Matematika e protestës apo matematika e fitores?

Matematika e protestës apo matematika e fitores?

Nga Erion Dasho - 22/02/2024

Ashtu si e do tradita, pa u mbyllur ende protesta e opozitës, mediat e blera të pushtetit nxituan të bënin "matematikën" e protestës.

Qëllimi kuptohet është minimizimi i pjesëmarrjes për të argumentuar se populli opozitar nuk ju përgjigj thirrjes së opozitës, se protesta nuk e arriti qëllimin, se kauza e saj është e dështuar, se opozita nuk ka shpresë, etj., etj.

Duke qenë se "shifrat" janë bërë specialiteti im i dytë (prej vitesh merrem me digjitalizimin në shëndetësi dhe atë që duhet shkenca e të dhënave), më mjaftuan vetëm disa pamje të protestës për të kuptuar se pjesëmarrja ishte në nivelin e dhjetëra mijë pjesëmarrësve, sigurisht pa mundur të jap shifrën e saktë pasi nuk isha prezent.

Për mosbesuesit, vetëm pjesa e Bulevardit e mbushur nga pjesëmarrësit është 600m e gjatë dhe 50m e gjerë, pra 30 mijë m2 pa llogaritur rrugët anësore. Me një dendësi nga 2 deri në 6 protestues për m2, në bulevard mund të kenë qënë midis 60 mijë dhe 180 mijë protestues.

Kjo shifër duhet të mbushë me optimizëm opozitën, ndërkohë që nga ana tjetër frikëson deri në palcë pushtetin.

Përse?

Në kushte e terrorit të ushtron prej vitesh rilindja dhe Borati që kanë blerë, kapur dhe akaparuar çdo pushtet të mundshëm, qytetari opozitar sot ndihet i shtypur me shumë se kurrë më parë.

Rrjeti i patronazhistëve spiunon çdokënd duke e kërcënuar deri me bukën e gojës. Koeficienti i frikës është pa dyshim një me pesë ose edhe më i lartë. Shtoji kësaj edhe faktin se protesta bëhej në Tiranë dhe shumë opozitarë nga qytete të tjera e kanë pasur të pamundur udhëtimin, dhjetëra mijë qytetarë në bulevard përkthehen në 800 mijë deri një milion vota.

Nëse zgjedhjet do të bëheshin nesër dhe do të ishin të ndershme, Borati shkon në shtëpi, pas 11 vjetëve poshtërsi, hajdutëri dhe diktaturë.

Po çfarë ndodhi që shqiptarët vranë frikën?

Shumë faktorë mund të përmenden këtu, por për mendimin tim, tre prej tyre janë përcaktues.

Së pari, shkalla e paprecedent e hajdutërisë së Rilindjes dhe boratëve. Vetëm me dy afera koncesionesh të shëndetësisë dhe djegësve janë grabitur 1 miliard euro. Kurrë nuk ka ndodhur diçka e ngjashme, jo në Shqipëri, por as edhe në botë.

Së dyti, shkalla e arbitraritetit dhe abuzimit me pushtetin. Vetëm boratët mund të mendonin të vidhnin çdo park të qytetarëve tiranas për ta mbushur me kulla. Vetëm boratët mund të grabisnin portin e Durrësit. Vetëm boratët mund të burgosnin opozitën, të kapnin çdo media, të bënin aleancat më të errëta me oligarkinë dhe narkotrafikun, duke u shitur nga ana tjetër si engjëj.

Së treti, bashkimi i opozitës ishte vendimtar për pjesëmarrjen masive. Opozitarët e kuptuan se të përçarë ishin të humbur, jo vetëm në 2025-ën, por edhe në 2029-ën e në tej. Të bashkuar opozitarët mund ta mundin Boratin dhe rilindjen që nesër.

Protestuesit i kanë dërguar shqiptarëve një mesazh të madh shprese dhe lirie.

Jo Borati, por edhe sikur të ringjallen Enveri dhe Ramizi bashkë, nuk mund t'i bëjnë ballë opozitarëve të bashkuar që kanë vrarë frikën.

Fundi i diktatorit të radhës së shqiptarëve është i afërt. Le të urojmë që të jetë fundi i diktatorit të fundit...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco