Politikat e Presidentit Trump mund të forcojnë NATO-n dhe Perëndimin

Politikat e Presidentit Trump mund të forcojnë NATO-n dhe Perëndimin

Nga Nikola Kedhi - 22/02/2024

Nga Nikola Kedhi për Newsweek

Emmanuel Macron, presidenti liberal i Francës, deklaroi në vitin 2019 se NATO po përjetonte "vdekje truri". Barack Obama, përgjatë Presidencës së tij, kërkoi më shumë se një herë që anëtarët e NATO-s të paguanin përqindjen që u takonte. Megjithatë, asnjëri nga këta liderë nuk u akuzua se ishte agjent rus ose se po sillte fundin e Perëndimit. Me sa duket vetëm Donald Trump mund të akuzohet për një gjë të tillë, sipas standardeve të dyfishta të mediave e politikanëve progresistë.

Në vitet që kur Trump u largua nga detyra, administrata Biden ka mbikëqyrur tërheqjen kaotike nga Afganistani, duke braktisur qytetarët e vet dhe aleatët amerikanë, ka zhvilluar një luftë të egër kundër burimeve tradicionale të energjisë, pa pasur alternativa të qëndrueshme, dhe kjo në dobi të Rusisë, ka inkurajuar injektimin e forcuar në shoqërinë amerikane të ideve woke dhe progresiste që shkaktojnë konflikte sociale artificiale, ka dobësuar qëndrimin e SHBA-së në komunitetin ndërkombëtare, duke incentivuar zgjimin e konflikteve që shohim në mbarë botën sot.

Nisur nga ky kontekst, rizgjedhja e Presidentit Trump nuk përbën kërcënim për Perëndimin. Përkundrazi, ka potencialin për ta forcuar atë.

Si mund të nënkuptojë dobësim të NATO-s, rritja e kontributeve të vendeve anëtare – siç ka kërkuar të bëjë Trumpi? Nëse Presidenti Trump do t'i bënte favore Rusisë ose Kinës, me siguri ai do të inkurajonte vendet anëtare që të paguajnë më pak për mbrojtjen e tyre. Shumë qytetarë amerikanë, dhe veçanërisht ata konservatorë, janë të shqetësuar se ka pak përgjegjshmëri dhe transparencë me paratë e shpenzuara nga Shtetet e Bashkuara jashtë vendit. Ata kanë merakun se paratë e tyre shpërdorohen nga diplomatë dhe burokratë për të çuar përpara agjenda të majta, apo për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera, pa përfitim për Amerikën dhe as për vendet ku këta operojnë. Shumë prej këtyre parave shkojnë në vende të drejtuara nga diktatorë e autoritarë, apo në qeveri që punojnë kundër Shteteve të Bashkuara. Trump po i bën jehonë këtij shqetësimi, ndonjëherë ashpër, sepse thirrjet e mëparshme kanë kaluar të padëgjuara.

Sigurisht, presidenti i 45-të dhe ndjekësit e tij e dinë se tërheqja amerikane nga skena globale pas Luftës së Parë Botërore kontribuoi në një mjedis ndërkombëtar më kompleks dhe më pak të qëndrueshëm. Sot, një qëndrim i tillë izolues do të nënkuptonte një SHBA të pakësuar dhe në një pozitë më të dobët, si dhe një Kinë më dominuese. Amerika e para nuk do të thotë Amerika e vetme tha Trump në vitin 2018.

Kjo pikëpamje shtrihet përtej mbrojtjes. Për vite me radhë, politikanët në Bashkimin Evropian mbyllën termocentralet bërthamore (të cilat prodhojnë energji të pastër, me kosto të ulët dhe të sigurt), mbyllën impiantet e qymyrit dhe ndaluan eksplorimin e gazit natyror, duke dëmtuar anën e ofertës në emër të të ashtuquajturës energji e gjelbër. Kjo luftë e hapur ndaj burimeve tradicionale të energjisë, pa alternativa të rinovueshme për të plotësuar kërkesën, e ka bërë BE-në të varur nga Rusia dhe vendet e tjera joaleate për energji. Presidenti Trump ishte i pari që paralajmëroi se kjo mbështetje tek Rusia do t’i kthehej Europës kundër, siç dhe ndodhi. Ai e bëri SHBA-në të pavarur energjetikisht dhe nxiti që BE të largohej nga Rusia dhe të shkonte drejt aleatëve për të siguruar furnizimet me energji.

Përveç kësaj, administrata e Trump lëshoi qindra sanksione nga viti 2017 deri në vitin 2020 ndaj individëve dhe subjekteve të lidhura me Rusinë, nga të cilat rreth gjysma ishin të lidhura me Ukrainën. Edhe Sekretari i Mbrojtjes i Presidentit Obama, Robert Gates, u shpreh para disa vitesh se administrata e Presidentit Trump ka qenë më e ashpra ndaj Rusisë.

Në vitin 2019, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dënoi veprimet e paligjshme të Rusisë në Krime dhe agresionin e saj të vazhdueshëm kundër Ukrainës. Gjatë gjithë mandatit të Trump, administrata vendosi sanksione si përgjigje ndaj agresionit të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë, ndaj abuzimeve të të drejtave të njeriut, ndaj sulmit në Salisbury, ndaj veprimeve në Siri dhe Venezuelë, dhe ndaj formave të tjera të agresionit si sulmet kibernetike. Presidenti Trump vendosi gjithashtu sanksione të forta për gazsjellësin Nord Stream 2.

Trump beson se një situatë e fortë e brendshme mund të forcojë pozitën e një vendi në komunitetin ndërkombëtar, duke i dhënë atij më shumë fuqi negociuese dhe duke penguar veprimet e kundërshtarëve gjeopolitikë përpara se ata të veprojnë. Kjo quhet politika e parandalimit (deterrence) Historia tregon se periudha katërvjeçare nga 2017 deri në 2021 ishte në fakt mjaft paqësore.

Gjatë katër viteve të tij të para, arritjet e politikës së jashtme të Trump përfshinin marrëveshjet e paqes në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe vendeve arabe. Trump luftoi me sukses kundër Shtetit Islamik. Politika e tij e presionit maksimal kundër Iranit doli e suksesshme dhe ai vendosi sanksione ndaj regjimeve komuniste.

Ishte Trump ai që solli në vëmendjen e të gjithëve kërcënimin e paraqitur nga Kina dhe ngriti mundësinë e shkëputjes së Perëndimit prej saj. Për këtë çështje, dhe shumë të tjera, ka mjaft interesa të përbashkëta mes SHBA-së dhe BE-së për të bashkëpunuar më tej, ku të gjithë bëjnë më shumë ekonomikisht, gjeopolitikisht dhe kulturalisht, veçanërisht duke u larguar nga politikat socialiste dhe drejt kapitalizmit dhe tregjeve të lira, për t’u forcuar së brendshmi dhe për të ndërvepruar në arenën ndërkombëtare nga pozita force, me qëllim parandalimin e veprimeve agresive nga kundërshtarët gjeopolitik.

Natyrisht, duhet bërë më shumë në një mandat të dytë të Trump për të parandaluar që emisarët progresistë nga Shtetet e Bashkuara të zbatojnë agjendat e tyre. Burokracia nuk duhet të marrë vendime në emër të presidentit të SHBA, duke anashkaluar prioritetet e tij, siç ka ndodhur shumë herë në mandatin e parë të Trump. Një administratë e dytë Trump duhet të fokusohet në përmirësimin e marrëdhënieve me aleatët që qëndrojnë në krah të SHBA-së dhe ndajnë të njëjtat interesa, kundër atyre vendeve që luajnë me të dyja palët gjeopolitikisht, veçanërisht në rajonet delikate, apo ato qeveri që çojnë përpara socializmin. Një administratë e dyte Trump do të duhet të dijë të dallojë aleatët e vërtetë ideor dhe gjeopolitik, sidomos në rajone delikate.

Natyrisht, duhet pranuar se teprimet e politikës së jashtme amerikane kanë kontribuar në një mosbesim dhe skepticizëm për angazhimin ndërkombëtar mes popullit amerikan. Barra bie mbi liderët konservatorë që të pajtojnë nevojën për lidershipin e SHBA-së në skenën botërore me kërkesat e popullit amerikan për maturi, transparencë, llogaridhënie dhe politika më të mira ekonomike dhe sociale brenda vendit.

Presidenti Trump e bëri këtë në mandatin e tij të parë, veçanërisht në tre vitet e para. Ai ka aftësinë t'i tregojë edhe një herë botës se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë forcën për të kufizuar në zonat e tyre kundërshtarët gjeopolitikë, ndërkohë që forcohen ekonomikisht përmes shkurtimeve të taksave, derregullimit, politikave të ofertës, mbrojtjes së kufijve dhe rendit e sigurisë. Trump mund dhe duhet të inkurajojë Evropën të ndjekë të njëjtën rrugë. Ashtu si presidenti Ronald Reagan, kryeministrja Margaret Thatcher dhe Papa Gjon Pali II mbajtën ekuilibrin e pushtetit në Perëndim duke ndjekur një qëllim të përbashkët me politika të ngjashme, po ashtu një koalicion i ri mund të forcojë të dyja anët e Atlantikut.

Ekziston një potencial i madh për të rikthyer prestigjin e humbur të Perëndimit, për të ruajtur vlerat që tani janë nën sulm dhe për të sjellë prosperitet për qytetarët evropianë dhe amerikanë përmes politikave të duhura. Kjo do të frenojë aspiratat agresive të rivalëve gjeopolitikë që nuk duan një rend botëror me bazë perëndimore. Presidenti Trump mund të jetë lideri për ta arritur këtë – mendoj se atij duhet t'i jepet shansi për të vazhduar atë që filloi shtatë vite më parë.

 

Nikola Kedhi është ekspert ekonomik, konsulent financiar, bashkëautor i Kushtetutës së Vlerave të Djathta dhe bashkëpunëtor në disa media në SHBA, MB dhe Evropë. Artikujt e Kedhit pasqyrojnë vetëm opinionet e tij. Artikulli është botuar në median amerikane Newsweek.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco