Peticioni i mbërritur në një univers paralel

Peticioni i mbërritur në një univers paralel

Nga Sonila Meço - 20/02/2024

Në një univers paralel ka mbërritur ky peticion:

Drejtuar:

Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Ministrisë së Arsimit

Agjencisë për Media dhe Informim

Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit

Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA)

Me këtë peticion, ne, një grup studiuesish, intelektualësh, studentësh e qytetarësh të tjerë, shumë të shqetësuar për cilësinë e mediave audiovizive dhe respektimin e informacionit shkencor, dëshirojmë t’ju drejtohemi me një kërkesë të rëndësishme dhe urgjente.

Niveli i ulët i informacionit shkencor në një pjesë të mediave tona, promovimi i dijeve amatoreske, i një etimologjie vulgare dhe sharlatanizmi kanë krijuar një situatë alarmante. Disa studio televizive janë kthyer në platforma për individë të papërgatitur nga ana shkencore, të cilët promovojnë propagandë se Shqipëria është demokraci, shtet i së drejtës, me numrin më të madh të turistëve për frymë në Europë, se ndërtimi është mushkëria e shëndetshme e ekonomisë më të fortë Ballkanike, se lideri i saj është shëmbëlltyra e Skënderbeut mbi dhè, se Zeusi ka mishërimin njerëzor tek ai, se liderët botërorë falen në dijen dhe aftësitë politike të tij, se popullsia shqiptare është 2,6 milionë banorë, se jemi me fat për sa fati ka vendosur të mbajë Rilindjen si filozofinë sipërore të qeverisjes, se investimet e huaja po lulëzojnë në tokën e shqipeve, se investitorët strategjikë po forcojnë shkëmbin e granitit buzë Adriatikut, se Galeria e Arteve s’ka pse të funksionojë më, Teatri Kombëtar duhej shembur, se shqiptarët nuk ikin nga Shqipëria, por si qytetarë europianë i jepen rrymave të lëvizjes së lirë, se shëndetësia është falas, se reforma në drejtësi po ç’rrënjos korrupsionin me trung e degë, se rinia i gëzohet jetës së dendur artistike e kulturore, se administrata shijon meritokracinë, se inceneratorët funksionojnë, se të gjatët dy metroshë nuk dinë të vjedhin, se zgjedhjet janë të lira, se çunat e Londrës janë partnerë biznesi me dëshirë e pasion investimi prodhues në vend, se çmimet e banesave pasqyrojnë mirëqenien shoqërore dhe kërkesën e qytetarëve të botës për të blerë në Shqipëri, se Amerika nuk e do opozitën, se testi i PISA-s qe një provokacion ndaj arsimit elitar shqiptar, se gazetarët janë gjobëvënës e qeveritarët viktima të medias së banaqeve, se Akademia e Shkencave po shndërrohet në institucion bashkëkohor, se gradat shkencore me shumicë dëshmojnë ngopjen e shtresës elitare, se jetohet mirë me 40,000 lekë në muaj, se Bashkia e Tiranës ka mbjellë 1 milionë pemë, se opozita ka marrë fund, se asnjë zyrtar shqiptar nuk ka lidhje me aferat e McGonigal, se arrestimet pa prova janë të ligjshme, se ajri është në nivelet e pranuara shkencërisht të ndotjes, se mbylljet e mediave dhe programeve televizive me urdhër politik nuk janë censurë, se gjyqet e arbitrazhit ndërkombëtar të humbura nga shteti shqiptar janë dëshmi e korruptimit të gjykatave ndërkombëtare, se barcoletat e liderit në samitet ndërkombëtare janë fushata më e mirë e imazhit për Shqipërinë, se pastrimi i parave është bekim që Shqipëria po ia heq nga privilegji Anglisë, Gjermanisë, se komisionet hetimore parlamentare janë atribut vetëm i maxhorancës, se reforma zgjedhore duhet bërë nga pushteti, se podcast-i i kryeministrit është përsosuria e prodhimit mediatik për nga forma e përmbajtja, se Gjykata Kushtetuese nuk detyron dot pushtetin me vendimet e saj, se arrestimi i liderit të opozitës është prova e ndëshkueshmërisë së peshqve të mëdhenj, se vendimet e Kryetarëve të Bashkive pa miratimin e Këshillit Bashkiak janë të lejueshme nëse merren për të mirën e kombit, se ndërhyrja në zonat e mbrojtura është leverdi ekonomiko-sociale, se çmimet e rritura janë treguesi i shëndetshëm i kërkesë-ofertës, se kapja e shtetit nga pushteti është alibia e një opozite të dobët, se portalet me shpifje, denigrime e goditje të zërave të lirë jashtë perimetrit të pushtetit janë gazetari investigative…

Formulime të tilla nuk kanë asgjë shkencore dhe, si të tilla, kultivojnë psikoza të sëmura e të rrezikshme në opinionin publik.

Institucioni që ka për detyrë të ruajë publikun nga informacione të gabuara, të dëmshme e të rrezikshme është AMA. Ky institucion i ka të përfshira në statutin e vet këtë detyrë dhe këtë përgjegjësi në pikën ‘Parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive’, përmes ‘garantimit të së drejtës së informimit’ dhe ‘respektimit të standardit letrar të gjuhës shqipe’.

A mund të lejohet përbaltja e figurave me kontribut të shquar në fushën e mjekësisë, shkencës, publicistikës, dretësisë, kulturës, artit, sportit, të njohur ndërkombëtarisht dhe nga parametrat profesionalë të fushës thjesht se nuk bëjnë hosana ndaj pushtetit dhe monizmit? Krijohet përshtypja se mediat dhe disa prej personave të ftuar prej tyre duan të krijojnë një ‘shkencë’ shqiptare, një ‘demokraci’ shqiptare, që i kundërvihet asaj botërore, çka na bën qesharakë në sy të botës. Disa prej të ftuarve (infiltruarve), që rreken të shfaqen opozitarë në shumicën e kohës për të vërtetuar lirinë e mendimit në media janë pjesa më e dëmshme e një sharlatanizmi të një forme tjetër: propagandës së kamufluar. Ata përdoren kur pushtetit i lagen pisqollat e sharlatanëve të demaskuar, duke ‘asgjësuar’ pluralizmin e mendimit kur më shumë duhet. Në disa emisione televizive sulmohet me një gjuhë antishkencore, gjithçka që është arritur për një kohë shumë të gjatë nga qeverisje të ndryshme dhe, kështu, padija po rreh të mbizotërojë mbi dijen.

Agresivitetin e disa individëve, të cilëve u mungon çdo lloj ekspertize e profesionalizmi në fushat përkatëse, por që pretendojnë se kanë monopolin e së vërtetës, e tolerojnë dhe e ushqejnë drejtues emisionesh televizivë që i popullarizojnë jo vetëm duke i ftuar vazhdimisht në studiot e tyre, por edhe duke i përkrahur në idetë e tyre haluçinante. Ky agresivitet ka sjellë stepjen e përfaqësuesve të mendimit të njëmendtë e të lirë shkencor, intelektual, politik e kulturor në vendin tonë, pasi ndaj këtyre të fundit nuk kursehen shpifje, sharje e deri kërcënime. Studimi i historisë shqiptare nuk mund t’u lihet pseudshkencëtarëve, akademikëve me tituj fallco, intelektualëve të improvizuar, pikëpamjet e të cilëve s’do të pranoheshin nga asnjë forum shkencor brenda e jashtë Shqipërisë.

Liri e medias nuk do të thotë mungesë përgjegjësie në media. Duke u bërë jehonë gjithfarë ‘qendrimesh’ lidhur me rolin e Shqipërisë në botë nën këtë qeverisje, disa kanale televizivë kanë ngjallur një histeri nacionalizmi që u siguron ‘zbuluesve’ mijëra pëlqime në portalet e tyre. Në fakt, shkenca nuk krijon dot turmë ndjekësish, përveç se në regjime totalitarë, kur përdoret për propagandë. Bash siç dëshmon realiteti i zymtë shqiptar. Dhe shkencëtarët, intelektualët e vërtetë, njerëzit e lirë, që e duan ende këtë vend në kërkimet, publikimet, deklarimet e në ballafaqimet mes tyre, nuk përdorin gjuhë agresive e fyese, por argumente përtej spërkatjeve me pesticide propagande.

Kjo gjendje, pra sulmi i pseudoshkencës (që sipas tyre na paska lindur me liderin) ndaj shkencës së vërtetë duhet konsideruar një çështje kombëtare shumë serioze dhe një problem që u shtohet problemeve të tjera me të cilët ndeshet vendi ynë; ajo krijon e shton mosmarrëveshje e dasi krejt të panevojshme e dëmprurëse mes bashkatdhetarësh.

Një tjetër detyrim i AMA-s, i përcaktuar në statutin e këtij autoriteti, është moslejimi i shkeljeve etike në emisionet televizive. Ky detyrim duket se nuk zbatohet si duhet kur lejohen të paraqiten si bartës të së vërtetës mercenarët e pushtetit me  të dhëna që nuk kanë asnjë bazë lidhur me bindjet politike të shqiptarëve, siç ndodh kur opozitarëve u mohohen fjala, të drejtat, liria.

As standardi letrar i shqipes nuk respektohet në mediat tona. Natyrisht, ky detyrim duhet të jetë për drejtuesit e emisioneve, për folësit e lajmeve, për njoftime me karakter zyrtar dhe jo për letërsinë artistike, jo për këngët, jo për të ftuarit.

Për t’i vënë fre kësaj gjendjeje shqetësuese, sugjerojmë:

(a) Të merren masat e duhura që AMA të kryejë detyrën e saj për kontrollin e cilësisë së emisioneve në mediat tona;

(b) Burimet dhe studimet shkencore të identifikohen e të prezantohen në mënyrë të qartë në të gjitha raportimet shkencore dhe jo t’i referohen fjalimeve në asamble dhe batutave në podcast-et private të pushtetit;

(c) Në emisionet televizive të flitet me një gjuhë të kuptueshme për të shpjeguar terminologjinë shkencore për audiencën e gjerë;

(ç) Ministria e Arsimit të mos lejojë mësimdhënësit t’u mësojnë nxënësve e studentëve teori të pamiratuara nga shkenca, por të aprovuara nga pushteti dhe ndjekësit e verbër të tij.

(d) Qeveria, e së pari ministria e Arsimit, të ketë një agjendë për ngritjen e nivelit kulturor të qytetarëve, që këta të mos bien pre e gjithfarë teorish antishkencore, propagandistike dhe patronazhiste.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco