjat mesatarisht 7 minuta...

Ndërkohë që ti, nga kafja, gjykoje estetikisht Flamur Nokën e deputetët e tjerë të opozitës, në ato 4 minuta diskutimi virtual u vendos që të të marrin nga xhepi 25% të parave që fiton nga puna jote si jurist, kontabilist, stomatolog, marangoz, mekanik, xhenerik apo si secili prej 127 profesioneve përmes të cilit siguron jetesën.

Në ato 4 minuta që edhe ti i përjeton virtualisht e i refuzon estetikisht, janë gllabëruar realisht Butrinti, Palasa, Porto Palermo, Divjaka, Syri i kaltër, e çdo cep i këtij vendi ku ia vlen të shkosh qoftë dhe vetëm për disa orë.

Edhe pak ditë a javë, kur të të duhet të paguash faturën e parë të tatim - fitimit të rritur me 25%, apo kur të shkosh për t'u larë në Jon e të gjesh përpara një tra me mbishkrimin "Ndal! Privat", jam i bindur se do të urosh të kishe qenë ti në parlament në vend të Flamur Nokës e cilitdo prej atyre grave e burrave të nderuar që sot nuk të përshtaten "estetikisht".

Atë ditë do të më duhet të të dëgjoj me durim, kur më tregon se çfarë tmerresh e trimërish do kishe bërë për ta ndalur këtë ndyrësi, nëse do kishe qenë ti prezent në sallën e Kuvendit, ose siç është bërë zakon "sikur të ishe vetë 24 orë në vend të atyre që janë në Kuvend"...

Por nejse, edhe kjo është virtuale, si çdo ëndërr e mirë apo e keqe, si funksionimi i procesit legjislativ, "konsultimi me komunitetin", "konsultimi me shoqërinë civile" apo me strukturat e bashkimit evropian e "të partnerëve"...

Deri tani, real është vetëm dëmi që ti do paguash, dhe gjykimi estetik e distancimi ndaj deputetëve të PD, kur përpiqeshin ta ndalnin edhe me trup, që kjo mos të të ndodhte...

KAQ!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco